Zoja e  Këshillit të Mirë Zoja e Këshillit të Mirë 

Nata e festës së Zojës së Shkodrës, Pajtore qiellore e qytetit

Bashkësia katolike e Qytetit të Veriut sonte kremton natën e festës së Pajtores së vet qiellore, Zojës së Shkodrës, siç e quajnë besimtarët e këtij qyteti Zojën e Këshillit të Mirë. Me këtë rast, kujtojmë një poezi të Luigj Gurakuqit, duke ia rikthyer disa nga vargjert e mohuara, kushtuar pikërisht Zojës së Shkodrës!

R. SH. - Vatikan

Bashkësia katolike e Qytetit të Veriut sonte kremton natën e festës së Pajtores së vet qiellore, Zojës së Shkodrës, siç e quajnë besimtarët  e këtij qyteti Zojën e Këshillit të Mirë.

Festa tradicionale e Zojës së Shkodrës, që bie të hënën e parë pas së dielës së tretë të tetorit, kremtohet me Meshë të Shenjta, me lutje  të ndryshme të përshpirtshme, procesione e nisma të tjera fetare e kulturore.

Zgjodhëm për këtë natë të lume, poezinë kushtuar Zojës së Shkodrës, përgjigje që i jep Luigj Gurakuqi poezisë së mirënjohur të Filip Shirokës “Shko dallëndyshë”. Me titullin  “Gég Postrippes - Nji mik nga Shkodra”, u shkrua  më 7 korrik 1898.

Kaloi, gojë më gojë, duke i ruajtur edhe strofat e fundit që, gjatë diktaturës, u shlyen nga të gjitha tekstet. Po populli nuk i harroi dhe vijoi t’ua transmetonte breznive të reja, me nota folklorike. Po e kujtojmë sot,   duke ia kthyer Marisë vargjet që deshën t’i mbulonin me harresë!

Dallëndyshja u kthye

Ti dallndyshën porosite,

Vendin tand me shkue me e pá,

Nepër Shkodër me shetitun,

Mbi vorr t'bab’s e t'nans me kjá,

N' shkoll, n' shpi tande ‘i herë m'u ndalë,

Me miq t' motshëm m'u përfalë.

Erdh njimend, e nepër Shkodër

Shum kërkoi tuj fluturue,

Rrugs, n' livadhe, n' mal e n' kodër,

Me kang t'vet na ka gazmue,

N' fush t' Rrmajit asht ndalue,

E mbi vorre ka vajtue.

Në prendverë ktej porsa mbrrini

Miqve tu i u fal me shndet,

Nepër shkollë, n’për kisha hini,

Me t'a hiek at kasavet,

E n' shpi t' vjetër ku ke le

Ka godit' çerdhen e re.

Por kur kthej, me t'than a diti

Miqt, qytetin, punt si i la?

Para sysh Shqypnin a t' qiti?

A e harroi ndoj send beldà?

A t' kallxoi gjithshka kish pamun?

Si mbi vorre kishte kjamun?

Po prej prindsh ndoj shndet, ndoj fjalë,

Ndoj bekim a t'a ka pru?

Mbi rras' t' tyne kur u ndal,

Ndoj tub' lule a e kish vu?

T' zezat t'ona a t'i kallxoi?

Me kang' t' vet a t'i diftoi?

Shkodrën brengat e kan marrë,

Tjetër s'ndin veç gjamë e ankime,

Ma shpesh shifen se nej par

Gjaksi t' mrapshta e turbullime.

S' ka mbet' gja pa u çoroditë,

Ma fort prangat na jan rritë!

Por ani,  Zojën e kena,

Qi me dije na i shin lott,

Në Tê, na t'vorfnit pshtetun jena,

Na ruen Zoja e na del zot!

Varrën tonë na e ankon

Si bylbyli kur gjimon!

Mir' po shoh se ke shum mall

Për me u gjet' njiher' n' Shqipni.

Ik pra e eja për të gjall

Me miq tu m'u knaq', m'u ngi.

Eja vetë Zojën m'e pa,

Eja vetë n' Rmaj me kja!

18 tetor 2019, 15:58