I Lumi Alfredo Cremonesi  I Lumi Alfredo Cremonesi  

Lumnohet Alfredo Cremonesi, zemër misionari

Një jetë të tërë në shërbim të të afërmit, në anën tjetër të botës, ajo e të Lumit të ri, që u lartua në nderimet e altarit sot, në Crema, ku kish lindur. Në këtë kremtim, Atin e Shenjtë e përfaqësonte Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu.

R. SH. - Vatikan

Ne, misionarët, jemi njerëz të rëndomtë! Po puna jonë është më misteriozja. Të shikosh shpirtrat si kthehen: ç’mrekulli! Më e madhja nga të gjitha mrekullitë!”. Shkruante kështu në ditar, i riu Alfredo Cremonesi, që e konkretizoi thirrjen, duke u nisur për mision në vitin 1925, me një entuziazëm e gjallëri, që nuk do ta humbiste asnjë ditë, gjatë 28 vjetëve të kaluara në toka të largëta, para se të vritej nga urrejtja për fenë, më 7 shkurt 1953.  E pra  udha për të arritur deri në fund të botës, nuk qe aspak e lehtë! Shëndetlig që i mitur, ndoqi seminarin, nga i cili u detyrua të largohej shpesh. Vendosi, atëhere, të merrej me letërsi: nisi të shkruajë poezi. Më pas, edhe një dramë teatrore, me protagonist një misionar. Sepse ëndrra e tij ishte pikërisht kjo: misioni. Po duhej të priste, për ta realizuar.

Devocioni për Shën Terezën e Krishtit Fëmijë

Si çdo i krishterë, Alfredi e kishte një armë sekrete: lutjen, të thellën, të vërtetën, që ia mbushte plot çdo çast të lirë të ditës. Shumë shpejt zbuloi se e kishte edhe një aleate atje lart, në qiell. Shën Terezën e Krishtit Fëmijë! Asaj iu lut, kur ishte i sëmurë me limfatizëm, e ajo e shëroi. Madje e ndihmoi disa herë edhe në Birmani, siç do të dëshmonte ai vetë.

Është interesante të gjesh pikat e përbashkëta ndërmjet Shën Terezës e atë Alfredit - nënvizoi kardinali Becciu - sepse si ajo, ashtu edhe ai, kishin të njëjtin pasion për misionet. E dimë se Shën Tereza qe shpallur pajtore e misioneve: ajo, e mbyllur në një manastir, por me dëshirën e zjarrtë për ta përhapur emrin e Jezusit në mbarë botën! Ai,  në Birmani. Me të njëjtën dëshirë!

Një ëndërr, e quajtur Birmani

Ëndrra nisi në Napoli, më 16 tetor 1925. Alfredi u imbarkua në një anije, që do ta çonte në Birmani. S’kish si të gjente tokë më të largët e më të harruar nga bota. Do të arrinte në Taungngu, për të punuar ndërmjet Karennëve, popullsia e Karianëve të kuq. As që i shkonte nëpër mend atë ças se do të rrinte atje  28 vjet, por e dinte mirë se nuk do të shkelte më në trojet e atdheut. Prandaj, para se të përshëndetej me prindërit, shqiptoi formulën e mirënjohur të misionarit: “Mirupafshim në Parriz!”. E kjo formulë na kujton se misionarët e asokoshëm,  kur niseshin  për vise të largëta, e dinin se nuk do të ktheheshin kurrë më, ose pas shumë e shumë vitesh. Ishin njerëz të Zotit. Besonin. E ia kushtonin me bindje të thellë gjithë jetën kumtimit të Ungjillit. Pa i bërë dredha misionit. Prandaj nëse në Afrikë a në Azi a në vise të tjera gati-gati të panjohura të botës kemi të krishterë, këtë duhet t’ua dimë për nder këtyre njerëzve guximtarë e bujarë njëherësh.

Mjerimi i luftës

Ishte në Birmani gjatë Luftës II Botërore. Atje, kur vendi fitoi pavarësinë. E atje edhe kur nisi ndeshja vëllavrasëse ndërmjet Karianëve e Birmanëve. Kur nuk kish mbetur më asgjë për t’u plaçkitur, iu desh të ikte në pyll, ku forcat qeveritare, që ndiqnin rebelët, ranë në pritë. Atë Cremonesi deshi t’i qetësonte, por ata, plot etje për gjak, të verbuar nga urrejtja e dëshira për të marrë hak sa e si të mundnin, e vranë. Ishte i pari që ra. Sepse i huaj, por sidomos, sepse i krishterë. E goditën në kokë, me tërbim, pastaj ia rrënuan kishën e e përmbysën misionin e tij.

Martir i fesë

Dëshmitarët flasin për dhunë të paparë. E vranë kur po lutej. E mbeti ashtu, i larë në gjak, deri të nesërmen, kur furia gjakatare u qetësua. Atëhere disa besimtarë e morën trupin e tij të martirizuar dhe e varrosën duke i prerë pakëz mjekrrën e një copëz nga këmisha e larë me gjak, për t’ua dërguar prindërve, në Itali, ç’kish mbetur nga biri i tyre, por edhe për ta ruajtur si relike. Po, sepse për ta atë Cremonesi kishte flijuar gjithçka: shpresat e gëzimet, por edhe hidhërimet, dhimbjet e rreziqet.

E tani ai ishte martir e forca e martirëve është aq e fuqishme, sa të njihet menjëherë nga të gjithë, siç theksoi në përfundim të kremtimit Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve:

“Njerëzit i njohin menjëherë priftërinjtë e mirë, murgeshat e mira, laikët e mirë, e posaçe, e dinë mirëfilli kush u kushtohet e u dhurohet i tëri të tjerëve. Cremonesi ishte një prej tyre!”.

 

19 tetor 2019, 16:35