Kërko

2019.10.07 Ccee Santiago de Compostella 2019.10.07 Ccee Santiago de Compostella 

Kishat në Evropë: mesazhi i ipeshkvijve të CCEE-së "si roje të mëngjesit, themi me forcë: zgjohu, Evropë!”

"Si rojtarë të mëngjesit, vigjilentë dhe gati për të treguar agimin e ditës së re, duam t'i japim një mesazh shprese Evropës në ankth dhe të themi me forcë: zgjohu, Evropë!". Ky është mesazhi që ipeshkvijtë evropianë të mbledhur këtyre ditëve në Santiago de Compostela, në Spanjë, ku ishte i pranishëm edhe imzot Frendo.

R.SH. - Vatikan

"Si rojtarë të mëngjesit, vigjilentë dhe gati për të treguar agimin e ditës së re, duam t'i japim një mesazh shprese Evropës në ankth dhe të themi me forcë: zgjohu, Evropë!". Ky është mesazhi që ipeshkvijtë evropianë të mbledhur këtyre ditëve në Santiago de Compostela, në Spanjë, në Asamblenë plenare vjetore të Këshillit të Konferencave Episkopale Katolike të Evropës (CCEE) që u zhvillua nga data 3 deri në 6 tetor 2019, me temën “Evropë, koha e zgjimit? Shenjat e Shpresës ”, ia drejtojnë Kontinentit të Vjetër. Në këtë Asamble ishte i pranishëm edhe Kryetari i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot George Frendo.

Këtyre ditëve, nga 3 deri më 6 tetor, presidentët e Konferencave episkopale katolike evropiane reflektuan mbi temën "Evropë, koha e zgjimit? Shenjat e shpresës”. Ipeshkvijtë e Kishave katolike të Evropës u diskutuan, në veçanti, mbi "kontradiktat" kryesore që po kalon kontinenti vjetër, ndërmjet "dëshirës për Zotin dhe brishtësisë që ka jeta e krishterë"; ndërmjet "dëshirës për jetën ungjillore, dhe dobësitë njerëzore e kishtare "; ndërmjet "dëshirës për shenjtëri dhe dëshmisë për jetën";  ndërmjet "dëshirës për të drejtat universale të njeriut dhe humbjes së respektit për dinjitetin njerëzor”.

Ipeshkvijtë e Kishave katolike të Evropës reflektuan mbi pyetjet ekzistenciale që qëndrojnë thellë në zemrën e njeriut dhe nuk zhduken kurrë, edhe pse errësohen nga rezultatet materiale. Në përfundim të asamblesë së Santiago de Compostella , porosia e ipeshkvijve evropian është ftesë për t’i parë "në historinë dhe traditat e ndryshme, në sfida të vjetra e të reja" shenjat e Shpresës të pranishme në Evropë, duke filluar me shenjtorët dhe martirët, të cilët na " inkurajojnë dhe kumtojnë të ardhmen". 

Po mbi Asamblenë plenare vjetore të Këshillit të Konferencave Episkopale Katolike të Evropës (CCEE) ta dëgjojmë Kryetarin e Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot George Frendon në mikrofonin e Elidon Dodaj nga Tirana.....

Ta dëgjojmë Kryetarin e Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot George Frendon në mikrofonin e Elidon Dodaj
09 tetor 2019, 15:52