Kardinali Schönborn Kardinali Schönborn 

Schönborn: të nxitet populli i Zotit për të ecur në udhën e Koncilit II të Vatikanit

Para se të mendohet për forma të reja shërbese, ka shumë rëndësi të përqendrohet vëmendja mbi popullin e Zotit, duke nënvizuar meshtarinë e përbashkët të të gjithë të pagëzuarve. Për këtë flet, në intervistën dhënë Vatican News, kardinali Christoph Schönborn

R. SH. - Vatikan

Sinodi amazonik, që ka arritur tashmë në javën e dytë të punimeve, vijon. Sot u paraqitën relacionet e rretheve të vogla të Asamblesë sinodale, që po reflekton rreth temës “Amazona: udhë të reja për Kishën dhe ekologjinë e gjithanshme”.

E pyetëm kardinalin Christoph Schönborn, kryeipeshkëv i Vjenës, çfarë i intereson më shumë në Sinod?

“Duke qenë evropian e duke mos e njohur Amazonën, më duhet kryesisht të dëgjoj. Dëgjova shumë e u mahnita duke dëgjuar si jetohet në këtë zonë të pafundme të Amazonës”.

Propozimet tuaja për udhët e reja  të Kishës në Amazonë?

“Nuk kam propozime. Erdha të dëgjoj! Por natyrisht më interesojnë propozimet që po bëjnë ipeshkvijtë dhe pjesëmarrësit e tjerë, ardhur nga Amazona, sepse ata e dinë më mirë cilat janë sfidat kryesore baritore. Unë mund të bëj vetëm pyetje, për të kuptuar më mirë. Prandaj bëra tri pyetje. Nëse është e vërtetë se pak a shumë 60% e të krishterëve të zonës kanë kaluar tek pentekostalët, ç’mund të thuhet për ne, katolikët, për ne, Barinjtë e Kishës katolike? Dëgjova të përsëritet shumë herë se kjo prani  është e dëshirueshme, sepse ata janë në fshatra, ndërsa ne, barinjtë,  shkelim vetëm një herë në vit në këto troje të pafundme për t’i vizituar famullitë... Prej këndej, dëgjova të flitet shumë për baritorinë e pranisë, e jo vetëm për vizitën. Pastaj pyetja: ju flisni shumë për viri probati, domethënë, për të shuguruar meshtarë burra, që e kanë provuar jetën, familjen, në fenë e krishterë. Kjo mundësi nuk përjashtohet, nuk ka dogmë që e pengon, por si duhet ta organizojmë? E pastaj pyetja: pse nuk jemi marrë më me ngulm me diakonatin e përhershëm?”.

Në dioqezën tuaj ka shumë diakonë të përhershëm. Besoni se është udhë, që duhet ndjekur edhe në Amazonë?

“Në çdo rast - nëse në disa raste Kisha do të mund t’i lejojë viri probati për të qenë meshtarë - para së gjithash duhet të kalojnë përmes diakonatit. Prej këndej, pyeta: pse nuk janë krijuar diakonë të përhershëm viri probati? Diakonët janë të aftë ta ndihmojnë bashkësinë. Prandaj, para se të flitet për priftërinj viri probati, duhet praktikuar çka bën Kisha që me Koncilin II të Vatikanit me diakonët e përhershëm. Çështje tjetër, është nëse do të ndiqet vërtet rruga për zgjedhjen e priftërinjve të martuar. Mendoj se çështja parësore nuk është ajo e shërbesave, por e popullit të Zotit. Ky është vizioni i madh i Koncilit II të Vatikanit. E admiroj gjithçka dëgjova për praninë e besimtarëve vendas, familjeve, grave - posaçërisht grave -   që e çojnë përpara jetën e bashkësisë së krishterë në vend e, edhe pse nuk kanë shërbesa të posaçme, janë shërbëtorë të popullit të Zotit. Shumë ngulmuan, në Sinod, mbi atë që Koncili II i Vatikanit e quan  meshtaria e përbashkët e gjithë të pagëzuarve: kjo është baza e jetës së krishterë. Prandaj, para se të mendohet për forma të reja të shërbesave, duhet të nxisim një hov të ri në gjirin e popullit të Zotit: atë hov, për të cilin flet Koncili II i Vatikanit”.

Çfarë mendoni për praninë, në rritje, të grupeve ugjillore e pentekostale në Amazonë e çfarë thuhet për këtë në Kishën katolike?

“Disa ngulmuan mbi faktin se e predikojnë Jezu Krishtin shumë drejtpërdrejt. Është fakt se janë shumë të drejtpërdrejtë në kumtim. Sigurisht që predikimi më efikas është jeta e krishterë, por ndjehet nevoja edhe për kumtimin direkt: ‘A Beson ti në Jezu Krishtin? Është, për ty, me të vërtertë Zoti yt?’. Pra, është diçka që duhet dëgjuar prej tyre”.

Përshtypjet tuaja për ecurinë e deritanishme të punimeve: a po realizohet, sipas Jush, një dialog i suksesshëm ndërmjet Kishës dhe instancave të popullsive indigjene?

“Jezusi i kushtoi gjithnjë vëmendje të vegjëlve, vejushës së vogël, të gërbulurit… Papa deshi që ne ta shikonim këtë realitet të Amazonës dhe e bëri këtë në një mënyrë që e gjithë Kisha universale t’i shikonte me sy plot vëmendje këto popuj indigjenë, jetën e tyre, ardhmërinë e tyre e fenë e tyre. Shikoj në këtë, një aftësi të Papës, që më prek thellë”.

18 tetor 2019, 18:33