Rëndohet situata në veri të Sirisë Rëndohet situata në veri të Sirisë 

Siria: rëndohet situata humanitare në veri të vendit.

Bashkësia ndërkombëtare studion kundërmasat për t’i ndaluar sulmet e Turqisë në veri-lindje të Sirisë. Si Evropa, ashtu edhe SHBA-të i kërkojnë Ankarasë të rikthehet në tryezën e dialogut, ndërsa operacionet ushtarake, që vijojnë prej një jave, po shkaktojnë rëndimin serioz të situatës humanitare.

R. SH. - Vatikan

Evropa shkon drejt bllokimit të eksportimit të armatimeve nga Turqia. Nisma është e Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Përtej oqeanit, presidenti amerikan Donald Trump flet për masa ndëshkimore kundër Ankarasë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë dërgoi zëvendës-presidentin Mike Pence në vend, për të zhvilluar bisedime lidhur me ndalimin e menjëhershëm të zjarrit. Ndërkaq përparimi i trupave turke vijon, duke kërcënuar qytetin  Kobane, prej nga  trupat amerikane u larguan vetëm pak ditë më parë. Në sfond ndjehet fort frika e rifillimit të aksioneve terroristike nga ana e 800 xhihadistëve të ikur nga burgjet kurde. Së fundi, në frontin  humanitar, Unicefi jep alarmin mbi gjendjen dramatike të të vegjëlve. Flitet për mundësinë e reagimit të Sirisë, mbështetur nga Rusia, kundër forcave turke.

Karitasi, në vijën e parë të frontit për të ndihmuar popullsinë siriane

Janë rreth 150 civilët e ngujuar në zonën kufitare, nën goditjen e forcave turke, të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Numri i të ikurve vijon të rritet çdo çast. E gjithë kjo ndodh në një Siri që, pas 9 vjet lufte, numëron rreth 11 milionë të shpërngulur të brendshëm e refugjatë. Po aq janë edhe njerëzit në pritje të ndihmave humanitare.  Vetëm në verilindje të vendit,  goditur nga kjo krizë e re, numërohen një milion vetë, që jetojë në kushte jashtëzakonisht të vështira, në atmosferën e ndeshsjes së përditshme të jetës me vdekjen. Rrjeti i Karitasit është aktivizuar menjëherë. Posaçërisht Karitasi Siria, i mbështetur nga Karitasi Italian dhe karitaset e tjera të jashtme, po krijon disa strehë asistence për të shpërngurit, që vijojnë të dynden gjithnjë më të shumtë në zonën e Hassake. Karitasi u bën thirrje të gjitha autoriteteve t’i mbrojnë civilët e të sigurojnë kushtet, që lejojnë hyrjen e sigurtë e pa pengesa të ndihmave humanitare.

Kisha, gjithnjë pranë dramës së sirianëve

Pas thirrjes së Papës gjatë lutjes së fundit të Engjëllit të Tënzot të së dielës, në të cilën Françesku i nxiti palët në konflikt ta zgjidhin çdo lloj mosmarrëveshjeje me dialog të sinqertë, të ndershëm e transparent, Kishat vendase po e bëjnë gjithnjë më shumë të vetën dramën e njerëzve që jetojnë nën breshër bombash. Të ndjekim dëshminë e imzot Jan Clement Janbart, kryeipeshkëv greko-melkit i Halebit:

“U shqetësuam shumë, kur na njoftuan për sulmin turk mbi kufijtë tanë. Shqetësim për gjithë sirianët e, posaçërisht, për të krishterët, sepse vendi ynë e edhe mbarë rajoni, vijon të jetë i pushtuar që prej katër shekujsh. Dje jetuam një ngjarje të re: hyrjen e ushtrisë siriane në Hassaké, qytet që ndodhet në mes të zonës së pushtuar nga kurdët. Duhet kujtuar edhe  kompromisi ndërmjet kurdëve dhe qeverisë së Damaskut, por duke pritur  24-48 orët e ardhshme, për të kuptuar nëse marrëveshja është e qëndrueshme. Shpresojmë se më në fund të gjithë sirianët do të bashkohen  për ta çliruar vendin e për t’ua siguruar lirinë të gjithëve: kristianëve, kurdëve e myslimanëve, që të mund të rikthehen e të jetojnë në këtë vend, ashtu si jetonin para se të merrnin rrugën e vështirë të mërgimit. Të gjithë së bashku e me atë siguri, që mungon krejtësisht vitet e fundit. Shumë e dëshiruar, kjo siguri!”.

15 tetor 2019, 16:02