Kërko

Jezusi shëron të gërbulurit Jezusi shëron të gërbulurit 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXVIII të vitit kishtar

Ungjilli i kësaj së diele është marrë nga kapitulli i 17-të i shën Lukës e na tregon si i shëroi Krishti të gërbulurit. Por sa prej tyre u kthyen për ta falenderuar? Le të dëgjojmë Ungjillin:

R.SH. - Vatikan

11 Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile. 12 Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 13 e filluan të bërtasin: ‘Jezus, Mësues, ki dhimbë për ne!’

14 Kur i pa u tha:

‘Shkoni e paraqituni priftërinjve!’

E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. 16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas. 17 Jezusi mori fjalën e tha:

‘Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? 18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 19 Çohu e shko - i tha - feja jote të shpëtoi!’”

Të lutemi së bashku:

Kur e lexoj këtë tregim, o Jezus,

qëndrimi i atyre të nëntëve

më duket krejt i pakuptueshëm:

u shëruan,

u liruan nga sëmundja

që u kishte përçudnuar trupin

dhe i kishte mbajtur larg

nga familja e nga fshati,

nga të dashurit e nga puna.

Si ia bëjnë tani, që u pranuan sërish

në bashkësinë e njerëzve

të harrojnë kaq shpejt

se Ti bëre për ta

një gjest të jashtëzakonshëm?

Si ia bëjnë të kthehen në shtëpi

pa kaluar më parë te Ti

për të shprehur mirënjohje

pa të shfaqur gëzimin e tyre?

Kur lexoj këtë tregim, o Jezus,

më vjen menjëherë dëshira për të gjykuar,

por pastaj, kthehem mbrapsht

e filloj të numëroj gjithë dhuratat

me të cilat e mbush vazhdimisht

këtë jetën time:

mëshira Jote, falja,

Fjala jote, Buka jote,

mijëra takimet që e mbushin me hir

qiellin e ditëve të mia…

E pyes: a s’bëj edhe unë

pikërisht si ata të nëntë?

A s’eci edhe unë pa e kthyer kokën?

A nuk mendoj se më takojnë, posi,

dhuratat e tua të çmuara?

11 tetor 2019, 18:47