Kërko

Misericordia në Elbasan Misericordia në Elbasan 

Një “Misericordia” në Shqipëri: përurimi, të shtunën, në Elbasan

Në praninë e administratorit apostolik të Shqipërisë së Jugut, imzot Giovanni Peragine, të shtunën, më 14 shtator, u përurua në Elbasan selia e Vëllazërisë “Misericordia”.

R.SH. - Vatikan

Një “Misericordia” në Elbasan. Emri mund t’u duket i çuditshëm atyre, që nuk e dinë se “Misericordia”, pra, “Mëshira”, quhet një bashkim vëllazërish vullnetare italiane, që kanë për qëllim të zbatojnë bamirësinë dhe vëllazërimin e krishterë, përmes veprave të mëshirës shpirtërore dhe trupore, duke ndihmuar kështu, individë dhe bashkësi e, duke kontribuar në formimin e ndërgjegjeve, sipas mësimeve të Ungjillit dhe të Kishës Katolike Romake. Pikërisht ky rrjet i përhapur në gjithë Italinë, është i pranishëm që dje edhe në Shqipëri e pikërisht në Elbasan, në famullinë e Shën Piut X, e cila i është besuar Urdhrit të Misionarëve të Don Oriones.

Ndihmë për qytetin e Elbasanit

         Famullia është pjesë e Administraturës Apostolike të Shqipërisë së Jugut, udhëhequr nga ipeshkvi, imzot Giovanni Peragine. Veprimtaria do të fillohet nga një grup i vogël rregulltarësh dhe murgeshash, të cilëve u janë dhuruar tashmë dy ambulanca nga “Misericordia” toskane e Montekarlos dhe e Dikomanos. Shpresohet që kjo Vëllazëri e re të ndihmojë dhe t’i shërbejë qytetit të Elbasanit, me mbi 140.000 banorë, prej të cilëve rreth 1.000 janë katolikë. Ideja për të themeluar një Vëllazëri “Misericordia” në Shqipëri lindi në Montekarlo të Toskanës (provinca italiane e Lukës), ku Vëllazëria lokale priti disa vullnetarë nga Elbasani. Projekti u mbështet nga Koordinimi Lukez, nga Federata e Toskanës dhe nga Konfederata Kombëtare Italiane.

Përurimi nga imzot Giovanni Peragine

         Përurimi i Vëllazërisë së re u kremtua dje, në praninë e Administratorit Apostolik të Shqipërisë së Jugut, imzot Giovanni Peragine; të Bashkërektorit Kombëtar të “Misericordia”-s Italiane, imzot Franco Agostinelli; të Këshilltarit Kombëtar Pier Luigi Ciari, delegat për veprimtaritë ndërkombëtare; të Këshilltarit Kombëtar Alberto Corsinovi, delegat i Departamentit Kombëtar të Emergjencës dhe të Drejtorit të Departamentit Kombëtar të Emergjencës Gionata Fatichenti. Bashkë me ta, edhe Guvernatori i “Misericordia”-s së Montekarlos Mario Davini dhe Kryetari i Bashkisë Federico Carrara, së bashku me një grup të madh të Vëllazërive të “Misericordia”-s nga Montekarlo dhe Pulja e Italisë.

15 shtator 2019, 09:07