Kërko

 Papa takohet me Presidencën e Comece Papa takohet me Presidencën e Comece 

Comece: Brexit, edhe në Komisionin e episkopateve UE. Anglia dhe Skocia, vëzhgues, pa të drejtë vote

Era e Breksit po fryn edhe brenda Comece-s, Komisionit të Konferencave ipeshkvnore të Bashkimit Evropian.

R. SH. - Vatikan

Era e Breksit po fryn edhe brenda Comece-s, Komisionit të Konferencave ipeshkvnore të Bashkimit Evropian. Në Asamblenë plenare, që përfundoi sot, ipeshkvijtë delegatë të Anglisë e të Skocisë ishin të pranishëm, por me statusin e vëzhguesit, pa të drejtë vote. Situatë, që u bë e nevojshme, pas referendumit e që  u shkaktoi ipeshkvijve të gjithë BE-së, dhimbje të thellë - sipas fjalëve të thëna për agjencinë Sir nga don Manuel Barrios Prieto, sekretar i përgjithshëm i Comece.

“Por perceptohet edhe fakti - shton - se dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian është një kritikë e qartë, që i bëhet institucioneve evropiane. Ta shikojmë, prandaj, Brexit me respektin që i takon, si dëshirë e shprehur nga vetë populli britanik. E pranojmë me dhimbje, të sigurt se që sot do të bëhemi të gjithë më të varfër. Por pa e humbur besimin se është edhe thirrje, që i drejtohet Bashkimit Evropian, i cili duhet të bëjë shumë më tepër”.  

40 vjetori i Comece

Don Barrios Prieto kujton se vitin e ardhshëm Comece do të kremtojë një përvjetor të rëndësishëm, 40-vjetorin e themelimit. “Do të festohet ky përvjetor i rëndësishëm jo aq për të kremtuar, sa për të kujtuar, duke menduar detyrën që mund të ketë prania  kaq  cilësore e Kishës katolike këtu, në Bruksel e edhe për t’i dhënë shtytje të re, profetike, Evropës, projektit evropian, Bashkimit Evropian.

Fjala “profeci”, në asamble

Kjo fjala “profeci” u dëgjua shpesh këto ditë në asamble. Nga Comece arrin miratimi i parë për Komisionin e ri evropian, me në krye Ursula von der Leyen.

“Vijat udhëheqëse, që paraqiti Komisioni i ri - pohon sekretari i përgjithshëm i Comece – janë në rrugë të drejtë: impenjimi ekologjik, vlerësimi i të rinjve, demokracia, afërsia e institucioneve me njerëzit, qytetarët e Evropës. Është shumë e rëndësishme gjithçka mund të bëhet për një Evropë të fortë, që mbron vlerat evropiane në rrethana gjeopolitike të vështira, ku ka aktorë me vlera të ndryshme. Prej këndej mund të thuhet se jetojmë në një çast të rëndësishëm, me sfida të mëdha. Komisioni evropian dhe institucionet evropiane duhet ta bëjnë mirë punën e tyre, që të fitojnë besimin e njerëzve! Comece ka një funksion, që mund ta shprehim shkurtimisht me tri folje: të shoqërojë, të dialogojë, por edhe të ketë zë profetik për këto troje”.

25 tetor 2019, 14:36