Lutja Lutja 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXX të vitit kishtar

Ungjilli i kësaj së diele është marrë nga kapitulli i 18-të i shën Lukës e na mëson se Zotin nuk vjen te ne për ndonjë meritë tonën. Është Ai që na i fal mëkatet e në pranon si bij të vet.

R.SH. - Vatikan

9 Jezusi u tregoi [nxënësve të vet] edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët: 10 ‘Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës. 11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose - si ky tagrambledhës. 12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’ 13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejt qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’ 14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai’”.

Të lutemi së bashku:

Jam edhe unë si fariseu, o Zot:

vij tek Ti e shi sepse

jam në praninë Tënde

e mbaj veten më të madh

se ata, që s’pyesin për Ty,

se ata, që të harrojnë,

se ata, që s’të dëgjojnë,

se ata, që kanë punë të tjera.

 

Prandaj, dua të trajtohem me favore

e me ndonjë privilegj më tepër

ose, të paktën, me ndonjë përjashtim

nga sëmundjet e nga vuajtjet

e nga sprovat e jetës.

 

Por, nganjëherë, e ndiej veten

edhe si tagrambledhësi.

E di se kam bërë keq,

se nuk e meritoj dashurinë Tënde.

E ndiej baltën mbi vete,

jam i vetëdijshëm se të kam tradhtuar,

se s’jam besnik, se kam gabuar.

Nuk kam as guximin

ta ngre kryet, të marr fjalën

e të kërkoj ndonjë gjë.

 

Jam njeri i çuditshëm, o Zot,

pak farise e pak tagrambledhës,

por Ti pranomë sidoqoftë,

vetëm për dashuri, vetëm për mëshirë.

Kur më duket se jam

më i mirë se të tjerët, mbylli veshët.

E kur ndiehem përtokë,

Më ço e më dhuro faljen Tënde.

26 tetor 2019, 08:39