Kisha e Shën Bartolomeut në ishull Kisha e Shën Bartolomeut në ishull 

Së shpejti do të hapet Muzeu i kujtimit të martirëve të krishterë të shekullit XX-XXI

Në Bazilikën e Shën Bartolomeut, në Romë, në një kriptë të lashtë mesjetare, do të ngrihet muzeu me kujtimet e martirëve të shekullit XX-XXI,

R. SH. - Vatikan

Në Bazilikën e Shën Bartolomeut, që ngrihet në Romë, mbi Ishullin Tiberin, në gjysmën e Trasteverit, lagje ku nisi së pari predikimi i fesë së krishterë e lagje e lashtë hebraike, në një kriptë të lashtë mesjetare, do të ngrihet muzeu me kujtimet e martirëve të shekullit XX-XXI. Njoftimin e jep don Angelo Romano, rektor i Bazilikës, ku u paraqit edhe Raporti i NDKV kushtuar të krishterëve të persekutuar në botë.

“Reliket e ekspozuara në Kishë, janë tepër pak, në krahasim me ato që kemi – tregon don Angelo - prandaj restauruam një kriptë, të cilën do ta shndërrojmë në hapësirë ekspozuese, për t’u vizituar e për të reflektuar”. Sot kujtimet e martirëve ekspozohen në Kishë, në gjashtë altare, që kujtojnë të krishterët e rënë nën dhunën totalitare të komunizmit e nazizmit, martirët e rënë në Amerikë, Azi e Oqeani, në Spanjë e në Meksikë, në Afrikë e vise të tjera, shpesh gjatë kryerjes së misionit. Të pranishme, edhe reliket e martirëve të rënë nën dhunën e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Relikeve të pranishme, do t’u shtohen të tjera

Relikeve të pranishme në Bazilikë, do t’u shtohen të tjera, dhuruar me rastin e paraqitjes së Raportit të ND.K.V. nga don K.A. Jude Raj Ferdinando, rektor i Shenjtërores së Shën Andout të Kolombos, në Sri Lanka: një vitrinë me një biberon, një rruzare, një qiri kushtor, një orë, një shami me lule e një kapuç.

Janë kujtime, që u ruajtën pas atentatit kamikaze dhe masakrës së 21 prillit 2019 në Sri Lanka, gjatë të cilit humbën jetën 258 vetë e më se 500 mbetën të plagosur, ndërsa kremtonin të Dielën e Pashkëve, në tri kisha përplot me besimtarë në Negombo, Batticaloa e Kolombo. Atë Fernando ishte viktimë e dëshmitar pamor i kësaj dhune të tmerrshme.

Bazilika e Shën Bartolomeut, Memorial, me dëshirën e Gjon Palit II

Bazilika e Shën Bartolomeut u bë Memorial i Martirëve të Rinj, pas Jubileut,  me dëshirën e Gjon Palit II. Shpallja u kremtua solemnisht më 12 tetor 2001, në praninë e kardinajve Ruini, Kasper e George, si dhe të Patrikut ortodoks të Rumanisë, Teoctist.

25 tetor 2019, 15:13