Kërko

Nga e gjithë Evropa në Lampeduzë për të mos harruar tragjedinë e emigrantëve

Ishulli sicilian përkujton viktimat e një prej fatkeqësive më tragjike në Mesdhe, atë të 3 tetorit 2013. Një barkë me 500 vetë mori zjarr dhe u fundos. Gjetën vdekjen 368 migrantë.

R.SH. - Vatikan

Mbërritën nga 20 vende evropiane dhe nga shumë rajone të Italisë. Ndërmjet tyre edhe 200 studentë të cilët, të shoqëruar nga mësuesit dhe të mbijetuarit e asaj nate të tmerrshme, kujtuan sot në ishullin e Lampeduzës, në Sicili, viktimat, që deti i gëlltiti gjashtë vjet më parë, kur një barkë me 500 emigrantë mori zjarr dhe u fundos, duke shkaktuar indinjatën e gjithë botës.

Kremtimet filluan pikërisht në orën 3.30 të mëngjesit, koha kur barka u përfshi nga flakët. Pastaj, marrshimi drejt Portës së Evropës dhe një çast heshtjeje e kujtimi. Pasdite, u përurua një pllakë përkujtimore kushtuar “Të drejtëve”, atyre që nuk e kthejnë kryet anash para gjendjeve të vështira e kërkesës për ndihmë. Pikërisht për të kujtuar tragjedinë e gjashtë viteve më parë, 3 tetori është tashmë “Dita e Kujtimit dhe e Mikpritjes” në gjithë Evropën.

Të njihemi e të ndihemi evropianë

         Në Lampeduzë sot ishin të pranishëm edhe politikanë e shoqata, me bilancet e fjalimet e tyre, por edhe njerëz, që gjashtë vite më parë humbën dikë në atë tragjedi, kush fëmijët, kur bashkëshortin, kush një mik. Këtyre nuk u interesonin bilancet, por pa dyshim, ishin të gatshëm të ndihmonin të rinjtë, në laboratoret formuese të organizuara këtë vit, që të kuptojnë se e vetmja rrugë për të përballuar fenomenin e emigracionit është njohja e tij dhe përcaktimi i politikave afatgjata në favor të të ardhurve e të atyre, që kanë lënë pas.

Migrantët, simbol i të mënjanuarve

         Gjashtë vite pas vizitës së në ishullin e Lampeduzës, e para e papnisë së tij, Papa Françesku kremtoi, si zakonisht, meshën në Vatikan, korrikun e kaluar, duke shqiptuar fjalë prekëse e duke denoncuar globalizimin e indiferencës

         “Janë njerëz – tha Ati i Shenjtë për emigrantët – nuk është fjala vetëm për çështje shoqërore apo migratore! Nuk është fjala vetëm për migrantë, në kuptimin e dyfishtë: emigrantët janë para së gjithash njerëz e sot, janë simbol i gjithë të mënjanuarve të shoqërisë së globalizuar”.

Motër Paola dhe emigrantët, që kërkonin ngushëllim shpirtëror

         Që prej 5 vitesh, motrat e Kongregatës së varfanjakeve të don Morinello-s ndihmojnë të sapombërriturit në Lampeduzë. Mision i filluar më 2014, një vit pas tragjedisë së tmerrshme e pas vizitës së Papës Françesku, i cili pati kërkuar praninë e murgeshave në vend, pasi pati vërejtur se ato mungonin. Në mikrofonin tonë, motër Paola Agheorghiesei përshkruan takimin e parë me emigrantët, që prekin ishullin, pas një udhëtimi të vështirë në det, në kushte çnjerëzore:

         “Kur jemi në mol, kur shkojmë në qendrën e pritjes, kur takojmë migrantët në rrugë, kur i ftojmë në kishë për t’u dhënë diçka, të shohin me sy të frikësuar, janë të vuajtur, të tmerruar, por sidomos, të vetmuar. E atëherë, me të vërtetë, ndien nevojën për t’u treguar e njerëzishme me ta. Ne shpërndajmë veshje, veprojmë si ndërmjetësuese me banorët e ishullit dhe me bashkësitë tona, me turistët e shumtë, me grupet e vullnetarëve.

         Më ka mallëngjyer shumë një episod, që e mbaj fort në zemër. Kur migrantët vinin në këtë dhomë të vogël të Karitasit për të kërkuar diçka, para se të shikonin për ndonjë veshje, të krishterët na kërkonin Biblën në gjuhën e tyre, në anglisht ose frëngjisht, dhe rruzaren. Dikush gjunjëzohej, sepse donte që t’ia vendosnim rruzaren rreth qafës dhe të luteshim me Biblën mbi kryet e tij. Mendonim se nuk ishim as të denja ta bënim diçka të tillë.

Një episod tjetër ka të bëjë me përvjetorin e parë të vizitës së Papës në Lampeduzë. Ishim në mol e, brenda pak orëve, erdhën më se një mijë emigrantë e akoma vijonin të vinin. Ne shpërndanim ujë, në mes të të nxehtit e të lodhjes së njerëzve, së bashku me diçka për të ngrënë… atë që kishim. Uji nën diellin përvëlues, pas pak kohe, u bë i ngrohtë e, edhe atmosfera u bë e padurueshme. Ushtarët na thanë të largoheshim. Por, në vend që të dilnim nga dhoma ku ishim, hipëm nëpër shkëmbijtë e skelës dhe vazhduam të shpërndanim gota me ujë. Pas pak kohe, vura re që nuk më kërkonin më ujë, por shtrinin duart drejt kryqit, që mbaja në qafë. Kur unë përkulesha për t’u dhënë ujin, edhe kryqi u afrohej, prandaj, thashë: mjaft, duhet të organizohemi për të sjellë këto objekte fetare, që janë shenjë e pranisë, e bekimit të Zotit.

Edhe diçka tjetër. Këtë vit, për Pashkë, më telefonoi një meshtar nga Reggio Emilia: katër djem, që patën kaluar nga Lampeduza, të gjithë myslimanë, kishin kërkuar të pagëzoheshin e i kishin thënë priftit: ‘Thirreni motrën, sepse është edhe ‘faji’ i saj nëse duam të bëhemi të krishterë, është falë asaj Biblës, që ajo nuk na e mohoi kur ia kërkuam’”.

03 tetor 2019, 11:19