Kërko

 Fëmijt filipinas duke thënë rruzraen së bashku Fëmijt filipinas duke thënë rruzraen së bashku 

ND.K.V: Fëmijët thonë rruzaren për paqen dhe meshtarët e zhdukur

Më 18 tetor, në edicionin XIV të “Një milion fëmijë thonë rruzaren”, organizuar nga Fondacioni “Ndihmë për Kishën që Vuan” do të marrin pjesë 80 vende të botës. Në Itali, një lutje e veçantë për atë Pierluigi Maccalli-n, rrëmbyer në Niger, në vitin 2018.

R. SH. - Vatikan

Do t’u kushtohet meshtarëve të vrarë e të rrëmbyer në vende të ndryshme të botës gjatë vitit të kaluar, edicioni XIV i lutjes, titulluar “Një milion fëmijë thonë rruzaren për unitetin dhe paqen”, organizuar nga Fondacioni i së drejtës papnore “Ndihmë për Kishën që Vuan”. Më 18 tetor fëmijët e 18 vendeve të botës, do të bashkohen në lutje në shkolla e në çdo vend, për të thënë lutjen mariane, në emër të paqes.

Lutje edhe për atë Maccalli-n

“Sivjet vendosëm t’u kërkojmë këtyre fëmijëve të luten jo vetëm për paqen në botë! Do të kenë edhe një ndjet të veçantë sivjet: do ta thonë rruzaren edhe për të gjithë meshtarët që, në të katër anët e botës, dhuruan jetën, pësuan dhunë e persekutime, në shumicën e rasteve vetëm e vetëm pse i përkisnin - e i përkasin - Jezusit” - pohon Alessandro Monteduro, drejtor i NDKV Italia. “Ndërmjet tyre - shton - kërkojmë  që në Itali të kujtohet gjatë rruzares, atë Pierluigi Maccalli, i cili prej më se një viti ndodhet në duart e rrëmbyesve, sepse merrej kryesisht me fëmijët në misionin e tij, duke ia kushtuar gjithë jetën shkollimit të të vegjëlve”.

Lutja e fëmijëve arrin tek froni i Zotit

Nisma, që vitin e kaluar i kushtohej Asia Bibit, gruas pakistaneze të dënuar me vdekje për blasfemi e pastaj të liruar, frymëzohet nga fjalët e Shën Piut nga Pietrelecina, që na kujton se “po të luteshin një milion fëmijë së bashku, bota pa dyshim do të ndryshonte”. Ideja - shpjegon akoma Monteduro - lindi në vitin 2005 në atë, që sot njihet nga e gjithë bota si Karakasi, në Venezuelën e shumëvuajtur, ku një grup fëmijësh lutej para shtatores së Zojës. Disa nga gratë e pranishme e ndjenë fort praninë e Marisë e, një prej tyre, kujtoi profecinë e Atë Piut: “Nëse një milion fëmijë do të thonë njëzëri rruzaren, bota do të ndryshojë!”.

Fjalë, që flasin vetë për besimin e patundur në lutjen e fëmijëve.

Vetë Zoti Jezus vijon të na kujtojë: “Nëse nuk do të bëheni si fëmijët, nuk do të mund të hyni në mbretërinë e qiellit!”.

Rruzarja, në 25 gjuhë

Ndihmë për Kishën që Vuan, përmes 23 selive të saj kombëtare - lexohet në një komunikatë - i fton prindërit, mësuesit dhe të gjithë ata, që punojnë në shkolla, foshnjore, spitale, jetimore e kudo mblidhen grupe fëmijësh, ta thonë së bashku rruzaren. E për këtë qëllim, përgatiti edhe një doracak në 25 gjuhë, për t’i ndihmuar fëmijët në lutje.

Urojmë që në këtë nismë të bashkohen dhe zërat e fëmijëve shqiptarë, kudo që janë, me ndjetet e mësipërme, me një shtesë të vogël pas fjalëve profetike të Atë Piut, që të kujton situatën e vështirë: “Nëse shqiptarët e vegjël do ta thonë njëzëri rruzaren, edhe viset shqiptare do të ndryshojnë!”.

15 tetor 2019, 14:25