Romë, simpozium kushtuar dialogut ndërfetar Romë, simpozium kushtuar dialogut ndërfetar 

Dita e dilalogut kristiano-islamik: Cei: nga dyshimi, tek besimi

Në Itali kremtohet Dita e 18-të e dialogut kristiano-islamik, rast për të vijuar një dialog gjithnjë më të thelluar, në dritën e takimeve të Asizit e të Dokumentit kushtuar Vëllazërimit Njerëzor.

R. SH. - Vatikan

I kushtohet vëllazërimit njerëzor, Dita e dialogut kristiano-islamik, që kremtohet këtë të diel në Itali. Nisma ndërfetare, sivjet e 18-ta, mori një shtytje të re pas nënshkrimit, shkurtin e kaluar, në Adu Dabi, të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor dhe Bashkëjetesën paqësore, nga ana e Papës Françesku dhe Imamit  të madh të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyeb. E nisur më 2001, pas ngjarjeve tragjike  të 11 shtatorit, Dita, me kalimin e kohës, e ka bërë gjithnjë më të ndjeshme nevojën e dialogut të thelluar, që synon  ta davaritë frikën e t’i zhdukë ndenjat ksenofobe, duke e parandaluar dhunën e radikalizmin. Me parullën “Nuk ka ardhmëri, pa vëllazërim e solidarietet”, në program janë një mori nismash, sot e nesër, në Vicenza, Chiavari, Torino, Verona, Faenza e në shumë qytete të tjera italiane,

Nga Asizi, në Abu Dabi

“Pas 4 shkurtit, kur u nënshkrua Dokumenti i Abu Dabit, Dita mori shtytje të re. E lindur pas shembjes së Kullave Binjake, për të u zgjodh një datë simbolike: 27 tetori 1986, kur Shën Gjon Pali II pati thirrur, në Asizi,  liderët e feve të mbarë botës. Me atë rast zëri i të gjitha feve u lartua drejt qiellit, për t’i kërkuar Zotit paqen. U dëshmua, kështu, se të gjitha fetë mund të jenë gurrë e dialogut, të afta për t’i kushtëzuar të gjitha proceset kulturore, të pranishme në shoqëritë tona. E pikërisht për këtë ka më shumë nevojë bota!

Ditë e re, domethënie e re

Në kohën kur lartohen mure të reja e perde të reja të hekurta, të krishterë e myslimanë kërkojnë, së bashku, t’i japin Ditës një domethënie të re, simbolike, të fortë, duke treguar se Italia, Evropa, mbarë bota kanë nevojë për shenja konkrete. Papa dhe Imami kërkojnë shenja konkrete. E reflektimet për fenë, për lirinë fetare, për nevojën e hapësirave, që secili të mund  të lutet e ta jetojë përvojën e tij fetare janë fakte, pa të cilat nuk mund të flitet për vëllazërim!  

26 tetor 2019, 16:22