Kërko

Shëmbëlltyra e Lazrit të varfër dhe e njeriut të pasur Shëmbëlltyra e Lazrit të varfër dhe e njeriut të pasur 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXVI të vitit kishtar 'C'

Ungjilli, i kësaj së diele së XXVI të vitit kishtar 'C', është marrë nga kapitulli i 16-të i shën Lukës e na tregon shëmbëlltyrën e Lazrit të varfër e të njeriut të pasur.

R.SH. - Vatikan

Nga Ungjilli i Lukёs (16,19-31)

“19 Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqimisht si një ditë për ditë. 20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër 21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.

22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. 23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij 24 e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën...’ 25 Abrahami i përgjigji: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. 26 Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe…’

27 Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim et, 28 se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht...’ 29 Abrahami i përgjigji: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’”

Të lutemi së bashku:

I ulur në trotuaret e qytetit tim

është dikush, që më pret mua, o Zot,

për të më lypur qoftë një thërrime

të asaj që kam, të asaj që jam, të asaj që mundem.

 

Është dikush pa shtëpi, që kërkon mikpritje.

Është dikush i larguar nga toka e vet, që kërkon liri.

Është një endacak i panjohur, që kërkon një copë bukë.

Është një i moshuar, që kërkon një dorë ta mbajë.

Është një grua, që përlotet, sepse e kanë trajtuar keq.

Është një ish-i burgosur, që askush s’e merr në punë.

 

Ç’vlerë ka lutja ime, o Zot

nëse mbaj gjithçka për vete?

Ç’vlerë ka bashkimi im me Ty, o Zot,

nëse nuk bashkohem me të varfërin, që takoj?

Ç’vlerë ka pagëzimi im

nëse nuk arrij të ndaj me të vuajtjen?

Ç’vlerë ka festa, o Zot

nëse nuk di t’i qëndroj pranë

që edhe ai t’i buzëqeshë jetës?

 

Më ndihmo o Zot, të jem, çdo ditë,

dorë që dhuron, zemër që mirëpret, fytyrë që buzëqesh,

e kështu, të ndihem solidar

me çdo të varfër që takoj.

 

Më vjen turp, o Zot, të quhem njeri

nëse nuk gjej guximin

për të ecur me hapin e Lazrit,

që të jetojmë e të shpresojmë të gjithë bashkë

me dinjitetin e barabartë të bijve të Tu. Amen.

28 shtator 2019, 09:27