Kërko

Lëvizjet Popullore Lëvizjet Popullore 

Lëvizjet Popullore: shpresa, që mund të ndryshojë gjithçka

“Vrulli i lëvizjeve popullore” është libri i ri i Shtëpisë Botuese të Vatikanit LEV, ku përmblidhen pesë vite reflektimi për punën e mijëra shoqatave. Në parathënie, Papa Françesku nënvizon se “Lëvizjet Popullore kundërshtojnë kulturën e hedhurinave”.

R.SH. - Vatikan

“Në këtë çast, Lëvizjet Popullore janë dëshmi konkrete dhe e prekshme, pasi tregojnë se është e mundur të kundërshtohet kultura e hedhurinave, që i konsideron burrat, gratë, fëmijët dhe të moshuarit si të tepërt e, shpesh, të dëmshëm për procesin e prodhimit, dhe se është e mundur të krijohen forma të reja të punës, që kanë në qendër solidaritetin dhe përmasën komunitare, në një ekonomi artizanale dhe popullore”. Kështu e shpreh Papa Françesku afërsinë e tij me Lëvizjet Popullore në parathënien e librit “Vrulli i lëvizjeve popullore: Rerum Novarum i kohës sonë”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit.

         Vëllimi i përgatitur nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine, u paraqit dje pasdite në Romë, në Auditoriumin e Kuries së Përgjithshme të Shoqërisë së Jezusit. Në të përmblidhen tekste nga autorë të ndryshëm, që kanë folur në takimet botërore të “Lëvizjeve Popullore”, të cilat janë mbajtur në Romë në vitin 2014, në Santa Cruz de la Sierra në Bolivi në vitin 2015 dhe përsëri në Romë në vitin 2016.

Lëvizjet Popullore të përfshihen në zhvillimin e vendeve

         “Papa Françesku - shpjegoi gjatë paraqitjes së vëllimit kardinali Marc Ouellet, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë dhe kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine - në fjalën e tij për Lëvizjet Popullore, gjatë takimit të parë në Romë, në tetor 2014, theksoi rëndësinë e ekzistencës së tyre në perspektivën e një bote në paqe dhe drejtësi. Botë, që kërkon forma të reja të pjesëmarrjes, të cilat përfshijnë edhe Lëvizjet Popullore. Kërkon edhe të inkurajohen strukturat qeveritare lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare në përfshirjen e të varfërve në ndërtimin e të mirës së përbashkët të vendeve të tyre”.

Tri “T”-të: tierra, techo ey trabajo

Lëvizjet popullore lindën pikërisht për t’u kthyer dinjitetin dhe zërin atyre njerëzve, që askush nuk i dëgjon. Ndërmjet tyre ka fshatarë pa tokë, pronarë të vegjël tokash, qiramarrës, punëtorë ditorë dhe punëtorë sezonalë, të pastrehë, bashkësi rurale, njerëz që zënë me forcë shtëpi të braktisura, punëtorë shtëpiakë, tregtarë mallrash të përdorura, punëtorë që marrin në duart e tyre fabrika të braktisura ose të shkatërruara. Të gjithë, me një objektiv të vetëm të përmbledhur në tri “T”-të, që i përmend shpesh Papa Françesku: tierra, techo ey trabajo, pra, toka, çatia (shtëpia) dhe puna.

25 shtator 2019, 19:14