Kërko

Virgen del Rosario de Chiquinquirá (fonte Conferenza Episcopale Colombia) Virgen del Rosario de Chiquinquirá (fonte Conferenza Episcopale Colombia) 

Me 7 tetor Kisha kremton festën e Zojës Rruzare

Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell si Ai që është sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë

R.SH. - Vatikan

Me 7 tetor Kisha kremton festën e Zojës Rruzare. E festa e Zojës Rruzare është themeluar nga shën Piu V,  Papë për të përkujtuar fitoren e kombeve të krishtera në vitin 1571 në Lepanto kundër flotës turko-islame. Pra sot shenjti dhe kujtesa historike e ditës bashkohen në një duke na kujtuar të kremten e Zojës Rruzare dhe betejën e Lepantos.

Siç përmendem më 7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit dhe Korintit, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën të gjitha, ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu Papën Piu V të caktonte një festë falënderimi e përkujtimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores".

Urata e Rruzares Shenjte lindi në vitin 1200 me Shën Domenikun Guzman. Duke qenë shumë i devotshëm ndaj Nënës së Hyjit, themeluesi i Urdhrit të Predikatarëve (Domenikanëve), për t’i ndihmuar të varfrit ta jetojnë fenë në Krishtin, shën Domeniku mësoi të meditoheshin misteret e Mishërimit të Krishtit duke recituar lutjen e të Falemi Marisë. Rruzarja është pra një uratë për gjithë, e thjeshtë por dhe e thellë. “Rruzarja është lutje kundruese së cilës të gjithë mund t’i afrohen: të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë, të ditur e më pak të ditur.

Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell si Ai që është sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë” (nga homelia e Benediktit XVI në Meshën në Pompei, 19 tetor 2008)

Kjo festë më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u caktua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X, në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër. Nga Shenjtëroret e shumta që popujt i kanë lartuar në të katër anët e botës, Zoja Rruzare u drejton të gjithë besimtarëve ftesën ta njohin nga afër dhe ta kumtojnë Krishtin, në një shoqëri që po largohet nga vlerat e vërteta shpirtërore të krishtera.

Rruzarja, pra, është urata më e përzemërt e besimtarëve. Një uratë e mrekullueshme! E mrekullueshme në thjeshtësinë dhe në thellësinë e saj doktrinore e shpirtërore . Gjatë kësaj lutjeje, ne përsërisim shumë herë ato fjalë që Virgjëra Mari dëgjoi nga Kryengjëlli Gabriel e nga kushërira e saj Elizabeta. Me këto fjalë bashkohet e gjithë Kisha. Mund të thuhet se Rruzarja është në një farë mënyre një lutje dhe koment i kapitullit të fundit të Kushtetutës së Koncilit të II të Vatikanit ‘Lumen Gentium’ – ‘Drita e Popujve’, kapitull që flet për praninë e mrekullueshme të Nënës së Zotit në Misterin e Krishtit dhe të Kishës. E në fakt, pas fjalëve "Të Falemi Mari" përshkojmë ngjarjet kryesore të jetës së Jezu Krishtit. Këto ngjarje plotësohen së bashku tek misteret e gëzimit, të vuajtjes, të lavdisë e të dritës dh na bashkojnë me Jezusin përmes - mund të themi- zemrës së Nënës së Tij.

Në të njëjtën kohë, zemra jonë njerëzore mund të përmbledhë në këto dhjetëshe të uratës së Rruzares Shenjte të gjitha ngjarjet që përbëjnë jetën e individit, të familjes, të kombit, të Kishës dhe të njerëzimit mbarë. Ngjarje personale të jetës sonë por edhe të jetës të të afërmit e në mënyrë të veçantë të atyre që i kemi më afër, të atyre që i kemi më për zemër. Kështu me Rruzaren Shenjte rreh edhe ritmi i jetës sonë. (Maria I, 215-216.)

Rruzarja Shenjte, pra, është një libër i mrekullueshëm që të gjithë mund ta lexojnë. Libër që ka vetëm 20 faqe; 20 mistere të fesë së krishterë shkruar nga autorë të pavdekshëm që janë Jezusi dhe Maria, të cilët tregojnë jetën e tyre në atë mënyrë që të gjithë e secili prej nesh të mund ti ri-jetojë, e të mund t'i imitojë në jetën e përditshme.

Rruzarja është një gjetje e madhe e Marisë për ta mbajtur njerëzimin afër vetes e të bashkuar në një familje të vetme në Krishtin Zot e Shpëtimtar. Vet personalisht, Virgjëra Mari u denjua të na mësojë e porositë këtë uratë të përshpirtshme të Rruzares ta lusim çdo ditë. Mos të harrojmë që mjeti dhe udha më e mirë e më e sigurt që na mundëson takimin e bashkimin tonë me Zotit, është pa dyshim, urata e Rruzares Shenjte.

Nga Shenjtëroret e shumta që i kanë lartuar popujt në të katër anët e botës nderimit të Zojës Rruzare, kujtojmë në trevat shqiptare Kishën e Zojës Rruzare te Arra e Madhe në Shkodër dhe në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, pra, Zoja Rruzare u drejton të gjithë besimtarëve ftesën ta njohin nga afër, ta dëgjojmë dhe ta kumtojnë Krishtin, në jetën e përditshme në një shoqëri që po largohet nga vlerat e vërteta shpirtërore të krishtera.

Urata e Rruzares është një lutje e veçantë, hartuar në vitin 1883 nga i Lumi Bartolomeo Longo, me rastin e bekimit të këmbanës së parë të shenjtores. Lutja e Pompeit është veçanërisht e bukur, e përkushtuar, e frymëzuar nga vetë Zoja, e cila iu duk Bartolomeo Longos, avokat i ri italian, dhe i tha t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën. Ja si përfundon ajo: “O Rruzare e bekuar nga Shën Maria, zinxhir i ëmbël që na lidh me Zotin, vjegëz dashurie që na bashkon me Engjëjt, kullë shpëtimi, në sulmet e ferrit, port i sigurt në rast mbytjeje të përgjithshme, ne nuk do të lëshojmë më kurrë nga dora. Ti do të jesh ngushëllimi ynë në agoni, për ty puthja e fundit e jetës që shuhet. Fjala e fundit që del prej buzëve tona, do të jetë emri yt hyjnor o Mbretëreshë e Rruzares së Pompeit, o nëna jonë e dashur, o Strehë e mëkatarëve, o Sovrane ngushëlluese e të hidhëruarve. Qofsh kudo e bekuar, sot e përgjithmonë, në tokë e në qiell. Amen”.

Vlera shpirtërore e kësaj Lutjeje është e veçantë. Lutja e përgjëruar është njëkohësisht lirikë dhe muzikë. Mbi ato faqe janë derdhur lumenj lotësh e janë stampuar miliarda puthje. Në këtë lutje universale, derdhen të gjitha dhimbjet e shpresat e familjes njerëzore. Është kaq e përkryer rezonanca që ajo ngjall në çdo zemër të krishterë, saqë secili kur e thotë ka përshtypjen se po e harton ai vetë për herë të parë. Mund të thuhet se autori i vërtetë nuk është Bartolomeo Longo, por shpirti popullor, feja e popullit. Është Kisha që ecën në botë e lutet.

07 tetor 2019, 11:20