Kërko

Procesioni i Zojës së Shkodrës Procesioni i Zojës së Shkodrës 

Kremtimi i festës së Zojës së Shkodrës

U kremtua me meshë, lutje e fishekzjarre festa e Zojës së Shkodrës, veçanërisht e dashur për banorët e qytetit verior të Shqipërisë, vatër e katolicizmit.

R.SH. - Vatikan

Që të shtunën, besimtarët mbushën rrugët e qytetit të zbukuruar për festë, duke marrë pjesë në procesionin tradicional. Mbrëmë, në orën 18.00, mesha e vigjiljes, e kryesuar nga imzot George Frendo, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, kurorëzuar me një program artistik dhe me fishekzjarret, që gëzuan të vegjël e të mëdhenj, ndërsa sot, në orën 10.00, mesha e ditës së festës, kremtuar nga kryeipeshkvi metropolit, imzot Angelo Massafra. Gjatë homelisë, ai u kujtoi shkodranëve afërsinë e tyre me Nënën e Krishtit, të cilën e ndiejnë si nënën e tyre. “Në vështrimin e saj plot dashuri u drejtuan sytë e martirëve tanë në çastin suprem të martirizmit. Aty janë drejtuar edhe sytë e besimtarëve gjatë diktaturës”, u kujtoi besimtarëve imzot Massafra.

         Nga ana tjetër, duke reflektuar mbi çastin aktual, që po kalon shoqëria shqiptare, kryeipeshkvi metropolit i Shkodrës u bëri thirrje edhe të gjithë drejtuesve e atyre, që kanë përgjegjësi për qytetin. Fjalë, që vlejnë për gjithë politikanët e Shqipërisë. “Të kesh përgjegjësi – nënvizoi ai – nuk është krenari, por duhet të kujdesesh për të mirën e përbashkët me gjithë vështirësitë, që rrjedhin nga një gjë e tillë. Të favorizohet më shumë bashkëpërgjegjësia e qytetarëve në mbarështimin e punëve publike, duke shmangur rrezikun e interesave private, që nuk ndihmojnë zhvillimin e vërtetë të një shoqërie”. Së fundi, ai tha fjalë ngushëllimi për të sëmurët e për të gjithë ata që, në travajë, i kthejnë sytë kah Zoja e tyre e Shkodrës.

         Tema e varfërive të sotme u kap mbrëmë edhe nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo. “Të mos jemi indiferentë para vuajtjeve të të varfërve – nënvizoi ai. – Kjo shoqëri po bëhet gjithnjë e më anonime. Jemi para rrezikut të globalizimit të indiferencës dhe, siç thotë Maria, nuk duhet të biem kurrë pre e indiferencës, para vuajtjeve të shoqërisë”.

         Sot pasdite, në ambientet e famullisë, pranë katedrales së Shën Shtjefnit, u përurua një bibliotekë kushtuar Zojës, dhuratë për të gjithë qytetarët e Shkodrës.

21 tetor 2019, 15:43