Kthimi i Shën Palit në udhën e Damaskut Kthimi i Shën Palit në udhën e Damaskut 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Veprat e Apostujve – uragani shën Pal

Në librin e Veprave të Apostujve, shkruar nga shën Luka ungjilltar, idealizohet imazhi i bashkësisë së parë të krishterë, siç shpjeguam të enjten e kaluar. Por, jo më pak, idealizohen edhe ata, që e udhëheqin këtë bashkësi, pra, apostujt. Jezusi nuk është më, Ai që ua mbyllte gojën skribëve dhe farisenjve e që bënte mrekulli të padëgjuara, por në skenë dalin peshkatarët e Galilesë, të cilët, me mrekullitë dhe predikimin e tyre, duket se s’kanë as frikë e as dyshime. Komenti ynë, si gjithnjë, ndjek librin “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Peshkatarët e frikësuar, përshkruar në Ungjijtë, nuk janë më të tillë. Shpirti Shenjt i ka shndërruar në lajmëtarë të fuqishëm të Lajmit të Mirë e shën Luka vë në dukje virtytet e tyre të jashtëzakonshme: sinqeritetin në predikimin e Ungjillit; urtinë në interpretimin e Shkrimit Shenjt; fuqinë e mrekullive të tyre; forcën e mendimit gjatë debateve e proceseve; qëndresën në persekutime.

Shtjefni diakon dhe Filipi ungjilltar

         Luka dëshiron që njerëzit, të cilët lexojnë Veprat e Apostujve, të mrekullohen para këtyre lajmëtarëve, por ta kuptojnë edhe se nuk është fjala vetëm për të Dymbëdhjetët, prandaj, paraqet figurën e shën Shtjefnit diakon dhe të Filipit ungjilltar (i quajtur kështu jo sepse shkroi ndonjë Ungjill, por sepse jeta e tij dhe ajo e katër vajzave të tij profetesha ishte kthyer në kumtim ungjillor).

         Këta të dy janë protagonistët e kapitullit 6, i cili fillon me fjalimin e Shtjefnit, më i gjati i krejt librit, fjalim, të cilit askush nuk i reziston dot e, për të cilin do të martirizohet, e vijon me predikimin befasues të Filipit, që ia arrin aty ku edhe vetë Jezusi nuk kishte arritur dot: të kthente samaritanët.

Mbërrin shën Pali, në kapitullin 9

         Në kapitullin 9 ndeshemi me një kthesë të jashtëzakonshme, me një uragan, që përplaset mbi Kishën e re të krishterë: Sauli bëhet Pal! Në Veprat e Apostujve, kthimi i shën Palit apostull tregohet tri herë, si për të thënë se ky njeri i ashpër, zemërak, i paepur, pa kompromise, e ka ndryshuar krishterimin më shumë se kushdo tjetër.

         Shkencëtarët e quajnë “singularitet” një ngjarje të tillë: një pikë në hapësirë-kohë, ku disa vlera, që priren drejt infinitit, e bëjnë të pamundur përdorimin e ligjeve standarte dhe kërkojnë ligje më të ndërlikuara. E shën Luka, për të shpjeguar ç’i ndodhi burrit nga Tarsis, paraqet në libër “singularitetin e Damaskut”, ku ligje më të ndërlikuara, që priren drejt Infinitit, pra, drejt Zotit të amshuar, e shndërrojnë persekutorin më mizor të të krishterëve në apostullin më të flaktë.

         Të gjithë e njohim tregimin e shën Lukës, që është bërë i pavdekshëm nga kaq shumë artistë. Jo të gjithë e dinë se, pas dritës që e verboi në udhën e Damaskut, Pali u zhduk dhe u tërhoq në vetmi për disa vite. Jemi në vitin 38 pas Krishtit e Palin e hasim përsëri më tej, falë Barnabës, që shkon ta marrë në Tarsis.

Shpëtimi i paganëve

         Atëherë, shën Luka ungjilltar kthehet tek Pjetri, pasi i duhet të shtrojë çështjen teologjike më delikate, që përballoi bashkësia e parë e krishterë: shpëtimin e paganëve.

         Ç’është krishterimi në 10 vitet e para të jetës së tij? Pa dyshim, një lëvizje judaike, që tërheq pas vetes edhe farisenj, meshtarë dhe simpatizues helenistë. Pra, një lëvizje popullore prej dhjetra mijëra vetësh, përhapur fillimisht në Jeruzalem e pastaj, në Jude e Samari dhe, sigurisht, edhe në Galile. Por, kjo lëvizje i kishte dyert hapur vetëm për judenjtë dhe për ata paganë, të cilët, megjithëse nuk ishin rrethprerë, kishin përqafuar fenë e Izraelit në diasporë. Praktikisht, akoma nuk ekzistonte krishterimi, por një lloj judaizmi nazarenas. Jo rastësisht, Luka na thotë se vetëm në Antioki, të krishterët u thirrën për herë të parë me këtë emër.

         Por si na çon në Antioki Luka? Udha është e gjatë e në tregimin e saj, diçka duhet zgjedhur e diçka duhet lënë. Shën Lukës i duhen 6 kapituj për të na çuar nga kthimi i shën Palit, në vitin 38, tek “Koncili i Jeruzalemit”, në vitin 48. 10 vjet në 6 kapituj…e, sa gjëra ndodhin!

Lindja e Kishës së Antiokisë dhe persekutimet në Jeruzalem

         Në vitin 44 lind Kisha e Antiokisë së Sirisë, bashkësi e gjuhës greke, e hapur për paganët. Ndër të tjerë, i besohet Barnabës. Siç e thamë, këtu, për herë të parë, ndjekësit e Jezu Krishtit quhen “të krishterë”. E kanë kaluar 15 vite nga vdekja e Nazarenasit!

         Ndërkaq, në Jeruzalem, pas asaj të shën Shtjefnit diakon, fillon një valë e dytë persekutimesh. Shën Jaku apostull, vëllai i Gjonit, vritet me urdhër të Herodit Agrippa. Një goditje e pamasë për bashkësinë! Vdes apostulli i parë nga të Dymbëdhjetët. Frika kthehet në terror kur arrestohet edhe Pjetri, i cili arrin të shpëtojë për mrekulli të Zotit. Udhëheqja e bashkësisë i kalon Jakut tjetër, “vëllait të Jezusit”.

         A është e rastësishme që, pikërisht pas kësaj tragjedie, e cila e trondit Kishën e Jeruzalemit, shën Pali fillon udhëtimin e tij të parë misionar? Përgjigjja, në emisionin e ardhshëm.

10 tetor 2019, 14:49