Kërko

Gesu Cristo Vangelo della Domenica Gesu Cristo Vangelo della Domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit “C”

Ungjilli i kësaj së diele, nga Luka (17,11-19), na rrëfen shërimin e dhjetë të sëmurëve nga gërbula bërë nga Jezusi. Një i vetëm, edhe ai i huaj, një Samaritanas, u kthye për të falënderuar bamirësin e vet, Jezusin. Ai, samaritani i huaj, bëhet për ne shembull feje e dashurie.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit “C”

Liturgjia e kësaj së diele na propozon temën e fesë, të mrekullisë, të mirënjohjes e të falënderimit tonë ndaj Bamirësit tonë më të madh, që është Zoti. Edhe këtë të diel, Feja në Zotin është në qendër të leximeve biblike të liturgjisë. “Feja jote të shpëtoi”, ky mesazhi që jehon në Ungjillin e kësaj së diele nga Luka, mesazh që bënë të shpërthejë në shpirtin e besimtarit falënderimin  mirënjohës ndaj Zotit. Shpëtimi i përjetshëm, vërtetë, është dhuratë e fituar dhe jo arritje njerëzore.

Mirënjohja është qendra e çdo Eukaristie. Këtë e shpjegon mirë lutja e hyrjes së Meshës të kësaj së diele të 28-të gjatë vitit kishtar ‘C’ nga Meshari Romak, e cila na bënë të lutemi kështu: “Çdo vëlla në këtë ditë të shenjtë të kthehet për të të lavdëruar për dhuratën e fesë, o Zot!”.

Historia e Naamanit, në Leximin I, tregon sjelljen e mirënjohjes ndaj Hyjit, falënderimin që shprehet me një rrëfim të fesë: “Tani po e di se s’ka Hyj në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael!”.

Arsyeja e falënderimit është besnikëria e Zotit. Leximi II i kësaj së diele është shumë i qartë lidhur me këtë: “Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten!”.

Ungjilli i Lukës, kësaj së diel na tregon për takimin e të gërbulurve me Jezusin dhe shërimin e tyre. Fragmenti ungjillor përqendrohet pikërisht mbi mirënjohjen e vetëm njërit prej dhjetë të shëruarve, të cilit Jezusi i thotë: “Çohu e shko – i tha – feja jote të shpëtoi!”. Një i vetëm prej dhjetë të shëruarve, edhe ai i huaj (një Samaritanas), u kthye për të falënderuar bamirësin e vet, Krishtin Zot. Ai, samaritani, bëhet për ne shembull feje e dashurie.

                                               Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 2 Mbr 5, 14-17
Naamani është një gjeneral sirian, armik i Izraelit, është i gërbulur, dhe askush nuk arriti ta shërojë. Një skllave hebraike i sugjeron t’i drejtohet një profeti hebre. Naamani pranon të paguajë dhe të poshtërohet përpara një armiku. Profeti Elize nuk pretendon asgjë prej tij dhe e urdhëron të lahet në Jordan. Është e kotë të bësh shumë gjëra për të qenë një besimtar i vërtetë: mjafton të mësosh të pranosh dhuratat.

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve
Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua. Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani po e di se s’ka Hyj në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd.” Por ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi s’i marr.” Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi. I tha Naamani: “Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.”  Fjala e Zotit.

Psalmi 98
Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit

---- ---- ----
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
---- ---- ----
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet ndaj shtëpisë së Izraelit.
---- ---- ----
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
---- ---- ----

Leximi i dytë 2 Tim 2, 8-13
Në jetë është e nevojshme të luftosh, Ungjilli mund të të dërgojë në burg. Fjala e lirë e Jezusit të kryqëzuar e ka dërguar Palin në burg dhe ka zbuluar fuqinë e saj të vërtetë. Një mesazh, po të mos ngjallte kundërshtime nuk do të ishte i vërtetë, por do të ishte një tradhti. Jezu Krishti është arsyeja jonë e vërtetë për të jetuar dhe për të shpresuar, sepse ka vdekur për ne.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj, për shkak të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme. E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten! Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Jemi fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë; shpallni veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri  nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
Aleluja.

Ungjilli Lk 17, 11-19
Nëntë të gërbulurit e parë të shëruar prej Jezusit, të shqetësuar për t’iu bindur përshkrimit të ligjeve për të vërtetuar shërimin e tyre, kanë preferuar më shumë të binden sesa të falënderojnë atë që i ka shëruar. I dhjeti i gërbulur përkundrazi, nuk i nënshtrohet provimit të ligjit dhe preferon lirinë për të falënderuar. Besimi lind nga njohja e dhuratës së Hyjit dhe shprehet nëpërmjet një falënderimi të pafund.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Duke udhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile. Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki dhimbë për ne!” Kur i pa u tha: “Shkoni e paraqituni priftërinjve!” E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.
Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas. Jezusi mori fjalën e tha: “Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? Çohu e shko – i tha – feja jote të shpëtoi!” Fjala e Zotit.

11 tetor 2019, 17:42