Kërko

Vatican News
Giudizio Universale, Michelangelo Buonarroti, cappella sistina Giudizio Universale, Michelangelo Buonarroti, cappella sistina 

Festat 1 e 2 nëntorit: kuptimi jetës në bashkimin e plotë me Zotin

Ditët e para të nëntorit, kur kremtojmë festën e të Gjithë Shenjtorëve dhe përkujtojmë të Gjithë Besimtarët e vdekur, Kisha na fton ta lartojmë sytë, ta çajmë e të depërtojmë qiellin e mbyllur përmbi kokat tona e të shikojmë përtej tij. Jeta na është dhuruar për të kërkuar Zotin, Vdekja për ta gjetur, Amshimi për ta shijuar për gjithmonë.

R.SH. - Vatikan

Ditët e para të nëntorit, kur kremtojmë festën e të Gjithë Shenjtorëve dhe përkujtojmë të Gjithë Besimtarët e vdekur, Kisha na fton ta lartojmë sytë, ta çajmë e të depërtojmë qiellin e mbyllur përmbi kokat tona e të shikojmë përtej tij.

Të kundrojmë bashkësinë e të shëlbuarve, të shenjtorëve, të gjallë me Zotin; t’a ndjejmë praninë e tyre e bashkimin e tyre me ne, në shtegtim. Ta shprehim lidhjen tonë shpirtërore me të vdekurit, me kujtim, lutje, shpresë. Dhurata e Zotit nuk është thjesht premtimi për jetë më të mirë në këtë botë, por kumti se kuptimi i fundit i jetës sonë është përtej kufijve të kësaj bote, në bashkimin e plotë me Zotin, që e presim në fundin e kohëve.

Përmes dy kremtimeve të 1 2 nëntorit, Kisha, shtegtare mbi tokë na fton të jetojmë dhe të shprehim, përmes Liturgjisë Shenjte, hallkën shpirtërore që na bashkon me Kishën qiellore, në Amshim më Hyjin. Kremtimet fetare të këtyre ditëve të para të nëntorit, pra, na ndihmojnë të thellojmë dy nga të vërtetat themelore të fesë së krishterë, që besojmë: “Shoqërinë e Shenjtërve dhe të ngjallurit e korpit”.

Po kujtojmë se festa e të Gjithë Shenjtërve u përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VII, për t’i kujtuar tërë të krishterëve thirrjen e tyre: të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, të synojnë shenjtërinë e të kenë si ideal, përsosurinë. E rrugët e shenjtërisë së jetës së çdo njeriu janë të panumërta, në përkim me thirrjen e secilit besimtar, ndërsa vetë shenjtëria është masa më e lartë e jetës për çdo të krishterë.

Jeta na është dhuruar për të kërkuar Zotin,
Vdekja për ta gjetur,
Amshimi për ta shijuar për gjithmonë.

Mbi festën e Gjithë Shenjtorëve e Përkujtimin e të Gjithë besimtarëve të vdekur, të dëgjojmë imzot George Frendo në bisedë me dom David Gjugjën...

Të dëgjojmë imzot George Frendo në bisedë me dom David Gjugjën..
31 tetor 2019, 16:54