Kërko

 vetrate Chiesa vetrate Chiesa 

Shenjtorët e javës 8 - 15 shtator

Feja nuk është diçka që imponohet. Një prozelitizem i tille është i huaj për krishterimin. Feja në Zotin mund të zhvillohet vetëm në liri. Vetëm në liri njerëzit mund të shërohen nga shurdhëzimi përballë zërit të Zotit, sëmundje nga e cila vuajmë posaçërisht në këtë kohen tonë.

R.SH. - Vatikan

E diel 8 shtator, Kisha katolike kremton të dielën e 23-të gjatë vitit kishtar, gjithnjё mё 8 shtator bie edhe festa e të Lindurit të Virgjërës Mari. Porosia e Ungjillit të dielës së 23- të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, na kujton se dishepulli duhet ta ketë gjithnjë Zotin në qendër të jetës së vet. Zoti ka vënë në të - Virgjërën Mari -burimet e jetës, është e zgjedhura mbi të gjitha gratë. Jezu Krishti është mishëruar në kraharorin virgjëror të një vajze, në një vend të vogël të Galilesë; është lindur në Betlehem, në një vend të thjeshtë të Judesë, e në shtëpinë e varfër të Nazaretit është rritur duke vënë themelet e misionit shpëtimtar.

Të hënën mё 9 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Pjetrin Klaver, meshtar jezuit, apostull ndër zezakë të internuar.  Shën Pjetër Klaver, meshtar i Shoqërisë së Jezusit, i cili, në Kartagjenë të Kolumbisë, punoi me përkushtim, zell e dashuri për dyzet vjet, në mbrojtje të skllevërve të zinj. Shoqëroi tek gurra e pagëzimit treqind mijë prej tyre të cilët i pagëzoi me dorën e vet.

Të martën me 10 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar agostinian. Liturgjia e ditës na kujton se në Hyjin është shpëtimi im e lëvdimi im, siç pohon Psalmi i ditës. Duke sfiduar çdo akuzë, Jezusi pikërisht ditën e shtunë, që për hebrenjtë është ditë e shenjtë e nuk punohet fare, e shëron njeriun nga sëmundja e paralizimit të dorës. Sipas Biblës festa e vërtetë është vetëm atëherë kur i kushtojmë kohë lavdërimit të Zotit e veprave të bamirësisë në dobi të atij që ka nevojë për ndihmë.

Të mërkurën me 11 shtator, sipas kalendarit kishtar përkujtohen shenjtorët Proto e Gjaçinto, martirë dhe i lumi Bonaventura nga Barcelona, rregulltar françeskan.  Liturgjia e ditës na kujton se nganjëherë, për të bërë vepra të mira, duhet shumë guxim: ka njerëz që nuk kanë guxim të pendohen dhe u krijojnë pengesa atyre që bëjnë vepra të mira. Shenjtorët, duke u përpjekur t’i ngjasin Krishtit, kanë qenë gjithnjë njerëz të guximshëm.

Të enjten me 12 shtator, kremtohet festa e Emrit të Shenjtë të Virgjërës Mari, si dhe përkujtohet shën Guido nga Brabanti e Shën Silvani i Veronës.  Emri i Zojës Mari na kujton se nuk mund të quhemi ndjekës të Krishtit, në se nuk jemi edhe njerëz të uratës. Jezusi kalonte net të tëra në lutje, duke na mësuar të vërtetën se bota kthehet në rrugën e Zotit ‘me gjunjë’.

Të premten me 13 shtator, kalendari përkujton shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i Kishës, këndues i mrekullueshëm i lavdisë së Zotit.  Liturgjia e ditës na kujton se revolucionari më i madh që njeh historia është Jezusi: duke shpallur Ungjillin, në mënyrë të veçantë ‘Lumnitë’, Krishti revolucionarizoi mendësinë e mbarë popujve dhe vuri në jetë një ligj të ri

Të shtunën më 14 shtator, kalendari kishtar kremton festën e Naltimit të Kryqit të Shenjtë të Jezu Krishtit, siç njihet tek popullit shqiptar, festën e Shëna Kryqit, e po më 14 shtator përkujtohet edhe shën Albertin, patrik të Jerusalemit. Festa e Naltimit të Kryqit të Shenjtë kremton një fakt historik të epokës së perandorit Kostandinit e nënës së tij Helenes, kur qe zbuluar mbi Golgotë në Jerusalem, Kryqi, mjeti i vdekjes së Krishtit. Ky Kryq i Krishti gjendet në Bazilikën e Jerusalemit. Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe njerëzimin. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit të gjithëve na është dhuruar jeta e amshuar.  

Të dielën e ardhshme më 15 shtator Kisha do të kremtojë të dielën e 24-të gjatë vitit kishtare, gjithnjё mё 15 shtator, kalendari kremton edhe një nga festat më prekëse që ka për zemër populli besimtar katolikë, atë të Zojës së Dhimbshme.  Në dhimbje, më ndihmo, o Zot. Martire megjithëse pa vdekur është Maria nën kryqin e të Birit. Nga shkatërrimi e dhimbja do të vijë ngjallja; në vend të Birit të humbur, do të ketë një mori e madhe besimtarësh në Krishtin.

08 shtator 2019, 08:33