Kërko

1570959766854.jpg

Kisha Katolike pasurohet me pesë shenjtorë të rinj, kanonizuar sot nga Papa

Sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku kremtoi meshën për kanonizimin e pesë të Lumëve. Është fjala për John Henry Newman, Giuseppina Vannini, Dulce Lopes Pontes, Margherita Bays e Mariam Thresia Chiramel Mankidiyan. Me Atin e Shenjtë bashkëkremtuan edhe patriarkë, kardinaj e kryeipeshkvij. Të pranishëm, etërit sinodalë, mbledhur në Romë për Sinodin e Ipeshkvijve kushtuar Amazonës.

R.SH. - Vatikan

Një duartrokitje shpërtheu nga mijëra besimtarët e pranishëm në Meshën solemne qё u kremtua sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, nё Vatikan, nё çastin kur Papa Françesku shqiptoi formulën e kanonizimit tё pesë shenjtorëve tё ri, qё janё: kardinali britanik John Henry Newman (1801-1890), themelues i Oratorit të Shën Filip Nerit në Angli; murgesha romake Giuseppina Vannini (1859-1911), bashkëthemeluese e Kongregatës së Bijave tё Shën Kamilit - motrat Kamiliane-; Mary Theresy Chiramel Mankidiyan (1876-1926), indiane, themeluese e Motrave tё Familjes sё Shenjtë tё Thrissurit; Dulce Lopes Pontes (1914-1992), braziliane, e Motrave misionare të Zojёs sё Papërlyer, Nënës së Zotit; Margherita Bays 1815-1879), zvicerane, terciare françeskane.

Gjatë ceremonisë së kanonizimit, biografitë e pesë shenjtorë të rinj, 'petitio' dhe falënderimi u shqiptuan nga prefekti i Kongregatës sё Selisë sё Shenjtë pёr Çështjen e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu:

John Henry Newman

Ndër shenjtërimet e reja, më i prituri ishte pa dyshim, ai i kardinalit Newman. Teologu anglez, i kthyer në katolicizëm nga anglikanizmi, ka qenë një nga nismëtarët e Lëvizjes së Oksfordit për reformimin e Kishës anglikane. Kthimi i tij nga pastor anglikan në meshtar katolik, siç pati kujtuar Benedikti XVI gjatë meshës së lumnimit “ishte pasojë e përvojës mbi të vërtetën e Fjalës së Zotit dhe mbi realitetin objektiv të zbulesës së krishterë ashtu siç transmetohej në Kishë”. Sot, do të thoshim se ai ka qenë një “influencer” (ndikues) i shkëlqyer për Koncilin II të Vatikanit. Shumë nga temat, mbi të cilat reflektoi, u përmendën në diskutimet e etërve të Koncilit, shumë dekada më vonë. Pikërisht për rëndësinë, që ka pasur dhe ka kardinali Newman edhe për britanikët, ishte sot i pranishëm në Romë, Princi i Uellsit, Karli i Anglisë. Pas meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, princi mori pjesë në një pritje në Kolegjin Papnor Urbanian.

Dulce Lopes Pontes

Katër kanonizimet e tjera u përkasin katër grave, njëra prej të cilave laike e të tjerat rregulltare. Spikat figura e motrës braziliane Dulce Lopes Pontes, kandidate e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1988, ndër gratë më të admirueshme të Brazilit të kohës së saj. E të mendosh se Maria Rita – ky emri i murgeshës në shekull – u bë rregulltare për të kryer “akte të vogla dashurie”, sipas shembullit të Shën Terezinës së Krishtit Fëmijë. E njohur për punën e saj në favelat e Alagados e për ndërtimin e një spitali në Bahia, aty ku më parë ishte një pulari, aq e lënë në fatin e vet, sa quhej “Ishulli i minjve”. 10 vite më vonë, aty do të ngrihej spitali i Sh’na Ndout, që tani ka 1500 shtretër dhe është nga më të përparuarit në kurimin e patologjive onkologjike. Në spital e takoi edhe Gjon Pali II, në vitin 1991, kur mushkëritë i funksiononin 30% më pak e mezi arrinte të merrte frymë. Ajo, që e quanin “Nënë Tereza braziliane” vdiq më 13 mars 1992 e rreth saj, për lamtumirën e fundit, u mblodhën qindra njerëz, të varfër e të sëmurë, që ajo i pati ngushëlluar, mjekuar, shëruar e që e nderonin si shenjte.

Giuseppina Vannini

Që sot, është shenjte edhe Giuseppina Vannini, edhe ajo e lumnuar nga shën Gjon Pali II, bashkëthemeluese e Kongregatës së Bijave të Shën Kamilit. Romane, jetime që nga mosha katër vjeç, me shëndet të dobët, ajo iu besua motrave të Urdhrit të Bijave të shën Vincenc de Paolit në Konservatorin Torlonia të Romës. Në moshë të rritur, atë Luigi Tezza e ngarkoi me detyrën për të udhëhequr Terciaret kamiliane, që përkujdeseshin për të sëmurët në spitale. Në kuadrin e kësaj pune, i dha jetë Kongregatës së re, kushtuar shën Kamilit de Lellis, e cila u njoh me vështirësi të mëdha nga Vatikani, por në çastin e vdekjes së shenjtes, më 1911, kamilianet kishin 16 shtëpi në Evropë e në Amerikë e 156 rregulltare me kushte të përjetshme. Trashëgimia kryesore që themeluesja u la motrave të saj është asistenca fizike dhe shpirtërore për të sëmurët, në shtëpi e në spitale. Ashtu si donte Krishti.

Mariam Thresia Chiramel Mankidiyan

 Figurë e spikatur ndër pesë shenjtorët e rinj, edhe rregulltarja indiane Mariam Thresia Chiramel Mankidiyan, që ka jetuar në shekullin XIX. Me origjinë nga shteti indian i Keralas, Mariam Thresia, jo pa vështirësi, arrin të themelojë Kongregatën e Familjes Shenjte të Thissur-it, që i kushtohet kujdesit për më të varfërit, për të mënjanuarit dhe për familjet me probleme. Ashtu si më vonë, Nënë Tereza në Kalkutë, kjo murgeshë, emri i së cilës – Thresia – iu vu në nder të Shën Terezës së Avilës nga familja e saj prej aristokratësh të rënë, e jetoi heroikisht bamirësinë aktive në Indi. Motrat e formuara prej saj, duke filluar nga dy shoqe, që shkuan bashkë me të në të ashtuquajturën “Shtëpia e vetmisë” – bërthama e parë e Kongregatës së ardhshme – e kishin dhe e kanë edhe sot të qartë misionin e tyre: apostullimin në favor të familjes. E rraskapitur, më 8 qershor 1926, Nënë Mariam Thresia dha shpirt, ndërsa në kopshtin e shtëpisë, lulëzuan jashtë sezonit, lule jasemini plot aromë.

Margarita Bays

Shenjtja e fundit, Margarita Bays, është laike zvicerane, terciare françeskane, që zgjodhi si rrugë për të arritur te Zoti, jetën e përditshme të familjes, duke refuzuar gjithmonë hyrjen në një urdhër rregulltar. Jetoi në një familje të vështirë, me probleme të njëpasnjëshme, me të cilat u mor me durim, duke u qëndruar pranë të gjithëve, me fjalë të mira, me shërbim e me lutje. Operuar nga një kancer në zorrë, iu lut Zotit ta shëronte e t’i dhuronte të tjera vuajtje. Hyji e dëgjoi e më 8 dhjetor 1854, ndërsa në Romë, Papa Piu IX shpallte dogmën e Zojës së Papërlyer, ajo u shërua. Margarita lidhet përgjithmonë me figurën e Krishtit të munduar në kryq: mbi duart e saj duken varrët e Krishtit, që ajo i fsheh të mos ia shohin të tjerët, sëmuret papritmas të premten e gjatë Javës së Madhe, provon ekstazën. Dhimbja i shtohet derisa Margarita e dorëzon jetën e vet në duart e Atit Qiellor, më 27 qershor 1879. Ata, që e njihnin dhe e donin, thanë: “Vdiq një shenjte”.

13 tetor 2019, 13:00