"Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im" "Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im" 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXIII të vitit kishtar

Kush nuk heq dorë nga pasuria, nuk mund të jetë dishepulli im: kështu thotë Krishti në Ungjillin e kësaj së diele, e 23-ta e vitit kishtar, ciklit të tretë. Ja pjesa, marrë nga kapitulli 14 i Ungjillit sipas Lukës.

R.SH. - Vatikan

“25 Një mori e madhe populli po bënte rrugën me të. Ai u kthye kah ata dhe tha:

26 ‘Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër se mua babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje dhe jetën e vet, nuk mund të jetë nxënësi im. 27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im… 33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im”.

Të lutemi së bashku

Edhe unë u entuziazmova nga fjalët e tua.

Më në fund, një Mësues që flet

qartë e thjeshtë.

Më në fund, dikush që e ka për zemër

fatin e njerëzve, vuajtjen e tyre.

Më në fund, parime të qarta si qelibari

pikë referimi për gjithkënd.

Më në fund, një lider që nuk ka frikë

nga arroganca e krerëve dhe nga pushteti i tyre.

Kisha pra, njëmijë arsye për të të ndjekur,

për të të thënë se edhe unë doja të isha me të tutë,

sepse ky më dukej me të vërtetë një vendim i mirë,

vendim i drejtë, vendim i duhur, i përshtatshëm.

Po tani o Jezus, po bën gjithçka për të më shkurajuar,

për të më futur frikën, për të më mbajtur larg.

Më duket sikur gati po më tall…

Nuk të mjafton që të duartrokas

e brohoras për Ty bashkë me të tjerët?

Jo, më duhet edhe të bart kryqin tim

e të vij pas teje me këtë barrë me vete!

Nuk të mjafton miratimi im,

të gjitha gjërat që them në favorin tënd?

Jo, u dashka edhe të jem gati

të përballoj çdo kundërshti,

të lë pas çdo gjë,

e madje, ta humbas edhe jetën!

Po, e them sinqerisht, o Jezus,

më duket se po tallesh me mua…

Më thua deri se duhet t’i bëj mirë llogaritë,

ta mendoj mirë ç’do të thotë

të vij pas Teje, të bëhem dishepulli Yt:

nëse është tepër e rëndë për mua,

më mirë ta lë këtë punë që tani!

Epo atëherë, nuk pyeske nëse të ndjekin apo jo turmat,

nuk kërkoke pra, brohoritje e hosana?

Më thuaj pak: e bën kastile, kur na vë përpara kaq shumë vështirësi?

07 shtator 2019, 11:21