parabola del padre misericordioso vangelo della domenica parabola del padre misericordioso vangelo della domenica  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit "C"

Zoti e do gjithmonë të mirën tonë, Ai na do pambarimisht, edhe atëherë kur mëkatënojmë. Kapitulli 15-të i Ungjillit të Lukës, që konsiderohet si “kapitull i mëshirës”, përmbledh tri shëmbëlltyra përmes të cilave Jezusi u përgjigjet thashethemeve dhe pakënaqësisë së skribëve e farisenjve.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Leximet Biblike të kësaj së diele na flasin për përdëllimin e Hyjit. Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi, përmes tri shëmbëlltyrave, na propozon misterin e mëkatit e të dashurisë përdëllyese dhe të paparashikueshme të Hyjit. Kulmi i shëmbëlltyrës  ungjillore të deles së humbur na kujton se Zoti na do me një dashuri që tejkalon pabesnikëritë dhe mëkatet tona. 

Pra, është mëshira e Zotit e jo drejtësia njerëzore, ajo që e shpëton botën, këtë,  na kujton Ungjilli i kësaj së diele të 24-të ‘C’, nga Luka, me tri shëmbëlltyrat e mëshirës: atë të deles së humbur, atë e monedhës së humbur dhe atë atit të mëshirshëm apotëe djalit plangprishës e të djalit tjetër, që mendon se është i drejtë e i shenjtë. Shëmbëlltyrat  ungjillore të kësaj së diele, na flasin për gëzimin e Zotit.

E Zoti gëzohet kur fal! Është gëzimi i bariut, që rigjen delen e humbur; është i gëzimi i gruas që gjen monedhën; është gëzimi i atit, i cili pret krahëhapur në shtëpi të birin, që e dinte të humbur, e dinte të vdekur e u kthye në jetë, u kthye në shtëpi. Këtu është krejt Ungjilli, i gjithë Ungjilli, i gjithë krishterimi! Por mos të harrojmë se, nuk është ndjenjë e tipit ‘hajde të bëjmë mirë’! Përkundrazi, mëshira është forca e vërtetë, që mund ta shpëtojë njeriun dhe botën nga ‘gangrena’ e mëkatit, nga e keqja morale e shpirtërore. Vetëm dashuria e mbush boshllëkun, greminën negative, që e keqja hap në zemër të njeriu e në histori. Vetëm dashuria mund ta bëjë këtë e ky është gëzimi i Zotit.

Jezusi, na kujton Ungjilli, është krejt mëshirë, është krejt dashuri: është Zoti i bërë njeri. E secili prej nesh është ajo delja e humbur, është ajo monedha e humbur; secili prej nesh është ai bir, që e ka shpërdoruar lirinë e vet, duke ndjekur idhuj të rremë, mirazhe lumturie e kështu ka humbur gjithçka. Por Zoti nuk na harron, Ati i Gjithëpushtetshëm Hyj nuk na braktis kurrë. Është Atë plot durim: na pret gjithnjë! E respekton lirinë tonë, por mbetet gjithnjë besnik. E kur kthehemi tek Ai, na pret si bij, në shtëpinë e Tij, sepse nuk rresht kurrë, as për një çast të vetëm, të na presë me dashuri. E zemra e Tij është në festë për çdo bir që kthehet. Është në festë, sepse Ai është gëzimi vetë! Zoti gëzohet kur edhe një i vetëm prej nesh, mëkatar, shkon tek Ai dhe i kërkon falje.

Ka rrezik, na qorton Fjala e Zotit, që ne vetë të pretendojmë se jemi të drejtë, duke gjykuar kështu të tjerët. Por, në këtë mënyrë, gjykojmë edhe Zotin, sepse në vend që të falim, siç bën Ai, mendojmë se duhet t’i ndëshkojmë mëkatarët, t’i dënojmë me vdekje. Atëherë po, rrezikojmë të mbetemi jashtë shtëpisë së Atit! Ashtu si vëllai i madh i shëmbëlltyrës ungjillore të kësaj së diele, i cili në vend që të ishte i gëzuar për kthimin e vëllait të vogël, zemërohet me të atin, sepse e pret me festë. Nëse nuk kemi dashuri të vërtetë e mëshirë në zemër, nuk kemi gëzimin e faljes, nuk jemi të bashkuar me Zotin, edhe nëse i respektojmë të gjitha urdhërimet e Tij, sepse është dashuria që shpëton, e jo vetëm zbatimi i urdhërimeve. Është dashuria për Zotin dhe për të afërmin, që i plotëson të gjitha urdhërimet. E kjo është dashuria e Zotit, ky është gëzimi i Tij: të falë. Na pret gjithnjë,  mos të harrojmë. Ndoshta, ndokush ka diçka, që i rëndon në zemër, sepse thotë ‘kam bërë këtë, kam bërë atë’…po Zoti më pret, Zoti të pret! Ai është atë: gjithnjë na pret!.

Nëse jetojmë sipas ligjit “sy për sy e dhëmb për dhëmb”, nuk do të dalim kurrë nga spiralja e së keqes. Djalli - qoftëlargu është dinak e na mashtron, duke na bindur se me drejtësinë tonë njerëzore mund të shpëtojmë vetë e të shpëtojmë botën. Në të vërtetë, vetëm drejtësia e Zotit mund të na shpëtojë! E drejtësia e Zotit na u zbulua në Kryqin e Jezu Krishtit: Kryqi i Krishtit është gjykimi i Zotit për të gjithë ne e për këtë botë. Por si na gjykon Hyji? Duke dhuruar jetën për ne! Ja akti më i lartë i drejtësisë, që mposhti një herë e përgjithmonë Princin e kësaj bote, e ky akt suprem drejtësie e dashurie është edhe akt suprem mëshire. Jezusi, në Ungjill, na bën thirrje të gjithëve për ta ndjekur udhën e Tij: ‘Të jeni të mëshirshëm, ashtu siç është i mëshirshëm Ati juaj, që është në Qiell” (Lk 6,36)”.

                                                     Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 32, 7-11.13-14
Kur një mëkatar i afrohet Hyjit në lutje, është e natyrshme që ai i kërkon falje dhe merr mëshirën e tij. Kjo lutje është pjesërisht egoiste, sepse kërkon të rimarrë një paqe dhe një pafajshmëri të humbur. Por, Moisiu në lutje thërret dhe provokon vetë Hyjin në emër të hyjnisë së Tij që është mëshira dhe bamirësia. Dhe Hyji e dëgjon.


Lexim prej Librit të Daljes
Në ato ditë, Zoti i tha Moisiut: “Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish. E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë, e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: “Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!” Mandej Zoti i tha Moisiut: “Po shoh se ky popull është popull kokëfortë. Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros, e prej teje do të bëj një popull të madh.” 
Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: “Përse, o Zot, do të ndizet flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi të madhe e dorë të fortë? Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: ‘Do ta shtoj farën tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë, pët të cilën ju fola, do t’ia jap farës suaj; e do të jetë juaja përgjithmonë’.” Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i ishte kërcënuar popullit të vet. Fjala e Zotit.

Psalmi 51

Na e jep, o Zot, gëzimin e faljes sate
----- ----- -----
Ki mëshirë për mua, o Hyj, 
sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.
----- ----- -----
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje 
shpirtin tënd të shenjtë.
----- ----- -----
Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar.
----- ----- -----

Leximi i dytë 1 Tim 1, 12-17
Falja e Hyjit është pafundme. Shën Pali e pohon, sepse e di se jeta e tij është një shembull i gjallë i kësaj faljeje: Ai ka qenë një ndër mëkatarët më të këqinj, e megjithatë Hyji e ka falur dhe e ka zgjedhur. Megjithë mëkatet tona, Hyji zbulon nëpërmjet nesh faljen dhe dashurinë e tij

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
E falënderoj Atë që më dha fuqi, Krishtin Jezus, Zotin tonë, pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë. Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus. 
Kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. Ai pati mëshirë për mua me qëllim që në mua më të parin Jezu Krishti ta dëftojë tërë zemërgjerësinë e vet për t’u dhënë shembull të gjithë atyre që do të besojnë në Të për të fituar jetën e pasosur. Dhe Mbretit të shekujve, të pavdekshmit, të papashmit, një të vetmit Hyj i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen! Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Ne e njohëm e besuam në dashurinë që Zoti ka për ne.
Aleluja.

Ungjilli Lk 15, 1-32

Të jetë i gjithëpushtetshëm dhe të pranojë që djali i vogël të largohet nga shtëpia, për ta mikëpritur krahëhapur kur kthehet; të lërë gjithçka dhe të shkojë të kërkojë delen e humbur; të jetë pronar i gjithçkaje dhe të bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të vet; kjo mënyrë hyjnore e të sjellurit quhet mëshirë. Krishti është mishërimi i mëshirës së Hyjit dhe ka themeluar një popull të ri, ky popull i përbërë nga bij të humbur dhe pastaj të rigjetur. Edhe Kisha duhet të jetë shenjë e kësaj mëshirë hyjnore

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.” 
Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i tret, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të treturës derisa ta gjejë? Kur e gjen, plot gëzim, e vë në krah, dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për të nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen. 
Ose cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.” 
Mandej vijoi: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Vëniani unazën në dorë e sandalet në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen. 
Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.” Fjala e Zotit.

13 shtator 2019, 16:56