Kërko

Vatican News
Kthimi i Shën Palit në udhën e Damaskut Kthimi i Shën Palit në udhën e Damaskut 

Çelësi i fjalëve të Kishës: si konsiderohet Shën Pali?

Në emisionin e kaluar, filluam të reflektojmë mbi Letrat e shën Palit e, sot, duke vijuar këtë koment, do të shohim si konsiderohet Apostulli i Popujve e sa kuptohet ai nga studiuesit e shkuar e të tashëm. Si gjithnjë, bazohemi në librin “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Nga Letrat e Shën Palit Apostull mund të mësojmë diçka për këtë njeri e për historinë e tij, por ai nuk mund të kuptohet deri në fund pa lexuar ç’shkruan shën Luka ungjilltar në Veprat e Apostujve. Pikërisht, duke lexuar atë dëshmi - argument i emisioneve tona të kaluara – marrim vesh se:

·        Sauli është fanatik e mbron me vendosmëri traditat e etërve. Është farise. Person që e ndjek Ligjin. Rojtar i ortodoksisë, kreu i rojeve të tempullit. Njeri i shpatës!

·        Sauli i urren të krishterët e, sidomos Jezusin, i cili vuri në diskutim Ligjin dhe traditat judaike. Nuk mund ta durojë që një marangoz galileas, pa studime, me një bandë galileasish injorantë pas vetes, të pështjellojë Qytetin Shenjt me herezinë e vet.

·        Por, në një çast të caktuar, Sauli dorëzohet! Bie përtokë, nuk shikon më asgjë e dëgjon një zë, atë të Jezusit, që ai e persekuton pa mëshirë. Tronditet jashtëzakonisht. E këtu, Sauli bëhet Pal. Persekutuesi kthehet në udhën e Krishtit.

Kthimi në udhën e Damaskut

Atë ditë, në Damask, Pali, jo vetëm që mendon se ka takuar Jezusin, por edhe se është thirrur prej Zotit, siç u shpjegon ai vetë galatasve të tij të dashur:

         “Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti… kur Atij, që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë” (Gal 1,11-12.15-16).

         Kjo thirrje i mbërrin shën Palit përmes Ananisë së habitur, i cili, siç shkruan shën Luka në Veprat e Apostujve, i përsërit Saulit fjalët e Jezusit, që e pati urdhëruar:

“Shko, sepse ai është vegla ime, që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur Emrin tim para popujve paganë, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit. Jo po, unë vetë do t’i tregoj se sa shumë do t’i duhet të pësojë për shkak të Emrit tim!” (Vap 9,15-16).

Për të kuptuar shën Palin Apostull dhe Letrat e tij, sidomos Letrën më të rëndësishme, atë drejtuar Romakëve, nuk mund të mos fillojmë nga ky çast. Gjithçka lind nga kjo pikë e caktuar në kohë e në hapësirë. E, është vërtet e vështirë të shpjegohet gjithçka ndodh më pas me burrin nga Tarsis, pa menduar për ndërhyrje nga lart.

Nitzsche e Gibran për Palin nga Tarsis

Meqë gjithçka bën më vonë nuk ka të dytë, në krahasim me apostujt, që nuk udhëtojnë bashkë me të, që nuk themelojnë bashkësi si ai, që nuk shkruajnë si ai, që nuk vuajnë si ai, duket e natyrshme të mendohet se në Damask, atë ditë, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. E megjithatë, armiqtë e shën Palit nuk e mendojnë kështu e nuk reshtin së kritikuari.

Më i tërbuari ndër ta është filozofi Friedrich Nietzsche (1844 – 1900): “Në Palin mishërohet tipi i kundërt me ‘nuncin e mirë’, gjenial në urrejtje, në logjikën e paepur të urrejtjes! Çfarë nuk ka sakrifikuar për urrejtjen ky kundërshtar i Ungjillit?... Pushteti ishte nevoja e tij: me Palin, edhe një herë, prifti synon pushtetin – ai mund të përdorte vetëm ide, teori, simbole, me të cilat tiranizohen masat, formohen grigja”.

E kritikës inatçore nuk i reziston as poeti-profet Khalil Gibran (1883 – 1931): “Nganjëherë duket si kafshë pylli, pre e gjuetarëve, i plagosur, në kërkim të një shpelle, ku t’ia fshehë botës vuajtjen e vet. Njeri i çuditshëm, i cili, kur flet, nuk u referohet fjalëve të Jezusit, por predikon Mesinë e shpallur nga profetët në lashtësi… Pali po farkëton zinxhirë për njeriun e nesërm. Me çekiçin e tij, synon t’i bjerë kudhrës, në emër të dikujt, të cilin as që e njeh”.

Është e kotë ta fshehim: Shën Pali mbetet problem serioz. Nga njëra anë, ka nga ata që nuk e njohin dhe e kanë pak frikë, nga ana tjetër, ata, që mendojnë se e njohin tepër mirë dhe e kanë frikë edhe më shumë. Në mes, ka nga ata që kënaqen me ndonjë frazë të tij të famshme, por mbajnë distancë.

Letra drejtuar Romakëve dhe interpretimi i saj

Letra drejtuar Romakëve, për të cilën do të flasim të enjten e ardhshme, është sprova e apostullit. Letrat drejtuar Korintasve dhe Galatasve janë më të gjalla e pulsuese, ajo për Filipianët, e gëzueshme dhe lineare, ndërsa Letra e parë për Selanikasit është më e freskët dhe më e thjeshtë. Të gjitha të tjerat janë më të ndërlikuara e më të menduara teologjikisht, më baritore, siç thuhet. Por, ajo drejtuar Romakëve, jo! Është mur për t’u ngjitur! O arrin majën e shpërthen në gëzim, o të shpëton dora e bie pingul e poshtë. Dikush edhe ka rënë e është lënduar jo pak.

Si Pelagjio, për shembull, heretiku që do të favorizonte gjithë reflektimin e shën Augustinit mbi hirin hyjnor e, edhe si Luteri, heretiku tjetër, që do ta ndante Kishën më dysh me teologjinë e tij të shfajësimit vetëm për fe. Ndërsa Shën Pali ka dhënë kontribut personal. Natyrisht, nuk e ka shpikur krishterimin, por e ka sjellë në një terren, ku deri në atë çast, apostujt e dishepujt nuk kishin vënë këmbë, duke e shmangur: në terrenin e doktrinës, të interpretimit teologjik, të diatribës retorike, të debatit konceptual.

Ungjijtë janë mijëra kilometra larg së qeni tekste doktrinore e, pikërisht për këtë, janë unikë, perla vërtet të çmuara. Shën Pali bën punën më të vështirë, atë që, ndoshta, nuk i pëlqen askujt, por që është më se e nevojshme: punën e interpretimit, të përcaktimit e të mësimit të të vërtetave të fesë. E ndër gjithë Letrat e tij, ajo drejtuar Romakëve, që do të fillojmë ta shqyrtojmë në emisionin e ardhshëm, është teza e diplomës së Apostullit.

31 tetor 2019, 10:50