Kërko

Shtegtarë nё lutje Shtegtarë nё lutje 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXIX të vitit kishtar 'C'

Ungjilli i kësaj së diele të XXIX të vitit kishtar 'C' është marrë nga kapitulli i 18-të i shën Lukës e na mëson se duhet të lutemi gjithmonë, pa u lodhur.

R.SH. - Vatikan

1 Jezusi u tregoi dishepujve shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. 2 Ai tha: ‘Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e dronte e për njerëz nuk e çante kryet. 3 Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ 4 Por ai s’qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vete më vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kryet, megjithatë, 5 pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore.’’

6 Zotëria vazhdoi: ‘Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! 7 Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? 8 Unë po ju them: do të ngrihet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre!” (Lk 18,1-8)

Të lutemi së bashku:

Jo, Ti nuk do që ne të dyshojmë

për Atin tënd:

për kujdesin që tregon

për çdo lutje tonën,

për dashurinë me të cilën na shoqëron

në çdo ngjarje tonën, të gëzueshme a të trishtuar,

për mëshirën me të cilën e pret

çdo kërkesë për falje.

 

Askush prej nesh nuk mund të thotë

se lutja nuk i është dëgjuar,

se ka pritur më kot,

se Ati Qiellor nuk e ka mbajtur

premtimin e Tij për ndihmë.

 

Ti na kërkon, o Jezus, të besojmë gjithnjë

symbullur,

në dhembshurinë e Atit tënd:

Ai s’ka aspak nevojë

ta bindim

që të veprojë në favorin tonë,

ashtu siç iu desh të bënte vejushës

me gjykatësin e padrejtë.

 

Jo, nuk duhet të kërkojmë ndonjë cen

nga ana e Zotit,

por nga ana jonë.

Në fenë tonë të lëkundshme,

në kërkimin tonë të vazhdueshëm

për shenja e mrekulli,

e tradhtojmë veten e tregojmë se bartim

kaq shumë dyshime,

kaq shumë mëdyshje,

sa na pengojnë

ta lëshojmë krejtësisht e plot besim veten

në duart e tij prej Ati.

19 tetor 2019, 09:43