Gesù Cristo Vangelo della Domenica Gesù Cristo Vangelo della Domenica  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 25-të gjatë vitit “C”

Jezusi na mëson si duhet të përdorim pasurinë materiale. Kush është rob i pasurisë nuk mund të jetë besnik ndaj detyrave të veta të krishtera. Të mirat dhe pasuritë duhet të dimë t’i përdorim me urti, bujari, liri e shkëputje.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 25-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është: përdorimi i pasurive, përdorimi i parave. Kështu, kësaj here, përmes Fjalës së Tij Hyjnore, Zoti na thërret e këshillon të pasurohemi para Tij me vepra të mira, me vepra dashurie për të mbledhur e siguruar thesare për në qiell. Përmes Ungjillit të kësaj së diele, nga Luka 16,1-13, Jezusi na mëson si duhet të përdorim pasurinë materiale. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 25-të gjatë vitit “C”

Siç na mëson  Ungjilli i kësaj së diele nga Luka (16,1-13), si besimtarë duhet të jetojmë sipas logjikës së Ungjillit, duke zgjedhur udhën e drejtë që na tregon Jezusi e duke mos ndjekur logjikën e një “korrupsioni të përhapur”. Jezusi, në fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele nga Luka (Lk 10,10-13) na sjell të reflektojmë mbi dy stile të kundërta të jetës : atë mondan e atë të Ungjillit. Dhe këtë e bën përmes tregimit të shëmbëlltyrës së mbarështuesit - administratorit të pandershëm e të korruptuar, të cilin Jezusi e lavdëron, megjithëse ishte i pandershëm (krh Lk 16,1-13).

Duhet të saktësojmë menjëherë se ky mbarështues nuk paraqitet si shembull për t’u ndjekur, por si shembull i shkathtësisë (dinakërisë). Ky njeri akuzohej për mbarështimin e keq të të mirave dhe të punëve të zotërisë të vet e, para se të largohej, mundohej me shkathtësi t’i bënte për vete borxhlitë, duke ua falur borxhin atyre për të siguruar kështu një të ardhme. Duke komentuar këtë sjellje, Jezusi vëren: “Bijtë e kësaj bote, janë më të kujdesshëm në marrëdhënie të shoqishoshme se bijtë e dritës” (rr. 8).

Para një shkathtësie të tillë mondane, jemi të thirrur të përgjigjemi me shkathtësinë e krishterë, që është dhuratë e Shpirtit Shenjt Zot. Është fjala për t’u larguar nga shpirti e për t’u shkëputur nga vlerat e botës, që kaq shumë i pëlqejnë djallit, për të jetuar sipas Ungjillit. Mondaniteti shfaqet me sjelljet e veprat e korrupsionit, të mashtrimit, të nëpërkëmbjes, e përbënë udhën më të gabuar, udhën e mëkatit, megjithëse është ajo më komode për t’u përshkuar. Ndërsa shpirti i Ungjillit kërkon stilin e jetës serioze e impenjuese, që ka në vete ndershmërinë, korrektësinë, respektin ndaj të tjerëve e ndaj dinjitetit të tyre, ndjenjën e detyrës. Kjo është shkathtësia e krishterë!

Udha e jetës sjell në zgjedhjen dhe përcaktimin tonë ndërmjet dy udhëve: ndërmjet ndershmërisë e pandershmërisë, ndërmjet besnikërisë e pabesnikërisë, ndërmjet egoizmit e altruizmit, ndërmjet së mirës e së keqes. Nuk mund të luhatemi ndërmjet njërës e tjetrës, sepse lëvizin sipas logjikëve të ndryshme e të kundërta. Është më rëndësi, pra, të vendosim se të cilin drejtim duhet të marrim e pastaj, pasi të kemi zgjedhur udhën e drejtë, të ecim me zell e vendosmëri, duke u mbështetur në hirin e Zotit e në mbështetjen e Shpirtit të tij. Përfundimi i fragmenti të Ungjillit të kësaj së diele është i fortë e kategorik: “Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve, sepse ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë” (rr.13).

Jezusi, pra, na këshillon e nxit të zgjedhim e të përcaktohemi në mënyrë të qartë ndërmjet Tij e shpirtit të botës, ndërmjet logjikës së korrupsionit e lakmisë dhe asaj të ndershmërisë e bujarisë, ndarjes bashkë me të tjerët. Mos të harrojmë edhe se korrupsioni prodhon përshtatshmërinë, lind varfëri, shfrytëzim, vuajtje. Ndërsa përkundrazi, kur provojmë të ndjekim logjikën ungjillore të integritetit, të qartësisë në synime e në sjellje, të vëllazërimit, ne bëhemi artizanë të drejtësisë dhe hapim horizonte plotë shpresë për njerëzimin. Në dhurimin falas të vetvetes për vëllezërit tanë, ne shërbejmë zotërinë e drejtë: Zotin.

                                        Liturgjia e Fjalës 

Leximi i parë Am 8, 4-7

Shpesh besimtari mendon të ruajë ndërgjegjen e mirë me praktika të jashtme: të respektojë të shtunën, të vërë në praktikë normat fetare dhe formale. Por nëse besimtari nuk ka edhe një bamirësi të sinqertë drejt vëllezërve që realizohet me veprime konkrete dhe jo vetëm me mendime të mira, rrezikon të bjerë në gjykimin shumë të ashpër të Hyjit kundër hipokrizisë.

Lexim prej Librit të Amosit profet

Dëgjoni këtë ju, që e shtypni skamnorin, që shfrytëzoni nevojtarët e vendit, ju që thoni: ‘Kur po kalon më hëna e re, të mund t’i shesim mallrat? Edhe e shtuna e të mund të shesim grurë? Të zvogëlojmë masën e të shtojmë siklin, të përdorim peshore të rrejshme, për t’i blerë skamnorët me para, të vobektin me një palë këpucë, t’i shesim edhe të hedhat e grurit?’ Zoti përbetohet me nderin e Jakobit: “Askurrë s’do t’i harroj veprat e tyre!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi 113

Shikimi i Zotit është mbi skamnorin

----- ----- -----

Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit,

lavdërojeni Emrin e Zotit!

Qoftë bekuar Emri i Zotit

qysh tash e deri në amshim.

----- ----- -----

I madhërueshëm është Zoti

mbi të gjithë popujt,

lavdia e tij i tejkalon qiejt.

Kush është si Zoti, Hyji ynë,

që fronin e ka në lartësi,

e nga lart vrojton qiellin e tokën?

----- ----- -----

Nga pluhuri e ngreh skamnorin,

nga llomi e lartëson të vobektin,

për ta vënë të rrijë me princa,

me princat e popullit të vet.

----- ----- -----

Leximi i dytë 1 Tim 2, 1-8

Të gjithë të krishterët nëpërmjet pagëzimit janë meshtarë, të dërguar nga Hyji afër njerëzve, përfaqësues të njerëzve pranë Hyjit. Çdo të diel kur të krishterët kremtojnë Eukaristinë kryejnë këtë detyrë në lutjen e besimtarëve, duke i paraqitur Hyjit gëzimet, shpresat, vuajtjet dhe ankthet e të gjithë njerëzve.  Pas Eukaristisë dërgohen në botë për të kryer veprat e Hyjit në favor të njerëzve.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, po të porosis më së pari le të bëhen kërkesa, lutje, urata, falënderje për të gjithë njerëzit, për mbretër dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që ta kalojmë jetën të qetë e të paqët në përkushti të plotë dhe në mënyrë të denjë. Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë, vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së vërtetës. Sepse Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve: Njeriu Jezu Krishti, i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit. Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar. Kësaj dëshmie unë iu bëra predikatar dhe apostull: ju them të vërtetën, nuk rrej; mësues i fesë dhe i së vërtetës për paganët. Dua, pra, që burrat në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja. Jezu Krishti, duke qenë i pasur, u bë për ne i varfër, që ne të bëhemi të pasur me anë të varfërisë së tij. Aleluja.

Ungjilli Lk 16, 1-13

Luka na kujton se njeriu nuk është pronar i të mirave të tij, por është thjesht vetëm një administrator në shërbim të të mirave të të gjithëve, dhe duhet të japë llogari se si e ka përdorur pasurinë që i është dhënë. Jezusi shfaqet i ashpër drejt atij që nuk di të organizojë jetën dhe të ardhmen e tij. Duhet të jemi të kujdesshëm, që do të thotë të vlerësojmë kohën dhe pasuritë e jetës për të zgjidhur ato probleme të pranishme në familjen tonë dhe në shoqërinë ku jetojmë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u thoshte nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse ti s’mund të jesh më mbarështues.’ Atëherë mbarështuesi tha në vetvete: ‘Çka të bëj mbasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih ....? Nuk mund! Të dal e të lyp ....? Më vjen turp! E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të qitem prej mbarështimit.’

Atëherë thirri një nga një detyrësit e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i ke detyrë zotërisë tim?’ Ai i përgjigji: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti, sa ke detyrë?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’

E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie të shoqishoqme se bijtë e dritës. Ndërsa unë po ju them: fitoni për veta miq me anë të pasurisë së rrejshme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.  Kush është besnik në sende të vogla, është besnik edhe në sende të mëdha; e kush nuk është besnik në sende të vogla, ai nuk është besnik as në sende të mëdha. Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rrejshme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?

Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve: Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.” Fjala e Zotit!

20 shtator 2019, 16:12