Kërko

Kthimi i djalit plangprishës, Rembrandt Kthimi i djalit plangprishës, Rembrandt 

Të meditojmë me Ungjillin e dielës XXIV të vitit kishtar ‘C’

Zoti, si babai i djalit plangprishës, ose më mirë, e atit të mëshirshëm, qё na rrёfen shёmbylltura e Ungjillit tё Lukёs, na lë të lirë të gabojmë, por na pret gjithnjë me krahë hapur. Figura e atit të shëmbëlltyrës ungjillore na zbulon zemrën e Zotit. Jezusi na mëson të jemi të mëshirshëm, si Ati.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i kësaj së diele është marrë nga kapitulli 15 i shën Lukës dhe pasqyron një nga shëmbëlltyrat më të njohura, atë të “djalit plangprishës” apo siç ёshtё tashmё e njohur,  shëmbëlltyra e “atit të mëshirshëm”. Asnjë faqe e shkruar në botë nuk arrin si kjo thellësitë e mënyrës sonë të të jetuarit, duke na lënë të shqyrtojmë vetë zemrën e Zotit. Të lëshohemi në krahët e Zotit e të rilindim nga dashuria e tij e mëshirshme.

Ja një pjesë e shëmbëlltyrës nga Ungjilli sipas Lukёs:

Nga Ungjilli sipas Lukёs

18 ‘Do të çohem e do të shkoj tek im atë dhe do t'i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një nga rrogëtarët e tu’. 20 U çua dhe e mori rrugë të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir…!’

22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vërjani unazën në gisht dhe sandalet në këmbë! 23 Sillni viçin e majmur dhe prejeni, të hamë dhe të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’. E filluan të dëfrehen”.

Të lutemi së bashku me Ungjillin:

Nëse takimi me Ty, o Jezus,

ma ka ndryshuar jetën,

kjo ka ndodhur sepse Ti më ke bërë të provoj

një dhembshuri pa kufi.

Jam mësuar tashmë, t’i bëj llogaritë me brishtësitë e mëkatet e mia,

e disa herë në ditë ndihem

i papërshtatshëm e i ngathët në përpjekjet

për të vënë në jetë Ungjillin Tënd.

Por, e di se mund të mbështetem gjithnjë

mbi dashurinë Tënde të paanë.

Kur humbavitem, kur largohem prej Teje,

kur përplas derën e shtëpisë për të ikur

në kërkim të ndjesive eksituese,

e kuptoj pastaj dhe e pranoj me turp

gjendjen time të mjeruar,

e ndiej mall për Ty,

kam uri për bukën Tënde, kam etje për ujin Tënd.

E kur më ndodh të jem nën prangat

e gabimeve të mia, të dëshirave më të ulta,

Ti nuk më braktis në fatin tim,

nuk më lë të mbytem nga dëshpërimi.

Më kërkon, vjen drejt meje,

më tregon sa e çmuar është

në sytë e Tu, kjo jeta ime.

E unë, si delja e humbur

si djali plangprishës, ikur larg,

ndiej se jam shkaku i gëzimit Tënd,

njoh shenjat e padyshimta

të dashurisë Tënde të pamasë,

të faljes, që shëron e ngre sërish në këmbë.

Pse je kështu? Krejt i thjeshtë?

Sepse edhe Zoti, Ati yt, kështu është! 

12 shtator 2019, 18:02