Kërko

Vatican News
Kremtim në Sheshin e Shën Pjetrit Kremtim në Sheshin e Shën Pjetrit 

Zhvillimi i doktrinës çon drejt një populli, që ecën i bashkuar

Sinodi për Amazonën shkaktoi një debat të ndezur ndërmjet katolikëve. Ka nga ata, që kanë frikë se mund të dilet nga udha e Traditës. Historia e Kishës na tregon udhën e besnikërisë.

R.SH. - Vatikan

Dy mijë vjet histori na mësojnë se zhvillimi i doktrinës në Kishë ka pasur dhe ka të bëjë me një popull, që ecën i bashkuar. Ndërsa përshkon shekujt, Kisha shikon dhe mëson gjëra të reja, duke e kuptuar gjithnjë e më mirë fenë. Gjatë këtij rrugëtimi, ndonjëherë, ka nga ata, që ndalen, nga ta, që vrapojnë tepër larg e nga ata, që marrin tjetër udhë.

Benedikti XVI: të mos e ngurtësojmë magjisterin

Kuptimplote për këtë, fjalët e Benediktit XVI në Letrën e shkruar në vitin 2009 për heqjen e çkishërimit të 4 ipeshkvijve, shuguruar nga kryeipeshkvi Lefebvre, themeluesi i Vëllazërisë Meshtarake “Shën Piu X”:

“Nuk mund të ngurtësohet autoriteti magjistral i Kishës e të lihet në vitin 1962 - kjo duhet të jetë e qartë për Vëllazërinë. Por disave, që e mbajnë veten si mbrojtës të mëdhenj të Koncilit II të Vatikanit, duhet t’u kujtojmë se ai mbart në vetvete tërë historinë doktrinore të Kishës. Kush dëshiron t’i bindet Koncilit, duhet të pranojë fenë e kumtuar në shekuj e s’mund t’i presë rrënjët, nga të cilat jeton pema”.

Të bashkohet e vjetra me të renë

Duhen marrë parasysh këto dy elemente: të mos e konsiderojmë magjisterin si të dhënë një herë e përgjithmonë në një datë të caktuar dhe, njëkohësisht, t’i qëndrojmë besnikë Traditës. Siç thotë Jezusi në Ungjill: “çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së Qiellit i përngjan të zotit të shtëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra”(Mt 13,52). Nuk duhet të mbetemi të lidhur vetëm me gjërat e vjetra e as të pranojmë vetëm gjërat e reja, duke i shkëputur krejtësisht nga të vjetrat.

Ta lemë Shpirtin Shenjt të na udhëheqë

Çështja është të kuptohet kur doktrina e Kishës zhvillohet, duke i qëndruar besnike Traditës. Historia e Kishës na mëson se nuk duhet t’i ndjekim gjërat fjalë për fjalë, por ta lemë mendjen të hapur për Shpirtin Shenjt. Me të vërtetë, nëse marrim si pikë referimi faktin që tekstet e dokumentet nuk duhet të bien në kontradiktë me njëri-tjetrin, natyrisht, na duhet të ndalemi. Pika e referimit nuk është një tekst i shkruar, por njerëzit që ecin të bashkuar. Siç lexojmë në Katekizmin e Kishës Katolike: “Feja e krishterë... nuk është ‘fe e Librit’. Krishterimi është feja e ‘Fjalës’ së Zotit: e një Fjale, që nuk është ‘fjalë e shkruar dhe e heshtur, por Fjala e mishëruar dhe e gjallë’. Që fjalët e Librave të Shenjtë të mos mbeten letër e vdekur, duhet që Krishti, Fjala e amshuar e Zotit të gjallë, përmes Shpirtit Shenjt, të na zbulojë kuptimin e tyre, në mënyrë që t’i kuptojmë Shkrimet”.

Koncili I i Jeruzalemit

         Nëse nuk ekziston ky këndvështrim shpirtëror dhe kishtar, çdo zhvillim do të shihej si prishje e doktrinës, për të ndërtuar një Kishë të re. Prandaj, duhet t’i admirojmë jashtëzakonisht të krishterët e parë, që në Koncilin e Jeruzalemit, në shekullin e parë, pavarësisht se ishin hebrenj, u shkëputën nga tradita mijëravjeçare e rrethprerjes. Ky hap duhet të ketë qenë një traumë e vërtetë për disa. Besnikëria nuk është lidhja pas një rregulle të caktuar, por udhë e përbashkët e popullit të Zotit, i cili ecën e mëson gjëra të reja, me ndihmën e Shpirtit Shenjt.

A shkojnë në Parajsë fëmijët e papagëzuar?

         Ndoshta, shembulli më i qartë është ai i shëlbimit të fëmijëve të papagëzuar. Është fjala për diçka tejet të rëndësishme për një besimtar: për shëlbimin e amshuar. Në Katekizmin tridentin, botuar nga Papa Shën Piu V me Dekret të Koncilit të Trentit, lexojmë: “Të vegjëlve nuk u lihet asnjë mundësi të fitojnë shëlbimin, nëse nuk u jepet Pagëzimi”. E shumë njerëz mund të kujtojnë edhe ç’shkruhej në Katekizmin e shkurtër të Shën Piut X: “Ku shkojnë fëmijët, që vdesin pa u pagëzuar? Fëmijët që vdesin pa Pagëzim shkojnë në Limb, ku nuk ka as shpërblim e as ndëshkim të mbinatyrshëm; sepse, duke pasur mëkatin fillestar e vetëm atë, ata nuk e meritojnë parajsën, por as ferrin apo purgatorin”.

Zhvillimi doktrinor nga Shën Piu X deri tek Shën Gjon Pali II

         Katekizmi tridentin është i vitit 1566, ai i Shën Piut X, i vitit 1905, ndërsa i shkurtri, i vitit 1912. Katekizmi i Kishës Katolike, miratuar në vitin 1992, përgatitur nën drejtimin e kardinalit Joseph Ratzinger (Papa i mëvonshëm Benedikti XVI), gjatë papnisë së Shën Gjon Palit II, nuk flet më për limb e thotë diçka të ndryshme: “Përsa u përket fëmijëve vdekur pa pagëzim, Kisha s’mund të bëjë tjetër, veçse t’ua besojë mëshirës së Zotit... Vërtet, mëshira e madhe e Zotit, ‘i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen’ (1 Tim 2,4), dhe butësia e Jezusit ndaj fëmijëve, gjë që e bëri të thoshte: ‘Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni’ (Mk 10,14), na japin mundësinë të shpresojmë se ka një udhë shëlbimi edhe për fëmijët, që kanë vdekur pa pagëzim”. Pra, zgjidhja ishte qëkur në Ungjill, por ne nuk e kishim parë prej shekujsh.

Çështja e gruas në historinë e Kishës

Shembull tjetër janë hapat e bëra nga Kisha në çështjen e gruas. Rritja e vetëdijes për të drejtat dhe dinjitetin e grave u konsiderua nga Shën Gjoni XXIII si shenjë e kohërave. Në Letrën e parë për Timoteun, Shën Pali shkruan: “Gruaja të dëgjojë në heshtje dhe me nënshtrim të plotë. Nuk lejoj që gruaja të mësojë në Kishë as të sundojë burrin”. Vetëm në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, gjatë papnisë së Shën Palit VI, gratë filluan t’u japin mësim meshtarëve të ardhshëm në universitetet papnore. Edhe në këtë rast, kishim harruar që ishte grua ajo, që u njoftoi e para apostujve Ngjalljen e Krishtit. Ishte Maria Magdalena.

E vërteta do t’ju bëjë të lirë

         E ja, shembulli i fundit: njohja e lirisë së fesë dhe të ndërgjegjes, përveç asaj politike dhe asaj të shprehjes, në mësimet e Kishës pas-konciliare. Një hap i jashtëzakonshëm në krahasim me dokumentet e Papëve të shekullit XIX, si Gregori XVI, i cili në Enciklikën “Mirari vos” i quante këto parime, gabime të helmatisura. Nëse tekstet krahasohen fjalë për fjalë, gjejmë kontradikta të mëdha në to, nuk kemi zhvillim linear. Por kur e lexojmë më mirë Ungjillin, kujtojmë fjalët e Jezusit: “Nëse do ta mbani fjalën time, vërtet do të jeni nxënësit e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë” (Gjn 8,31-32).

Dhimbja e Papëve

         Shenjtorët na kanë ftuar gjithmonë t’i duam Papët, pasi ky është kusht për të ecur të bashkuar në Kishë. Shën Piu X, duke folur para meshtarëve të Bashkimit Apostolik më 1912, pohonte me “shfrimin e një zemre plot dhimbje”: “Duket e pabesueshme dhe është e dhimbshme që ka priftërinj, të cilëve duhet t’u bëhet ky rekomandim, por, fatkeqësisht, në ditët tona, jemi në këtë çast të vështirë e të pakëndshëm kur duhet t’u themi disa meshtarëve: duajeni Papën!”. Gjon Pali II, në Letrën Apostolike “Ecclesia Dei”, në vitin 1988, vërente “me pikëllim të madh” shugurimin e paligjshëm ipeshkvnor dhënë nga imzot Lefebvre, duke kujtuar se “ishte kontradiktor ai nocion i Traditë,s që i kundërvihej Magjisterit të Kishës universale, mbarështues i të cilit është Ipeshkvi i Romës dhe Korpi i Ipeshkvijve. Nuk mund t’i qëndrohet besnik Traditës, duke prishur lidhjen kishtare me atë, të cilit vetë Krishti, përmes Shën Pjetrit Apostull, i ka besuar shërbesën e unitetit në Kishën e tij”. E Benedikti XVI, në Letrën e vitit 2009 mbi çështjen lefebvriane, shprehte të njëjtën dhimbje: “Më erdhi keq për faktin se edhe katolikët, të cilët, në fund të fundit, mund ta kishin ditur më mirë si qëndrojnë punët, menduan se duhej të më godisnin me armiqësinë e atij, që është gati për sulm”. Kush është katolik, jo vetëm që nuk mund të mos e respektojë Papën, por e do fort atë, sepse është Mëkëmbësi i Krishtit.

Thirrje për bashkim: të ecim së bashku drejt Jezusit

Prandaj, besnikëri ndaj Jezusit nuk do të thotë të fiksohemi me ndonjë tekst të shkruar në një epokë të caktuar, gjatë këtyre 2000 viteve histori. I duhet qëndruar besnik popullit të Tij, popullit të Zotit, që ecën i bashkuar drejt Krishtit, së bashku me Mëkëmbësin e Tij në tokë dhe me pasardhësit e apostujve. Siç tha Papa dje, në Engjëllin e Tënzot, në përfundim të Sinodit kushtuar Amazonës:

“Ç’ishte Sinodi? Ishte, siç thotë vetë fjala, një ecje e përbashkët, të përforcuar nga guximi dhe nga ngushëllimet që vijnë prej Zotit. Ecëm duke u parë në sy dhe duke e dëgjuar njëri-tjetrin, sinqerisht, pa i fshehur vështirësitë, duke provuar bukurinë e hapave përpara, të gjithë të bashkuar, për të shërbyer”.

28 tetor 2019, 17:48