Kërko

 Beata Marie Tuci martire albanese Beata Marie Tuci martire albanese  

Dioqeza e Rrëshenit përkujton të Lumen mirditore Marie Tuci, martire

Kisha dioqezane e Rrëshenit përkujton të Lumen mirditore Marie Tuci përmes Lutjes solemne të Mbrëmësores, më 24 tetor 2019 në orën 17.00 në Katedralen e Rrëshenit.

R.SH. - Vatikan

Më 24 tetor, përkujtojmë të Lumen Marie Tuci, martire. Kjo martire e fesë së krishterë, në periudhën e regjimit komunist në Shqipëri, Marie Tuci përkujtohet sot në 69-vjetorin e vdekjes edhe nga vendlindja saj,  Kisha dioqezane e Rrëshenit të Mirditës, ku në Kishën Katedrale, në ora 17.00, kremtohet Lutja solemne e Mbrëmësores, udhëhequr nga ipeshkvi i kësaj dioqeze, imzot Gjergj Meta.

“Nuk është një përkujtim akademik – njofton ipeshkvi i Rrëshenit imzot Gjergj Meta - as një qokë e rastit, por një moment lutje dhe reflektimi rreth dëshmisë së kësaj martireje të fesë tonë”. “E Lumja Marie Tuci – shkruan akoma imzot Gjergj Meta - ka lindur jo larg prej këtu, në Ndërfushaz, ku ende janë të afërmit e saj. Ftesa ime është, nëse e ndjen dhe ke dëshirë të lutesh për veten dhe familjen tënde duke ju drejtuar Zotit përmes së Lumes Marie Tuci, eja në Katedrale. Lutja dhe përshpirtja janë instrumenta që nuk janë fort të "përdorura" në ditët e sotshme për të përkujtuar njerëz që kanë mbetur në historinë shpirtërore të një populli. Ndaj nëse mundesh ndalu pak e lutju Zotit për dhe me Marie Tucin ashtu si ta thotë zemra jote edhe nëse nuk vjen në Katedrale”, thotë Imzot Gjergj Meta.

Ajo e Marie Tucit qe një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash pafund, por edhe një jetë që pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, nderit dhe besimit në Krishtin Shpëtimtar. Ajo donte të behej murgeshë, t'i përkushtohej gjithë jetën Zotit e popullit të vet të dashur shqiptar, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën me të egër të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës.

Martirja mirditore e Lumja Marie Tuci është një shembull që na mëson t’i themi po së mirës dhe të refuzojmë të keqen. Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci ka transmetuar fuqinë e fesë duke shndritur ndërgjegjet e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin e Gjallë dhe me dashurinë për kulturën e jetës. Kujtojmë se Marie Tuci është e vetmja femër që gjendet deri më tani, në listën e martirëve shqiptarë, 38 prej të cilëve u shpallen të Lum në Kishën Katedrale të Shkodrës, më 5 nëntor 2016.

Mbi figurën e së Lumes Marie Tucit, martire, dëshmitare të fesë dhe të kulturës së jetës, flasim me ipeshkvin Rrëshenit imzot Gjergj Meta, i cili ndalet e figura frymëzuese e kësaj martire duke pohuar se e Lumja Marie Tuci, në Mirditë, ka një rëndësi dhe një vend të veçantë, ajo mes shumë tjerash, na mëson të përqafojmë të mirën e të refuzojmë të keqen, po ta dëgjojmë në mikrofonin e dom David Gjugjës....

Imzot Gjergj Meta flet mbi figurën e martires të Lumes Marie Tuci
24 tetor 2019, 12:19