Kërko

Vatican News
Jezu Krishti, mësues i shpëtimtar Jezu Krishti, mësues i shpëtimtar 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar "C"

Fragmenti i Ungjillit, sipas Lukës, na tregon për lutjen e vejushës ndaj gjykatësit të pandershëm. Vejusha, për t’i mbrojtur fëmijët, shkon tek gjykatësi i pandershëm e ia nxin jetën, duke i trokitur ditë-natë në portë e duke bërtitur me sa zë që kishte “Dua drejtësi!”. E në fund të fundit e bën t’ia nxjerrë të drejtën në shesh.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë  javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 29-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar "C"

Liturgjia e kësaj së diele, përmes shëmbëlltyrës së gjykatësit dhe të vejushës nga Ungjilli i Lukës, na flet mbi uratën, mbi domethënien e thellë të lutjes. Mirësia e Atit Hyjnor që është në qiell e që na dëgjon gjithmonë, na dhashtë forcë e qëndresë për të Ju drejtuar përherë me lutjen tonë të përzemërt.

Lutja është gjithnjë e frytshme, por jo shkop magjik

I krishteri nuk duhet të ndalet, por duhet të lutet gjithmonë, edhe në çastet më të vështira, sepse feja ruhet duke mbajtur marrëdhënie të vazhdueshme me Zotin, i cili nuk na i plotëson kërkesat me “shkop magjik”. Ungjilli i kësaj diele nga Luka na flet për vejushën që, për t’i mbrojtur fëmijët, shkon tek gjykatësi i pandershëm e ia nxin jetën, duke i trokitur ditë-natë në portë e duke bërtitur me sa zë që kishte “Dua drejtësi!”. E në fund të fundit e bën t’ia nxjerrë të drejtën në shesh. Edhe ne duhet të trokasim në zemrën e Hyjit, me lutje, pa u lodhur kurrë, duke e ditur se prej andej, të mirat që kërkojmë do të na vijnë si dhuratë e jo si magji, madje do të na jepet edhe më shumë nga ç’kemi kërkuar. Urata, burim mëshire e sidomos, forcë për fenë, konsolidohet pikërisht duke iu drejtuar vazhdimisht Zotit.

Lutje që “s’lë rehat”

Për të shpjeguar sa e rëndësishme është këmbëngulja në marrëdhëniet e besimtarit me Zotin, në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele nga Luka, Jezusi tregon shëmbëlltyrën e gjykatësit dhe të vejushës. I pari, i paskrupullt edhe ndaj qiellit; e dyta, grua e vetmuar, praktikisht e padukshme për ligjin e kohës e madje, jo vetëm për atë kohë. Një vejushë e shkretë, aty, e vetme, askush nuk e mbron, mund ta injoronin e madje, të mos i jepnin të drejtë: kështu edhe jetimi, kështu edhe i huaji, kështu emigranti. Njësoj! Në atë kohë, kjo ndjehej fort. Para indiferencës së gjykatësit, vejusha përdor armën e saj të vetme: vazhdon ta bezdisë me këmbëngulje. E pikërisht me këtë këmbëngulje, ia arriti qëllimit.

Zoti na jep përgjigje e madje, menjëherë

Historia përfundon me gjykatësin, që i rraskapitur nga këmbëngulja e vejushës, ia plotëson kërkesën. Në këtë njeri të ligjit, nuk ka asnjë impuls mëshire. Ai nuk e dëgjon zërin e ndërgjegjes, përgjigjet vetëm sepse është i bezdisur. Pra, nëse vejusha, me këmbënguljen e saj, arriti ta përkulë gjykatësin e pandershëm, Zoti, që është Atë i mirë e i drejtë, do të bëjë edhe më shumë. Ja pra, pse duhet të lutemi pa u lodhur. Të gjithë provojmë lodhje e shkurajim, sidomos kur lutja na duket e pafrytshme. Por Jezusi na siguron: në ndryshim nga gjykatësi i pandershëm, Zoti u përgjigjet menjëherë bijve të vet, pavarësisht se kjo nuk do të thotë se e bën në kohën e në mënyrat që do të donim ne. Lutja nuk është shkop magjik! Nuk është shkop magjik! Ajo na ndihmon ta ruajmë fenë në Zotin dhe ta lëshojmë veten në duart e Tij edhe kur nuk ia kuptojmë vullnetin.

Lutja “modelon” çdo kërkesë

Një shembull të madh për këtë na e jep vetë Jezusi, gjatë lutjes së tij plot ankth në Kopshtin e Gjetsemanit. Ati Qiellor ia plotëson dëshirën për të shpëtuar nga vdekja, por rruga për t’ia arritur kësaj kalon përmes vetë vdekjes. Pra, s’ka rëndësi koha dhe mënyra me të cilën Zoti e dëgjon lutjen tonë, por marrëdhëniet që krijojmë me Të. Në Kopshtin e Ullinjve, Jezusi e përfundon lutjen duke thënë: “Jo si dua unë, por si do ti, o Atë”. Objekti i lutjes kalon në plan të dytë; para së gjithash, kanë rëndësi marrëdhëniet me Hyjin, Atin Qiellor. Ja ç’bën lutja: e shndërron dëshirën dhe i jep formë sipas vullnetit të Hyjit, sido që të jetë ai, sepse kush lutet dëshiron së pari bashkimin me Zotin, me Atë, që është Dashuri e mëshirshme.

Kini kujdes

Së fundi për pyetjen pa përgjigje me të cilën Jezusi e përfundon shëmbëlltyrën ungjillore të kësaj së diele: “Po Biri i Njeriut, kur të vijë, a do të gjejë fe mbi këtë tokë?”. Kjo pyetje na paralajmëron të gjithëve se nuk duhet ta ndalim lutjen, pavarësisht se na duket pa përgjigje. Është lutja ajo, që e ruan fenë, pa të feja lëkundet! T’i kërkojmë Zotit një fe, që shndërrohet në lutje pa pushim, këmbëngulëse, si ajo e vejushës së shëmbëlltyrës ungjillore, fe që ushqehet nga dëshira e ardhjes së Krishtit.

                                           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 17, 8-13

Hyji që ka thirrur Izraelin dhe e ka bërë të dalë nga Egjipti është një Hyj që ushqen popullin e tij kur ka uri, i shuan etjen kur ka etje dhe e mbështet kur ekzistenca e tij është e kërcënuar. Por Hyji nuk shpëton njeriun pa njeriun, dhe Moisiu e di mirë, duke u bërë ndërmjetësi para Hyjit për të fituar fitoren e popullit të tij.

Leximi prej Librit të Daljes

Në ato ditë, erdhi Amaleku, për të luftuar kundër Izraelit në Rafidim. Moisiu i tha Jozuehut: “ Zgjedh disa burra dhe dil e lufto kundër Amalekut. Nesër unë do të qëndroj në majë të kodrës me shkopin e Hyjit në dorë.” Jozuehu bëri siç urdhëroi Moisiu dhe doli në luftë kundër Amalekut, kurse Moisiu, Aroni dhe Huri u ngjitën në majën e kodrës.

Kur Moisiu i çonte duart lartë, Izraeli ishte më i fortë; por kur i ulte, përparonte Amaleku. Porse Moisiut i ishin lodhur duart. Ata morën një gur, e vunë nën të, e Moisiu u ul në të; Aroni e Huri ia mbanin duart, njëri nga njëra e tjetri nga tjetra anë. Kështu duart e tija qëndruan lart deri në perëndim të diellit e Jozuehu e mundi me teh të shpatës Amalekun dhe popullin e tij. Fjala e Zotit.

Psalmi 121

Ndihma jonë vjen prej Zotit

----- ----- -----

Sytë e mi i ngre drejt maleve:

prej nga do të më vijë mua ndihma?

Ndihma ime vjen prej Zotit,

i cili krijoi qiellin e tokën.

----- ----- -----

S’do të lejojë që të merren këmbët,

nuk do të kotet ai që të ruan.

Jo, s’do të kotet as s’do të flejë

ai që e ruan Izraelin.

----- ----- -----

Zoti është rojtari yt, Zoti është hija jote,

Zoti është në të djathtën tënde!

Dielli nuk do të të bëjë keq ditën,

as hëna natën.

----- ----- -----

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe,

Zoti do ta ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë vajtjet e ardhjet e tua

që tani e përgjithmonë e jetës.

----- ----- -----

Leximi i dytë 2 Tim 3, 14 – 4, 2

Pali na nxit të ushqejmë besimin duke lexuar Shkrimet e Shenjta dhe të shpallim Fjalën e Hyjit pa frikë. Lexohet Bibla jo për tu mbyllur në një burg, por për të zbuluar së bashku me vëllezërit planin e Hyjit në histori. Bibla lexohet duke ecur me të tjerët. Të shpallësh fjalën do të thotë të dialogosh për të mësuar njëri-tjetrin.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, qëndro në mësim që ke marrë dhe në atë që t’u besua duke e ditur se prej kujt i mësove dhe se qysh prej fëmijërisë e njeh Shkrimin shenjt, i cili është i aftë të japë dijen që çon në shëlbim me anë të fesë në Jezu Krishtin. I tërë Shkrimi shenjt, E frymëzuar prej Hyjit, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi, që njeriu i Hyjit të jetë i përsosur, i përshtatur për të kryer çdo vepër të mirë.

Po të përbej para Hyjit dhe para Krishtit Jezus, i cili do të gjykojë të gjallët e të vdekurit: pash ardhjen e tij dhe Mbretërinë e tij, predikoje fjalën, nxit në rast të volitshëm dhe në rast të pavolitshëm, këshillo, qorto, urdhëro me plot duresë dhe mësim! Fjala e Zotit.

ALELUJA, alleluja. Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij. Aleluja.

 

Ungjilli Lk 18, 1-8

Të lutesh pa u lodhur do të thotë të pranosh ngadalësinë e rritjes së Mbretërisë, në fakt edhe Hyji e pranon. Lutja bëhet kështu një mjet për të treguar se kush është Hyji dhe si sillet Ai ndaj njerëzve. Hyji na pret pa pretenduar të gjejë akoma besimin në njeriun. Edhe i krishteri që lutet është në pritje pa qenë i sigurt nëse ka arritur qëllimin e tij.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet shëmbëlltyrën sesi duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. Ai tha: “Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e druante e për njerëz nuk e çante kryet. Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ Por ai s’qe në kujdes për një kohë të gjatë. Dikur tha vetë me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kryet, megjithatë, pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore’.”

Zotëria vazhdoi: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? Unë po ju them: do të ngritët me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?” Fjala e Zotit!

18 tetor 2019, 17:49