Pesë të Lumët, që do të shpallen shenjtorë të dielën Pesë të Lumët, që do të shpallen shenjtorë të dielën 

Shpallen shenjt, kardinali Newman, “Mamma Roma” dhe “Nënë Tereza” e Brazilit

Përveç kardinalit Newman, themelues i Oratoriumit të Shën Filip Nerit në Angli, do të jetë edhe shenjtja e parë romane e kujdesit shëndetësor (Mamma Roma), si edhe “Nënë Tereza” e Brazilit, ndërmjet pesë shenjtorëve të rinj, që do të kanonizohen nga Papa Françesku, ditën e diel, 13 tetor, ndërsa në Vatikan, vijon Sinodi për Amazonën.

R.SH. - Vatikan

“Vazhdoni të bëni mirë, edhe nëse nuk e di njeri”: kështu e përmblodhi motër Maria Bernadette Rossoni, postulatore e çështjes së shenjtërimit të nënë Giuseppina Vannini-t, themeluese e Bijave të Shën Kamilit - gjatë takimit me gazetarët në Sallën e Shtypit të Vatikanit – mesazhin e shenjtes së parë romane të shëndetësisë, për të cilën kryeqyteti italian po “vishet për festë”, me nisma të ndryshme përgatitore. E Lumja Vannini, shpjegoi murgesha, “qëndroi pranë të sëmurëve deri në fund të jetës dhe, akoma sot, është për ne nxitje e shkëlqyer për të shprehur këtë veçori: dashurinë e nënës, ëmbëlsinë e nënës ndaj atyre që vuajnë dhe kanë nevojë për kujdesin tonë”.

Lidhur me rolin e grave në Kishë, për të cilin po flitet shumë edhe në Sinodin për Amazonën, rregulltarja braziliane nënvizoi: “Roli i grave në Kishë është i rëndësishëm dhe askush nuk mund t’ua mohojë: pavarësisht nëse njihet apo jo, gruaja ka vendin e saj të pazëvendësueshëm në Kishë dhe në shoqëri”.

Dulce Lopes Pontes

Paolo Villotta, postulatori i çështjes së shenjtërimit të Dulce Lopes Pontes, dëshmoi “gëzimin dhe mirënjohjen e brazilianëve për kanonizimin e një gruaje, që prej kohësh konsiderohet shenjtore e kohës sonë”, aq sa quhet “Nënë Tereza e Brazilit”. “Është rastësi e bukur që kanonizimi bëhet pikërisht gjatë Sinodit për Amazonën”, shtoi postulatori: “Ajo është gruaja e parë e epokës moderne, që shpallet shenjte në Brazil”.

John Henry Newman

Për shenjtorin e parë jo-martir anglez foli atë Ignatius Harrison, përgjegjësi i Oratoriumit të Birmingamit, i cili vuri në dukje se “e gjithë jeta e John Henry Newman ishte kërkimi i vazhdueshëm i shenjtërimit dhe i së vërtetës, jo abstrakte, por në kuadrin e fesë dhe të jetës së krishterë”.

Të dielën, në meshën e orës 10.15, Papa Françesku do të shpallë shenjte edhe dy gra të tjera: motër Maria Teresa Chiramel Mankidiyan, themeluese e Kongregatës së Motrave të Familjes Shenjte, si edhe Margarita Bays, virgjër e Urdhërit të Tretë të Shën Françeskut të Asizit.

11 tetor 2019, 15:05