Kërko

Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I 

Vizitë historike e Bartolomeut I në Ungër

Sot, Patriarku ekumenik i Kostandinopojës takoi bashkësitë katolike arbëreshe të ritit bizantin në Ungër, në 100-vjetorin e themelimit të Eparkisë. Ipeshkvi, imzot Donato Oliverio: “Vizitë, që i jep forcë të re udhës ekumenike”.

R.SH. - Vatikan

Filloi sot e do të përfundojë nesër, më 19 shtator, vizita e Bartolomeut I, Patriark Ekumenik i Kostandinopojës, në Eparkinë e Ungrës (Lungro), në Kalabri. Kësaj Eparkie, seli e Kishës Katolike Bizantine Lindore në Itali, i referohen të gjitha bashkësitë arbëreshe, që i mbetën besnikë traditës së të parëve. Në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican Neës, ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliveiro, shpreh gëzimin e bashkësisë së tij, duke shpjeguar se ardhja e Bartolomeut I “është një hir kaq i madh i Zotit, sa duhet të lëvdojmë Trininë Shenjte”. Me të vërtetë, është absolutisht hera e parë që një patriark ekumenik shkon zyrtarisht në Ungër për të takuar besimtarët, duke shfrytëzuar rastin e 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë nga Papa Benedikti XV, në vitin 1919.

Nxitje e re për udhën ekumenike

         “Kjo vizitë shënon një udhë të re dhe unike ekumenike ndërmjet Ungrës dhe Kostandinopojës” siguron Imzot Oliveiro, në intervistën e tij. E shkon edhe më tej: “Eparkia e Ungrës bëhet subjekti i një veprimi ekumenik konkret dhe të frytshëm. Hapen mundësi të reja për njohjen e anasjelltë dhe për marrëdhënie personale, të cilat, shpresoj, do të lindin forma të reja bashkëpunimi vëllazëror”. Duke iu referuar fillimit të historisë së Eparkisë, ipeshkvi i Ungrës shpjegon se ajo “është një hallkë e ndritshme lidhëse dhe një model unik besnikërie ndaj përshpirtërisë lindore dhe direktivave të Selisë së Shenjtë”.

E ardhmja e Eparkisë

         Imzot Oliverio e sheh me shpresë të ardhmen e bashkësive katolike arbëreshe të ritit bizantin në Kalabri. Arsyeja, shpjegon ai, qëndron në faktin se këtu “Kisha merr frymë me dy mushkëri. Në një shekull, Eparkia jonë ka ndihmuar në ruajtjen e parimit të larmisë së ligjshme në unitetin e fesë. Eparkia e bën të dukshëm thesarin e Lindjes së krishterë, mbjellë shenjtërisht në Perëndim. Dhe e bën këtë përmes trashëgimisë së saj liturgjike, ceremoniale, ikonografike, teologjike dhe kulturore”.

18 shtator 2019, 15:49