Kërko

Vatican News
Ungjilli i së dielës Ungjilli i së dielës 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXII të vitit kishtar

Ungjilli i kësaj së diele, e 22-ta e vitit kishtar "C", na tregon se ai që përvuhet do të lartohet para syve të Zotit. Është marrë nga kapitulli 14 sipas Lukës:

R.SH. - Vatikan

7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, Jezusi u tha këtë shëmbëlltyrë:

8 ‘Kur ndokush të të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit… shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart’. Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten do të lartësohet’.

12 Ai iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: ‘Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë që edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. 13 Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. 14 Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehesh në të ngjallur të të drejtëve”.

Të lutemi së bashku

 

Nuk të shpëton asgjë, o Jezus!

Është e vërtetë: u vërsula drejt vendeve të para,

por është çështje përparësish

se të gjithë i njohin meritat dhe rolin tim!

Nuk jam i ftuar i çfarëdoshëm,

s’mund të më lënë në një qoshe, gati jashtë derës!

Jam i vetëdijshëm për të gjitha të mirat

që kam bërë për të tjerët,

për çdo gjë, që kam shpenzuar për bashkësinë,

e fundja, kam të drejtë të shpërblehem disi për këtë.

 

Po, jam bujar – e thonë të gjithë –

po s’mund të heq dorë nga ndonjë përfitim i vogël.

Jam bujar me të pushtetshmit,

sepse është e vetmja mënyrë që të më lënë rehat.

Jam bujar me eprorët,

sepse dua të bëj karrierë.

Jam bujar me ata, që i përkasin rrethit tim,

që kanë të njëjtin nivel shoqëror me mua,

sepse e di se kështu, nuk i harxhoj paratë kot:

jap e marr, ftoj e më ftojnë,

shpenzoj, por pastaj, u takon atyre të shpenzojnë për mua.

 

E më ngjan e çuditshme, kjo mënyra jote për t’i parë gjërat!

Ti, o Jezus, do të doje që të ftoj nëpër drekëra e darka

të varfërit, të gjymtët, të çalët e të verbërit?

E ç’përfitim mund të kem

nga këta të shkretë, që s’kanë

asnjë dyshkë në xhep?

 

E pastaj, me tregon vendin e të fundmëve,

të atyre që s’i llogarit kush,

të atyre që shërbejnë vetëm si kornizë

nëpër drekërat e nëpër mbledhjet e rëndësishme

e unë u dashka të ulem aty?

Po a është e vërtetë që vetëm aty

mund të të takoj?

E se vetëm duke grishur skamnorët

do të kem fatin të të ftoj edhe Ty?

31 gusht 2019, 10:50