Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXIII të vitit kishtar
R.SH. - Vatikan
“25 Një mori e madhe populli po bënte rrugën me të. Ai u kthye kah ata dhe tha:
26 ‘Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër se mua babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje dhe jetën e vet, nuk mund të jetë nxënësi im. 27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im… 33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im”.
Të lutemi së bashku
Edhe unë u entuziazmova nga fjalët e tua.
Më në fund, një Mësues që flet
qartë e thjeshtë.
Më në fund, dikush që e ka për zemër
fatin e njerëzve, vuajtjen e tyre.
Më në fund, parime të qarta si qelibari
pikë referimi për gjithkënd.
Më në fund, një lider që nuk ka frikë
nga arroganca e krerëve dhe nga pushteti i tyre.
Kisha pra, njëmijë arsye për të të ndjekur,
për të të thënë se edhe unë doja të isha me të tutë,
sepse ky më dukej me të vërtetë një vendim i mirë,
vendim i drejtë, vendim i duhur, i përshtatshëm.
Po tani o Jezus, po bën gjithçka për të më shkurajuar,
për të më futur frikën, për të më mbajtur larg.
Më duket sikur gati po më tall…
Nuk të mjafton që të duartrokas
e brohoras për Ty bashkë me të tjerët?
Jo, më duhet edhe të bart kryqin tim
e të vij pas teje me këtë barrë me vete!
Nuk të mjafton miratimi im,
të gjitha gjërat që them në favorin tënd?
Jo, u dashka edhe të jem gati
të përballoj çdo kundërshti,
të lë pas çdo gjë,
e madje, ta humbas edhe jetën!
Po, e them sinqerisht, o Jezus,
më duket se po tallesh me mua…
Më thua deri se duhet t’i bëj mirë llogaritë,
ta mendoj mirë ç’do të thotë
të vij pas Teje, të bëhem dishepulli Yt:
nëse është tepër e rëndë për mua,
më mirë ta lë këtë punë që tani!
Epo atëherë, nuk pyeske nëse të ndjekin apo jo turmat,
nuk kërkoke pra, brohoritje e hosana?
Më thuaj pak: e bën kastile, kur na vë përpara kaq shumë vështirësi?