Kërko

La-Madonna-del-Rosario-Bishtazhin-Gjakove-Kosovo4.jpg

Festa Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës

Festa e Zojës Rruzare, mё 7 tetor, u kremtua solemnisht në fshatin Bistrazhin të Gjakovës, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme tё besimtarëve nga Kosova e diaspora. Sivjet Meshën solemne e kryesoi Atë Anton Ndua, në bashkëkremtim me dom Lush Sopin, famullitarin e ri të kësaj bashkësie kishtare të Bishtazhinit dhe me shumë meshtarë e rregulltarë tjerë.

R.SH. - Vatikan

Festa e Zojës Rruzare, mё 7 tetor, kremtohet çdo vit solemnisht në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, në Kosovë, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme tё besimtarëve nga të gjitha viset e Kosovës e nga diaspora. 

Sivjet Meshën solemne e kryesoi françeskani Atë Anton Ndua, nga komuniteti i fretërve të Gjakovës, në bashkë kremtim me dom Lush Sopin, famullitarin e ri të kësaj bashkësie kishtare të Bishtazhinit dhe me shumë meshtarë e rregulltarë tjerë.

Kremtimi i Zojës Rruzare në komunitetin Kishtar të Bishtazhinit është një përjetim shpirtëror vërtet i veçantë e prekës, për pjesëmarrjen e thellë shpirtërore të besimtarëve dhe për takimin vëllazëror ndërmjet bijve të kësaj Kishe famullitare e të besimtarëve të trevave kosovare, që organizohet rreth Eukaristisë Shenjte, në praninë e Nënës së Jezusit dhe Nënës sonë – Zojës Rruzare.

Festa u paraprijë me treditëshin shpirtëror përgatitur nga famullitari ri dom Lush Sopi, të cilit i kërkuam të na tregoi si kaloi kremtimi i festës së Zojës Rruzare, sivjet, në një ditë pune siç ishte 7 tetori, në Bishtazhin ku dom Lushi sapo ka filluar shërbimin e tij si famullitar i ri këtij komuniteti?  Ta dëgjojmë Dom Lush Sopin, famullitarin e ‘Zojës Rruzare’ në Bishtazhin të Gjakovës, në mikrofonin e Radio Vatikanit....

Ta dëgjojmë Dom Lush Sopin, famullitarin e ‘Zojës Rruzare’ në Bishtazhin të Gjakovës, në mikrofonin e Radio Vatikanit..

Të kujtojmë se lutja Mariane e Rruzares Shenjte të çon drejtpërdrejtë në takim me Jezu Krishtin. Shqiptimi i uratës së Rruzares Shenjte është lutje bisedë me Zojën e Bekuar mbi të Birin e saj e shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. E ndërsa bisedojmë me Nënën e Krishtit, e ndjejmë nevojën të lidhemi e të bashkohemi me vetë Jezusin. Ata që i luten Marisë, e ndjejnë menjëherë se sytë e tyre nuk mund të ndalohen vetëm në fytyrën e Nënës, sepse Nëna lidhet ngushtë me të Birin, Jezu Krishtin e kështu duke e lutur Rruzaren, ne vihemi në kontakt me Zojën e Bekuar e me Shëlbuesin e botës, Jezu Krishtin. 

Rruzarja Shenjte, është një libër i mrekullueshëm që të gjithë mund ta lexojnë. Libër që ka vetëm 20 faqe; 20 mistere të fesë së krishterë shkruar nga autorë të pavdekshëm që janë Jezusi dhe Maria, të cilët tregojnë jetën e tyre në atë mënyrë që të gjithë e secili prej nesh të mund ti ri-jetojë, e të mund t’i imitojë në jetën e përditshme.

Rruzarja është një gjetje e madhe e Marisë për ta mbajtur njerëzimin afër vetes e të bashkuar në një familje të vetme në Krishtin Zot e Shpëtimtar. Vet personalisht, Virgjëra Mari u denjua të na mësojë e porositë këtë uratë të përshpirtshme të Rruzares ta lusim çdo ditë. Mos të harrojmë që mjeti dhe udha më e mirë e më e sigurt që na mundëson takimin e bashkimin tonë me Zotit, është pa dyshim, urata e Rruzares Shenjte

08 tetor 2019, 17:48