ZZZZZZZZZZZZZZZZZ.jpg

40-vjet më parë Shën Nënë Tereza vlerësohej me Çmimin Nobel për paqen

Nënë Tereza në fjalimin që mbajti në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe, mes tjerash tha: Ta falënderojmë Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes, që na kujton se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe,.. Zoti, u bë njeri dhe e shpalli botërisht se kishte ardhur për ta sjellë këtë lajm të mirë, paqen për të gjithë njerëzit vullnetmirë.

R.SH. - Vatikan

Data e 17 tetorin e vitit 1979, na kujton ditën, kur Juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen Shenjtën shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën.

Në motivacionin e ndarjes së Cmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se:”Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit,  që përbën, gjithashtu, një kërcënim për paqen”.

E Nënë Tereza, me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqen, pati mundësinë, menjëherë, të tregonte se stili i saj i jetesës, që ishte në përkim me Ungjillin e dashurisë, dëshmohej në çdo moment e në çdo gjest të jetës së saj, posaçërisht në përkuljen e saj mbi mjerimet e dhimbjet e të varfërve e të uriturve të botës, prandaj Nënë Tereza kërkoi dhe arriti të realizoi që banketi i zakonshëm që organizoj, pas dhënies së çmimit, të mos bëhej dhe që paratë e kursyera (6,000 dollarë) të banketit të destinoheshin për të varfrit e Kalkutës, të cilët me këtë shumë do të ushqeheshin për një vit të tërë. "Shpërblimet tokësore janë të rëndësishme vetëm nëse përdorën për të ndihmuar të varfrit e botës” .

Rregulltarja e madhe, Nënë Tereza u ngjit në tribunën ku janë ngjitur njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat, veshur me sarin e grave të varfra indiane dhe e pranoi çmimin për paqe vetëm sepse një pranim i tillë do t'u vlente shumë të varfërve të saj. E, kur iu desh të jepte një nga intervistat më të rëndësishme, në tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, Shën Nënë Tereza foli në një mënyrë krejtësisht të padëgjuar në atë sallë, që ka parë e ka dëgjuar mendjet më të ndritura të njerëzimit.

“Lapsi i vogël në duar të Zotit”, kjo është Nënë Tereza, bija e një populli dhe toke të vogël, që i bëri të njohur e të nderuar kudo shkeli. Arsyeja që përkujtojmë sot është pse: “Ajo ishte dëshmitare, që tundte zemrat e të gjithëve. I tundte me fenë e saj në Zotin, të shprehur përmes veprave konkrete të dashurisë e të bamirësisë. Duke fituar kështu edhe zemrat e hinduistëve e të myslimanëve. “Shpresoj se do t’ia dal mbanesh t’i kthej njerëzit në rrugën e Zotit – thoshte Shën Nënë Tereza. E kur flas për kthim, kam parasysh kthimin e zemrave. Nëse takohemi me Zotin, e mirëpresim në jetën tonë, e kjo domethënë se jemi në rrugën e kthimit. Domethënë se bëhemi hinduistë më të mirë, myslimanë më të mirë, katolikë më të mirë”. Me këtë bindje Nënë Tereza, ashtu si Shën Pali Apostull, u bë “gjithçka për të gjithë”, e prandaj sot e nderojmë gjithkund e të gjithë, sepse u dha të varfëve në trup e në shpirt, një flakë dashurie, që duke djegur, pastron, rilindë e shpëton.

E tërë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, duke  shndërruar kështu njeriun në flakë dashurie.

Kështu, duke e kujtua dhe nderuar Shën Nënë Terezën, në 40-vjetorin e vlerësimit me Çmimin Nobel për Paqen, nuk duhet të harrojmë se Ajo është një mesazh dashurie, pa kufij fesh e racash, motra e vogël dhe e madhe shqiptare dinte t’u fliste të gjithëve, sidomos t’u shërbente me dashuri e përkushtim të më varfëve ndër të varfër, njerëzve të mënjanuar nga shoqëria. Po Shën Nënë Tereza qe mësuese e artit të dashurisë vëllazërore.

Ja si e kujton e Shën Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezë 17 tetorin e vitit 1979, kur Juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë e nderoi me Çmimin Nobel për paqen:

Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit.
Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë.
Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje.
Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: “Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen”.
E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël.
Më pas – tha Nënë Tereza - fola për abortin e thashë:
“Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”.
Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, kujton Nënë Tereza, Papa më tha:
“Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”.

Shën Nënë Tereza: “Fjalimi në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe

Fjalimi i Shën Nënë Terezës mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe në Oslo më 10 dhjetor 1979.

“Me që jemi mbledhur të gjithë bashkë, mendoj se, për të falënderuar Zotin e Çmimin Nobel për Paqen, do të ishte vërtet e bukur të luteshim me lutjen e Shën Françeskut të Asizit, që më mahnit gjithnjë shumë – ne e themi këtë lutje çdo ditë pas Kungimit, sepse tepër e përshtatshme për secilën nga ne. Më bën të mendoj se katër-pesëqind vjet më parë, kur Shën Françesku e krijoi këtë lutje, njerëzit duhet të kalonin po ato vështirësi, që kemi sot, me që na përshtatet kaq shumë.

Mendoj se disa nga ju e kanë me vete, prandaj, të lutemi së bashku. Ta falënderojmë Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes, që na kujton se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe, se Jezusi u bë njeri, për t’ia sjellë pikërisht këtë lajm të mirë të varfërve. Ai, edhe pse Zot, u bë njeri në gjithçka, veç mëkatit, dhe e shpalli botërisht se kishte ardhur për ta sjellë këtë lajm të mirë. Lajmi ishte paqja për të mbarë njerëzit vullnetmirë, ishte paqja e zemrës, që e dëshirojmë të gjithë. Zoti e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vetëm për t’ua bërë njerëzve këtë dhuratë. E si mund të themi se bëri keq, pse e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vet? E ia dha Virgjërës Mari. E ajo, ç’bëri pastaj? Sapo e ndjeu gjallë, shpejtoi ta jepte lajmin e, si hyri në shtëpinë e së kushërirës, foshnja - ende e palindur, në kraharorin e Elizabetës, u drodh nga gëzimi. Ferishtja e palindur qe lajmëtari i parë i paqes!

Njohu Princin e Paqes, njohu Krishtin, ardhur për të sjellë lajmin e mirë, për mua, për ty. E sikur të mos i mjaftonte që u bë njeri, deshi edhe të vdiste mbi kryq, për të treguar sa e madhe ishte dashuria e Tij për njeriun, për mua, për ty, për të gërbulurin e për të uriturin, që sillet lakuriq rrugëve jo vetëm të Kalkutës, por edhe të Afrikës, të Nju Jorkut, të Londrës, të Oslos, e nguli këmbë ta donim njëri-tjetrin, ashtu si na kishte dashur Ai vetë. Lexohet qartë në Ungjill: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë, si ju dua. Ju dua, si më deshi Ati”. E Ati e deshi aq fort, sa ta dhuronte dhe më fort. E edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin, deri në dhembje. Nuk mjafton të themi: “Zotin e dua, por jo të afërmin!”. Shën Gjoni të kujton se gënjen kur thua: “Zotin e dua, por jo të afërmin”. E si mund ta dashke Zotin, që nuk e sheh, kur nuk e do të afërmin, që e sheh, e prek, që jeton me të e pranë tij? Kështu ka shumë rëndësi të kuptojmë se dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë e tillë deri në dhembje!

I dhembi Jezusit, kur na deshi. I dhembi fort. E për të qenë i sigurt se do ta kujtonim dashurinë e tij të madhe, u bë Buka e jetës, që të shuante urinë tonë për dashuri. Urinë tonë për Zotin, sepse u krijuam për këtë dashuri. U krijuam sipas shëmbëlltyrës së tij. U krijuam për të dashur e për t’u dashur, e Ai u bë njeri, që ne të mund të donim, siç na deshi Ai vetë. Është Ai i urituri, i zhveshuri, i pastrehu, i sëmuri, i burgosuri, i vetmuari, i padashuri, e vijon të na kujtojë: “Ma keni bërë mua!”. Ka uri për dashurinë tonë, e kjo është uri për të varfrit tanë. Është ajo uri, që ju e unë duhet ta gjejmë, sepse mund ta kemi edhe në strehën tonë! Nuk e harroj kurrë mundësinë që pata për të vizituar një shtëpi, ku strehoheshin një mori pleqsh, të gjithë prindër me bij e me bija, të gjithë të flakur në atë institut dhe... të harruar!

Shkova atje e pashë se kishin gjithçka, gjëra të bukura, por të gjithë i kishin sytë të mbërthyer tek porta. E nuk pashë asnjë fytyrë të qeshur. Iu drejtova një motre e i thashë: - Si kështu? Si është e mundur që njerëz, të cilët i kanë gjitha të mirat, s’bëjnë tjetër, veçse shikojnë portën? E nuk shoh asnjë fytyrë të qeshur! Jam mësuar t’i shikoj njerëzit tanë të qeshur; madje edhe ata që janë duke dhënë shpirt, buzëqeshin lehtas. Vdesin me buzë në gaz.

E ajo ma ktheu: - Kështu i ke ditë për ditë, presin e shpresojnë se do të vijë për t’i parë ndonjë prej bijve a bijave. E ndjejnë veten të plagosur, sepse të harruar, e, shikoni, pikërisht këtu duhet të trokasë dashuria. Ashtu si troket në shtëpitë tona varfëria, kur harrojmë të duhemi. Ndoshta në familjen tonë kemi ndokënd që ndjehet i vetmuar, i sëmurë, i shqetësuar, e këto janë ditë të vështira për të gjithë. A jemi aty? A jemi për t’i ndihmuar? A është aty nëna, për të dëgjuar fjalën e pathënë të të birit? Çuditem kur shoh, në perëndim, shumë djem e vajza të droguara dhe e vras mendjen për të gjetur psenë, pse ndodh kjo?

E përgjigjja është: sepse nuk kanë asnjeri në familje që t’i dëgjojë. Babai e nëna janë gjithnjë të zënë, aq sa të mos kenë kohë deri për fëmijët e vet. Prindërit e rinj janë në ndonjë zyrë, kur fëmija u bredh rrugëve, gati për të rënë në ndonjë grackë. E ne jemi duke folur për paqen! Pikërisht këto janë gjërat, që e rrënojnë paqen, por unë nuk heq dorë nga mendimi se sot për sot armiku më i rrezikshëm i paqes është aborti, sepse luftë e drejtpërdrejtë, vrasje e drejtpërdrejtë, mbytje e fëmijës me dorën e vetë s’ëmës.

E lexojmë në Shkrimin Shenjt. Zoti e thotë tepër qartë: “Edhe sikur nëna ta harronte foshnjën, unë nuk do të të harroj! Të kam skalitur në pëllëmbë të dorës!”. Jemi të skalitur në pëllëmbën e dorës së Tij, jemi pranë Tij! E edhe foshnja e palindur është e skalitur në pëllëmbën e dorës së Zotit. E ajo që më trondit më shumë, është fillimi i kësaj fraze, janë fjalët: “Edhe sikur nëna të harronte...”. Më duket gjë e pamundur, por megjithatë, edhe nëna mund të harrojë, na kujton Zoti, në sa unë nuk do të harroj kurrë. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Nëse ne jemi këtu, jemi sepse prindërit tanë na deshën. Nuk do të ishim, nëse nuk do të na kishin dashur. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!

Prandaj bëj thirrje, në Indi e kudo: “Na i jepni ne fëmijët, nëse nuk i doni, në këtë vit, që u është kushtuar. Çfarë kemi bërë për fëmijët? Në fillim të vitit kam thënë, kudo që kam folur: të punojmë këtë vit, që çdo fëmijë, i lindur e i palindur, të duhet. E sot, që përfundon viti, pyes: “A e kemi dashur çdo fëmijë të lindur a të palindur?”. Do t’ju kujtoj diçka prekëse. Po luftojmë kundër abortit përmes bijësimeve, duke shpëtuar kështu mijëra jetë. U kemi bërë thirrje të gjitha klinikave, spitaleve, stacioneve të policisë: ju lutemi, mos i mbysni fëmijët, i marrim ne. Në çdo orë të ditës e të natës, është dikush, që ka nevojë për ndihmë. Kemi shumë vajza-nëna: thojuni të vijnë tek ne, ne do të kujdesemi për fëmijën e tyre, do t’i gjejmë strehë. Kemi kërkesa të panumërta nga ana e familjeve pa fëmijë, e për ne ky është hir i Zotit. Po bëjmë edhe një gjë tjetër, shumë të bukur, po u mësojmë lypësve tanë, të gërbulurve tanë, banorëve të barakave, njerëzve tanë të sokaqeve, metodat e planifikimit familjar.

E vetëm në Kalkutë, në gjashtë vjet, e theksoj, vetëm në Kalkutë, kemi pasur 61273 fëmijë më pak nga familjet, që do t’i kishin nxjerrë në dritë, sepse u mësuan të praktikojnë këtë metodë natyrore të përkorjes, të vetëkontrollit, me dashuri reciproke. U mësojmë atyre metodën e temperaturës, që është shumë e bukur, krejt e thjeshtë, e njerëzit tanë të varfër e kuptojnë fare mirë. A e di ç’më kanë thënë? Familja jonë është e shëndoshë, e bashkuar e mund të kemi fëmijë sa herë të duam! E qartë, pra, këta njerëz rrugësh, këta lypës, bëjnë shumë më tepër se mund të bëni ju e gjithë të tjerët, që mund t’i njohin metodat e mjetet, pa e shkatërruar jetën, të cilën Zoti e krijoi në ne. Të varfrit janë njerëz të mëdhenj. Mund të na japin shumë mësime të bukura. Një ditë një prej tyre erdhi të më falënderojë e më tha: “Ju që keni bërë kushtin e pastrisë, jeni njerëzit më të aftë për të na mësuar planifikimin familjar”. Sepse nuk është tjetër, veçse vetëkontroll për dashuri reciproke. E mendoj se kemi thënë një frazë shumë të bukur. E këta janë njerëz, që ndoshta nuk kanë asgjë për të ngrënë, ndoshta-ndoshta nuk kanë as strehë, ku të struken. Gjithsesi, janë njerëz vërtet të mëdhenj!

Një mbrëmje dolëm e mblodhëm katër vetë, të flakur në rrugë të madhe. Ndërmjet tyre, një grua në kushte të tmerrshme. U thashë motrave: “Kujdesuni ju për tre të parët, për këtë, që duket më keq, po kujdesem vetë. U kujdesa me gjithë dashurinë, që kisha në shpirt. E shtriva butë në krevat e i pashë në fytyrë një buzëqeshje të mrekullueshme. Ma mori dorën në dorën e saj, që akullohej, e më tha një fjalë të vetme: Faleminderit! E vdiq! Nuk mund të mos zbrisja në fundin e ndërgjegjes sime atë ças, përball së vdekurës, e të mos e pyesja veten: “Ç’do të kisha bërë, po të isha në vend të saj?”. Përgjigjja ishte e thjeshtë. Do të isha munduar të tërheq vëmendjen, do të kisha thënë se kam uri, kam ftohtë, dhimbje, se po vdes, a ku ta di unë ç’fjalë të tjera. Ndërsa ajo më dha shumë më tepër, sesa i dhashë: më dha të fundmen dashuri. E vdiq me buzë në gaz.

Ashtu si burri, që e gjetëm në kanal, gjysmë të brerë nga krimbat e e sollëm në shtëpi. Ai e mbylli jetën me fjalët: “Jetova në rrugë të madhe, si kafshë, por po vdes si engjëll, në krahët e dashurisë e të kujdesit”. Ishte mahnitëse të shikoje madhështinë e këtij njeriu, që mund të fliste kështu, mund të vdiste kështu, pa akuzuar kënd, pa mallkuar, pa bërë krahasime. Si engjëll! E kjo është madhështia e njerëzve tanë. E për këtë ne besojmë se Jezusi ka thënë: “Isha i uritur, isha lakuriq, isha pa strehë, isha i braktisur, i pa dashur, i pa kujdesur, e ju bëtë gjithçka mund të bënit për mua!”. Besoj se ne nuk jemi veprimtarë të vërtetë shoqëror. Ndoshta, për sytë e botës, puna jonë mund të duket si shoqërore, po në të vërtetë ne jemi kundruese, në zemër të botës. Sepse prekim Korpin e Krishtit njëzet e katër orë në ditë. E kemi njëzet e katër orë këtë prani, e kështu edhe ju e unë. Edhe ju mund të bëni provë e ta çoni Zotin në familjet tuaja, sepse familja, që lutet së bashku, është e bashkuar. E besoj se në familje ne nuk kemi nevojë për bomba e armë atomike, që shkatërrojnë. Për të sjellë paqen, mjafton të jemi bashkë, të duhemi. Ta çojmë, pra, këtë paqe, këtë gëzim, këtë forcë të pranisë së Zotit në shtëpitë tona. E kështu do të mund të fitojmë mbi çdo të keqe, në një botë ku ka shumë vuajtje, shumë urrejtje, shumë mjerim. Prandaj ne, me lutjen tonë, me flijimin tonë, ta nisim betejën e dashurisë pikërisht nga shtëpia!

Dashuria nis në shtëpi, e nuk ka rëndësi ajo që bëjmë. Rëndësi ka dashuria, në çdo gjë që bëjmë. I përket Zotit, që është i gjithëpushtetshëm, ta gjykojë dashurinë me të cilën shërbejmë. Me të cilën i shërbejmë Atij vetë, në njeriun që vuan. Jo shumë kohë më parë, në Kalkutë, na mungoi sheqeri e nuk e di sesi, po fëmijët e morën vesh. E një fëmijë nja katër vjeç, fëmijë induistësh, duke shkuar në shtëpi, u tha prindërve: “Nuk do të ha sheqer për tri ditë. Do t’ia jap sheqerin tim Nënë Terezës, për fëmijët e saj”. Pas tri ditësh nëna e babai i fëmijës e sollën sheqerin në shtëpinë tonë. Nuk i kisha takuar kurrë e fëmija e tyre mezi e shqiptonte emrin tim, por e dinte mirë ç’kish ardhur të bëjë. Kishte ardhur të dhurojë dashuri. Edhe ju po më dhuroni dashuri. Që kur erdha këtu, u rrethova nga dashuria, nga dashuria e madhe, që përpiqet të kuptojë gjithçka. E m’u duk se po i shikonit me vëmendje të veçantë të gjithë njerëzit e Indisë e të Afrikës. E m’u duk sikur isha në shtëpinë time. Plotësisht në shtëpinë time, këtu, mes jush!

Prandaj erdha t’ju flas. Dëshiroj ta shikoni të varfrin këtu, pikërisht në shtëpinë tuaj. E të filloni ta doni, pikërisht këtu. Të bëheni lajm i mirë për njerëzit tuaj. E t’i thoni fqinjit: “E dini kush jam?”.
Kam jetuar një çast tejet të jashtëzakonshëm në një familje induiste me tetë fëmijë. Një zotëri erdhi në shtëpinë tonë e tha: “Nënë Terezë, njoh një familje me tetë fëmijë, që nuk ka ç’të hajë prej ditësh. Bëj diçka për të!”. Pa e zgjatur, mora ca oriz e u nisa. E i pashë fëmijët, e pashë në sytë e tyre ethet e urisë. Nuk e di nëse keni parë ndonjëherë sy të tillë. Po unë i shikoj tepër shpesh. Pashë edhe të ëmën që e ndau orizin e doli. Kur u kthye, e pyeta: “Ku shkove?”. M’u përgjigj thjesht: edhe ata kanë uri. Po kush ishin ata? Mësova se e kishte fjalën për një familje myslimane. Me të e kishte ndarë kafshatën e gojës. Nuk i solla më oriz atë mbrëmje, për ta shijuar me fund gëzimin, që buronte nga ndarja e ushqimit me të tjerët. E lexova gëzimin në sytë e fëmijëve të kësaj nëne, që s’kishte as një dorë oriz, por kishte kaq shumë dashuri për të dhuruar. Kështu, pra, dashuria nis pikërisht në shtëpi. E dëshiroj që edhe ju të dhuroni dashuri, ashtu si po ma dhuroni mua, gjë për të cilën ju jam shumë mirënjohëse.

Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, që do ta marr me vete në Indi, ku do të shkoj javën e ardhshme, me 15 besoj, duke mbartur me vete dashurinë tuaj. Me bindjen se nuk më dhuruat teprica, por dashurinë që dhemb. Prandaj falënderoj Zotin që na dha mundësinë të njihemi, të ndjehemi kaq afër. Kështu mund t’i ndihmojmë jo vetëm fëmijët indianë e afrikanë, por të gjithë fëmijët e botës. E me këtë çmim, që e mora si çmim të paqes, do të përpiqem të ndërtoj një shtëpi për ata që nuk kanë shtëpi. Sepse besoj që dashuria nis nga shtëpia e se, po të mund të ndërtojmë një shtëpi për të varfrit, prej saj do të rrezatojë kudo vetëm dashuri. E prej dashurisë, do të përhapet paqja, lajmi i mirë për të varfrit. Për të varfrit e familjes sonë, së pari, të vendit tonë, e edhe të mbarë botës. Por për ta bërë këtë, jetët tona duhet të enden me lutje!

E ndjej se mundimet e Krishtit rijetohen përsëri kudo, e ne i ndajmë me Të këto mundime, këtë dhembje. Në mbarë botën e jo vetëm në vendet e varfra. E kjo, nga që mendoj se është shumë më vështirë ta zhdukësh varfërinë e botës së pasur perëndimore, se atë të botës së varfër. Kur e marr një njeri nga rruga, të uritur për vdekje, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Ia kam shuar urinë, që e grin. Po njeriun, që është zhytur në heshtje, që ndjehet i padëshiruar, i pa dashur, i trembur, i flakur nga radhët e shoqërisë - si mund ta kënaq? Më duket tepër e vështirë. Motrat tona po punojnë për këtë tip njeriu, që mund ta quajmë i varfëri i perëndimit. Njeri, që ka etje e uri për pakëz dashuri! Atëherë ju ftoj të luteni për ne, që të jemi të afta për t’u bërë ne vetë lajmi i mirë, me bindjen se nuk mund të realizojmë asgjë pa ju, sepse pikërisht ju duhet t’ju kemi përkrah në vendin tuaj.

Duhet t’i njihni të varfrit. Vërtet këtu njerëzia ka të mira materiale, ka gjithçka, por mendoj se po të kërkojë nëpër shtëpi, vështirë se do të gjejë një buzëqeshje të dalë nga zemra. E duhet ta kemi mirë parasysh se buzëqeshja është fillesa e dashurisë. Të takohemi gjithnjë, prandaj, me buzë në gaz, sepse kur takohemi kështu, nuk është e mundur të mos bëjmë diçka të mirë. Lutuni, pra, për motrat tona, për vëllezërit tanë, për bashkëpunëtorët e përhapur në mbarë botën: “Lutuni t’i qëndrojnë përherë besnikë dhuratës së Zotit, ta duan e t’i shërbejnë në të varfrit, së bashku me ju. Atë që kemi bërë, nuk do të mund ta bënim, nëse ju nuk do të na kishit ndihmuar me lutjet tuaja, me dhuratat tuaja, duke dhënë vazhdimisht. Veç nuk dua të më jepni atë që ju tepron. Nuk dua teprica. Dua dashuri, deri në dhembje. Një ditë më parë mora 15 dollarë nga një burrë, që nuk lëviz fare nga krevati prej njëzet vjetësh. E vetmja pjesë e trupit, që mund ta lëvizë, është dora e djathtë. Dhe e vetmja gjë, që e kënaq, është duhani. E pra shi ky burrë më tha: nuk kam tymitur prej një jave, për t’i kursyer këto para, që po t’i dërgoj.

Duhet të ketë qenë një flijim i tmerrshëm për të, por edhe tepër i bukur. Me paratë e tymit të tij të pashijuar, bleva bukë për të uriturit, për gëzimin e të dyja palëve: ai dha, të varfrit morën. E kjo është dhuratë e Zotit për mua e për ju, ta ndajmë dashurinë me të tjerët. E ta bëjmë, si t’ia kishim bërë Jezusit. Ta duam njëri-tjetrin, si na deshi Ai. Ta duam Atë vetë me dashuri të pandarë. Ta duam njëherësh Atë e njëri-tjetrin, sidomos tani, që Krishtlindja është kaq afër. Ta ruajmë gëzimin, që buron nga dashuria e Krishtit në zemrat tona. E ta ndajmë këtë gëzim me të gjithë ata që takojmë. E ky gëzim vezullues është i vërteti. Nuk kemi arsye të mos jemi të lumtur, sepse Krishti është me ne. Është në zemrat tona. Krishti është në të varfrin, që takojmë; në buzëqeshjen që dhurojmë e që na dhurohet. Të zotohemi, prandaj që asnjë fëmijë të mos jetë i padëshiruar, e që do ta pranojmë me buzë në gaz, posaçërisht atëherë kur është tepër vështirë të buzëqeshësh.

Pak kohë më parë jetova një ngjarje, që nuk do ta harroj kurrë. Na erdhën për vizitë rreth 40 profesorë, nga universitete të ndryshme të SHBA-ve. Erdhën në Kalkutë në shtëpinë tonë. Po flisnin njëri me tjetrin e po thoshin se kishin qenë në shtëpinë tonë ku strehojmë njerëzit në prag të vdekjes. E kemi një shtëpi të tillë në Kalkutë, ku kemi mbledhur më se 360.000 njerëz vetëm nga rrugët e qytetit e, nga ky numër i madh, më se 18.000 vdiqën në paqe me njeriun e me Perëndinë. U nisën për në shtëpinë e Zotit, pasi erdhën në shtëpinë tonë, ku u folëm për dashurinë, për mëshirën.
Si u fola për këtë shtëpi e për këta njerëz, njëri prej profesorëve m’u lut: - Nënë, ju lutem, na thoni diçka, që të mund ta kujtojmë. E u thashë atyre: - Buzëqeshini njëri-tjetrit, kushtojini ca kohë familjeve. Buzëqeshni!
E njëri prej tyre, çuditërisht, më pyeti: “Jeni e martuar?”. Po, ia drodha, dhe shpesh e kam të vështirë t’i buzëqesh Jezusit, sepse nganjëherë kërkon edhe tepër nga unë. Kjo është e vërtetë e prej këndej vjen dashuria, kur Krishti është kërkues, e ne, megjithatë, mund t’i japim Atij me gëzim. Po e them këtu se, po s’ shkova në qiell për ndonjë meritë tjetër, sigurisht që do të shkoj për shkak të publicitetit, sepse më pastroi, më sakrifikoi e më bëri vërtet të gatshme për të shkuar në Qiell. Mendoj se duhet ta jetojmë bukur jetën tonë, sepse Jezusi është me ne, Krishti na do. Nëse do të mendonim vetëm se Jezusi na do e se kemi mundësi t’i duam edhe të tjerët, si na do Ai, jo në gjërat e mëdha, por në të voglat, të bëra me shumë dashuri, atëherë Norvegjia do të bëhej fole dashurie. E sa gjë e bukur do të ishte, që pikërisht këtu të na dhurohej një qendër për paqen! Që prej këtu të delte gëzimi për jetën e fëmijëve të palindur. Nëse ju bëheni dritë, që digjet në botë për paqen, atëherë vërtet Nobeli për Paqen është dhuratë për popullin norvegjez. Zoti ju bekoftë!”

17 tetor 2019, 12:47