I Domenica Avvento – Anno I Domenica Avvento – Anno 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 1 të kohës së Ardhjes ‘A’

Koha e Ardhjes na u dha që të presim Zotin, i cili vjen të na takojë, që të verifikojmë dëshirën tonë për Zotin, të shkojmë përpara e të përgatitemi për kthimin e Krishtit. Koha liturgjike e Ardhjes, pra, është për çdonjërin rast i volitshëm për të ripërtërirë në zemrën e vet dëshirën për ta takuar Zotin që vjen për të na shpëtuar.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së Parë të kohës së Ardhjes, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 1 të kohës së Ardhjes ‘A’

Viti ri liturgjik që fillojmë me të Dielën e Parë të kohës liturgjike e shpirtërore të Ardhjes, na bënë të reflektojmë mbi domethënien e vërtetë të kësaj kohe të pritjes së Zotit që vjen në jetën dhe në historinë e njerëzve. Një pritje për t’u jetuar me gëzim e me shpresë.

Koha e Ardhjes na u dha që të presim Zotin, i cili vjen të na takojë, që të verifikojmë dëshirën tonë për Zotin, të shkojmë përpara e të përgatitemi për kthimin e Krishtit. Koha liturgjike e Ardhjes, pra, është për çdonjërin rast i volitshëm për të ripërtërirë në zemrën e vet dëshirën për ta takuar Zotin që vjen për të na shpëtuarPrandaj Jezusi, në Ungjillin e sotëm na fton “të jemi të vëmendshëm e të rrimë zgjuar”. Koha e Ardhjes, kohë për të pranuar “zbrazësitë”, që duhen mbushur në jetën tonë; për të sheshuar “vrazhdësinë e kryelartësisë” e “për t’i bërë vend” Jezusit, që vjen.

Presim pra, që Zoti të vijë në jetën tonë dhe në historinë e njerëzimit. Prandaj, Kisha na fton ta jetojmë këtë Kohë shpirtërore të liturgjisë kishtare me shpirt vigjilence, që askush të mos rrezikojë ta shtyjë për më tej kthimin në udhën e Hyjit, duke e vonuar kështu, takimin e gëzueshëm me  Zotin.

Në të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes, Fjala e Zotit, na porosit si besimtarë të mos sundohemi nga sendet e kësaj bote e të mos varemi nga siguritë e tyre, sepse Zoti vjen kur nuk e presim. Zoti e viziton njerëzimin në tri kohë: na kujton Kisha duke filluar Vitin e Ri liturgjike, me kohën e Ardhjes, posaçërisht Ungjilli së dielës. Herën e parë e vizitoi me mishërimin; të dytën, vjen me praninë e Tij ditë për ditë; të tretën do të vijë përsëri në mbarimin e kohëve. Ungjilli nuk dëshiron të na trembë, por të na hapë horizontin e përmasës së fundme, më të madhes, e cila nga njëra anë i relativizon sendet e përditshme, e nga ana tjetër, i bën tejet të çmuara e vendimtare.

Marrëdhënia me Zotin-që-vjen-të-na-vizitojë, na kujton Fjala e Zotit, i jep çdo gjesti, çdo gjëje, një dritë të veçantë. I jep hapësirë. Frymëmarrje. I jep vlerë simbolike. E nga kjo perspektivë, vjen edhe ftesa për jetë të thjeshtë, për përkorje që të mos na sundojnë sendet e kësaj bote, realitetet materiale, por t’i sundojmë. Nëse, përkundrazi, e lëmë veten të na kushtëzojnë e të na mposhtin, nuk do të arrijmë ta perceptojmë se është diçka shumë më me vlerë: takimi ynë i fundmë me Zotin. E kjo është gjëja më e rëndësishme.

Në të vërtetë, ashtu si thotë Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu ( Mt 24,37-44) : “dy burra do të jenë duke punuar në arë: njëri do të merret, tjetri do të lihet”. Prej këndej, në këtë Kohë të Ardhjes, jemi të thirrur ta zgjerojmë horizontin e zemrës sonë, të mrekullohemi nga jeta, që vjen ditë për ditë, me risitë e saj. Por, për ta bërë këtë, duhet të mësojmë të mos varemi nga siguritë tona njerëzore e të përkohshme, nga skemat afatgjata, sepse Zoti vjen në orën, që ne nuk arrijmë as ta përfytyrojmë. Vjen të na hapë përpara një përmasë më të bukur e më të madhe.

Prej këndej, t’i lutemi Zojës së Bekuar të na ndihmojë të mos besojmë se jemi  zotër të jetës sonë, të mos kundërshtojmë, kur Zoti vjen për ta ndryshuar, të jemi gati e ta presim si mik të shumëdashur, edhe pse na i përmbys planet.  E po përfundojmë me urimin Gëzuar Kohën e Ardhjes! Qoftë kohë shprese! Të shkojmë në takimin me Zotin, që vjen drejt nesh. Shpresë e vërtetë, e themeluar mbi besnikërinë e Hyjit e përgjegjësinë tonë! E, ju lutem, mos harroni ta thoni një uratë për mua. Drekën e mirë e mirupafshim!

                                                                 Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë nga Isaia profet  Is 2, 1-5

Isaia profet e parashikon në të ardhmen kryerjen e planit hyjnor të shpëtimit: të gjithë popujt do të dynden në Jeruzalem,  qyteti i Hyjit, qyteti i paqes.  Jeruzalem do të thotë “qytet i paqes”, dhe është simbol i njerëzimit të dashur prej Hyjit. Megjithë pabesnikëritë e tij, Hyji e rindërton dhe bën të lindë prej tij Paqen mbi tokë dhe Bamirësinë e Hyjit ndaj njerëzve.

Lexim prej Librit të Isaisë profet (2,1-5)

Vegimi që pa Isaia, biri i Amosit, në lidhje me Judenë e Jerusalemin. Do të ndodhë në kohën e ardhshme: mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve, e do të ngallitë përmbi kreshta dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai. Tek ai do të shkojnë shumë fise e do të thonë: “Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Hyjit të Jakobit që të na i mësojë udhët e veta e të ecim shtigjeve të tija,” sepse nga Sioni do të dalë Ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit. Ai do të jetë gjykatësi i popujve dhe do t’i gjykojë fiset e shumta, shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngritë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë. Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit! Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi (121/122, 1-2.4-9)

Të shkojmë me gëzim në  takim me Zotin.

Sa u gëzova kur më thanë: “Eja të shkojmë në shtëpinë e Zotit!”

Ja, tashmë këmbët tona shkelën në dyert e tua, o Jerusalem!

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit, sipas rregullores në Izrael për të kremtuar emrin e Zotit.

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë, selitë e shtëpisë së Davidit!

Lutuni për paqen e Izraelit: “U priftë e mbara atyre që të duan ty!

Mbretëroftë paqja në muret e tua dhe qetësia në pirgjet e tua!”

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi do të them:

“Paqja me ty!” Për dashuri ndaj shtëpisë së Zotit,

Hyjit tonë, do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat.

 

Leximi dytë nga letra e shën Pali drejtuar Romakëve

Shën Pali duke u shkruar Romakëve na fton të përgatitemi për ardhjen e ditës së Zotit, duke i flakur tej veprat e territ dhe duke u veshur me armët e dritës. Për të krishterin qëndron pikërisht këtu kuptimi i historisë njerëzore dhe i historisë së vet: të ecësh drejt Krishtit. I krishteri është një person pa durim, që do të shpejtojë takimin me Krishtin, dritën e botës.  Ai nuk mund të fle, që kur Krishti ka fituar mbi natën dhe ka inauguruar ditën e re.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve (13,11-14a)

Vëllezër, është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tash shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës. Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë. Por, vishuni me Jezu Krishtin Zot, e në kujdes për trup, mos i kënaqni prirjet e ulta. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluia, aleluia. Na e trego, o Zot, mëshirën tënde, dhe na jep shëlbimin tënd. Aleluia, aleluia.

Ungjilli   Mt 24, 37-44

Zoti Jezus duke shpallur ardhjen e tij, na fton të rrimë zgjuar me veprat e dashurisë.  Të krishterët e parë prisnin një fakt të menjëhershëm dhe përfundimtar, ndërsa bota e njerëzve të tjerë jetonte pa ideale dhe shpresa. Ndjenin nevojën të qëndronin gati, sepse Hyji vjen çdo ditë. Bëhet fjalë të jemi gati dhe të përqendruar jo nga frika e vdekjes, por për të mos humbur rastin për të qenë gjithmonë me Hyjin

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (Mt 24, 37-44)

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Si qe në ditët e Noehit – ashtu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut, dhe, sikurse në ditët para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë, e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë derisa s’erdhi përmbytja e i fshiu: ashtu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Atëherë, prej dy vetëve, që kanë për t’u gjetur në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet; prej dy grave që do të bluajnë në mokër, njëra do të merret e tjetra do të lihet. Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk e pritni.” Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht!

29 nëntor 2019, 16:02