Kërko

Jeruzalemi Jeruzalemi 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Veprat e Apostujve – kontributi i shën Palit

Në emisionin e kaluar, duke vijuar komentin e Veprave të Apostujve, shkruar nga shën Luka ungjilltar, u ndalëm në çastin kur shën Pali fillon udhëtimin e tij të parë misionar. Sot do të shohim ç’kontribut të madh dha për krishterimin ai, që u quajt Apostulli i Popujve, megjithëse nuk ishte pjesë e të Dymbëdhjetëve zgjedhur fillimisht nga Jezu Krishti. Komenti ynë, si gjithnjë, ndjek librin “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Është e sigurtë se i pari nga tre udhëtimet e Shën Palit shënon një sukses sa të jashtëzakonshëm, aq edhe të ndërlikuar. Ndokush është munduar t’i verifikojë kilometrat e përshkuara nga “i kthyeri në udhën e Damaskut” dhe ka hipotizuar se shën Pali, në tre udhëtimet e tij, ka mbuluar distancën e pabesueshme prej 10 mijë kilometrash! Janë udhëtime, që kanë vënë themelet dhe e kanë ndryshuar fytyrën e Kishës:

·        udhëtimi i parë (vitet 45-46) – Vap 13,1-14,26;

·        udhëtimi i dytë (vitet 48-51) – Vap 15,40-18,22;

·        udhëtimi i tretë (vitet 53-57) – Vap 18,23-21,17.

Luka flet edhe për udhëtimin drejt Romës, i katërti (vitet 59-62), të cilin e gjejmë në Vap 27,1-28,16. E ndokush hedh edhe hipotezën për një udhëtim të fundit të shën Palit në Spanjë, para se të vdiste në Romë, rreth vitit 65 pas Krishtit.

Koncili i Jeruzalemit

 Por që në përfundim të udhëtimit të parë, në vitin 49, e kuptojmë se mbi Kishën e re po përplasej një uragan i fuqishëm e shumë shqetësoheshin për këtë. Në kapitullin 15 të Veprave të Apostujve, shën Luka tregon për atë takim të apostujve, që ka hyrë në histori si “Koncili i Jeruzalemit”. Pali sapo ishte kthyer nga një udhëtim, gjatë të cilit kishte themeluar shumë bashkësi, të përbëra kryesisht nga paganë të kthyer në fenë e Jezu Krishtit. Atyre nuk u kërkohej të ndiqnin ligjin judaik, sidomos nuk u kërkohej të rrethpriteshin.

 Pali do t’ia kushtojë gjithë jetën kthimit të paganëve, mjafton të lexohet Letra e tij për galatasit, por çështja e të parrethprerëve dukej e ndërlikuar dhe Pali e Barnaba u thirrën në Jeruzalem, ku ishin mbledhur gjithë apostujt. Bëhej fjalë për vendimin më të rëndësishëm të krishterimit të sapolindur: ç’duhej bërë me ligjin judaik? Ata, që përqafonin fenë e Krishtit, duheshin rrethprerë apo jo? Si përfundim, Koncili arriti një marrëveshje, e cila do të sanksiononte, de facto, lindjen e një Kishe të re. Në Rrëshajë ishte lindur Kisha e të rrethprerëve, shumë vite më vonë do të sanksionohej lindja e Kishës së të parrethprerëve.

Sanksionohet Kisha e të parrethprerëve

Në Romë, në kishën e Shën Sabinës, ruhet një mozaik i lashtë i shekullit V, ku shihen dy figura femërore. Nën këmbët e tyre, në të djathtë, lexohet: “Ecclesia ex gentibus”, ndërsa në të majtë: “Ecclesia ex circumcisione”. E para mban në dorë një kod të hapur, në gjestin e një personi që flet. Është kodi i Besëlidhjes së Re. Edhe e dyta mban në dorë një kod: është Besëlidhja e Vjetër. S’është tjetër, veçse pasqyrimi në pikturë i asaj, që u pohua shekuj më parë në Jeruzalem.

Predikimi i Ungjillit ndër paganë

Shën Pali e konsideroi veten fitimtar të Koncilit dhe e ndieu se tashmë ishte apostulli i paganëve, apostulli i botës mbarë, siç u shkruante galatasve:

 “Më qe besuar predikimi i Ungjillit ndër paganë, shi sikurse edhe Pjetrit ndër të rrethprerë - pasi Ai që kishte vepruar në Pjetrin për apostullim ndër të rrethprerë, po ashtu kishte vepruar edhe në mua për të mirën e paganëve” (Gal 2,7-8).

 Në 14 kapitujt e fundit të librit të Veprave të Apostujve mund të ndjekim këtë “apostull të 13-të” në maratonën e në betejën e tij për Ungjillin. Pavarësisht se duhet po aq sa urrehet, historia e Shën Palit meriton të lexohet, nëse duam t’i kuptojmë Letrat e tij, që, faktikisht, themelojnë teologjinë e krishterë. E pikërisht falë shën Lukës ungjilltar mësojmë të njohim e të kuptojmë çdo të thotë të jesh kumtues i Ungjillit.

T’ua kumtojmë e t’ua mësojmë të tjerëve Ungjillin

 Së fundi, në kapitullin 28 – në të vërtetë, në kapitullin 52 të veprës së Lukës – e gjejmë veten shumë larg nga pika ku u nisëm, nga tempulli i Jeruzalemit e nga Zakaria plak, që nuk besonte: ndodhemi në Romë, ku…

“Plot dy vjet jetoi Pali në banesën që vetë e paguante. Aty i pranonte të gjithë ata që shkonin në takim me të. Predikonte Mbretërinë e Hyjit dhe mësonte me liri të plotë e pa farë pengese të vërtetën mbi Jezu Krishtin Zot” (Vap 28,30-31)

T’ua kumtojmë e t’ua mësojmë të tjerëve Ungjillin: kjo është detyra e fundit, që shën Luka ua beson lexuesve të vet.

17 tetor 2019, 09:38