Kërko

vetrate Chiesa vetrate Chiesa 

Shenjtorët e javës 20 - 27 tetor

Më 20 tetor kremtohet Dita 93-të Misionare Botërore që ka si temë “Të pagëzuar dhe të dërguar”.

R.SH. - Vatikan

E diel 20 tetor, Kisha katolike kremton të Dielën e 29-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 20 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Irenën e Portugalisë, shën Adelinën, shën Maria Bertila Boskardinin e shën Vitalin.  Po më 20 tetor shënohet Dita 93-të Misionare Botërore që ka si temë “Të pagëzuar dhe të dërguar”.

Ungjilli i kësaj së diele nga Luka na tregon lutja e vejushës me shëmbëlltyrën e gjykatësi pandershëm. Vejusha që, për t’i mbrojtur fëmijët, shkon tek gjykatësi i pandershëm e ia nxin jetën, duke i trokitur ditë-natë në portë e duke bërtitur me sa zë që kishte “Dua drejtësi!”. E në fund të fundit e bën t’ia nxjerrë të drejtën në shesh

Të hënën më 21 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Kornelin, shën Orsolinës, shën Çeçilen e shën Gasprin nga Bufalo.  Liturgjia e ditës na kujton se me dashurinë e Zotit është plot toka, thonë leximet e kësaj dite. Paqja që Jezusi sjell mbi dhe nuk është thjesht mungesë lufte, por kërkon t’i pranojmë dallimet e kundërshtitë për t’i pëlqyer Zotit, më shumë se sa njerëzve.

Për shën Kornelin, në Veprat e Apostujve, lexohet: “Në Çezare ishte një njeri me emrin Kornel, kapiten i togës së quajtur “Italike”, njeri i përshpirtshëm, që besonte në Hyjin, si ai, ashtu edhe familja e tij. I ndante popullit shumë lëmoshë dhe vazhdimisht i lutej Hyjit”. Shpirti Shenjt dërgon Pjetrin tek ky njeri, që jetonte me drojën e Zotit. Pas predikimit të Pjetrit, për habinë e të krishterëve, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë të pranishmit në atë shtëpi. Ky fakt e bëri Pjetrin të thoshte: “Vallë, a mund ta ndalojë kush ujin, të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?”

Të martën më 22 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Gjon Palin II, shën Donatin nga Fiezole, e shën Dun Skotin .  Liturgjia e ditës na kujton se të gjithë këta shenjtorë e kërkuan me ngulm fytyrën e Zotit. Kush është i aftë të kuptojë shenjat e kohës di edhe si ta pranojë Krishtin, i cili shfaqet në ngjarjet e vogla e të fshehta të jetës.

Mbetet e paharrueshme thirrja, që Papa Gjon Pali II i drejtoj botës nga froni i Shën Pjetrit, ditën e 22 tetorit të vitit 1978,  kur filloi misionin baritor si Pasardhës i Kreut të Apostujve: “Mos kini frikë! Hapjani dyert Krishtit!”. Krishti kishte hyrë aq shumë në dyert e hapura të zemrës së Karol Wojtilës, sa ai u bë i ngjashëm me Krishtin në vuajtje e në lavdi. 

Të mërkurën më 23 tetor, kalendari përkujton shën Gjon Kapestranin dhe shën Severinin.  Liturgjia e ditës na mëson se për të sjellë fryte në këtë botë duhet të arrijmë maturinë e plotë. E për këtë, është e nevojshme të drejtohemi gjithnjë kah Krishti, për të parë dhuratat, që Zoti i ka dhënë secilit. Françeskani italian Gjon Kapestrani që jetoi ndërmjet shekujve 14-15 shpalli pa u lodhur Ungjillin në Evropën Veriore e Lindore. Gjatë një homelie në Vjenë, tha: «Zakonisht unë fle dy orë ose vetëm një orë. Tani do të më pëlqente të flija e jo të predikoja, por nuk i përkas më vetvetes. Jam i juaji” . Me predikimin e tij synonte të përtërinte moralin e krishterë, të luftonte herezitë e të kundërshtonte kamatën në huadhënie.

Të enjten më 24 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Luigj Guanelën e shën Antonio M. Klaret.  Duke folur për shën Antonio M. Klaretin, me rastin e shenjtërimit, Papa Piu XII tha: “Ishte njeri me shpirt të madh, a thua se kishte lindur për të shuar kundërshtitë. Edhe pse rridhte nga një familje e thjeshtë, shkëlqeu para botës; i përvuajtur si njeri, por me shpirt madhështor; i përkorë në pamje të jashtme, por i zoti të ngjallë respekt tek të fuqishmit e botës; me karakter të fortë, por me ëmbëlsinë e dashur të atij që e njeh rreptësinë e pendesës”.

Të premten më 25 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Krizantin e shën Darion, martirë të shekulli III, shën Gaudencin, të Lumin Karlo Gnocchin. Liturgjia e ditës na kujton se dashuria e Zotit është kërkuese, na tregon Ungjilli i ditës. Edhe shën Palit Apostull, ashtu si të gjithëve, i kërkohet të kundrojë pasurinë e Krishtit, që të mos bëhet kurrë si shërbëtori, që nuk e pret të zotin

Të shtunën më 26 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Dhimitrin, martir. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.

Të dielën e ardhshme më 27 tetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 30-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 27 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Evaristin papë dhe shën Frumencin, apostull i Etiopisë.

20 tetor 2019, 14:55