Kërko

Versailles Versailles 

Kishat evropiane mblidhen në Paris për paqen, 100 vite pas Traktatit të Versajës

Hapet sonte në Paris, në Pallatin e Versajës, saktësisht në vendin ku 100 vite më parë, më 1919, u nënshkrua një nga traktatet e paqes, që i dha fund zyrtarisht Luftës I Botërore, Konferenca Ndërkombëtare e Paqes, organizuar nga Konferenca e Kishave Evropiane (KEK) - bashkim ekumenik i të krishterëve në kontinentin e vjetër.

R.SH. - Vatikan

“Duke pasur parasysh rolin e saj të vazhdueshëm në promovimin e pajtimit dhe të paqes, Konferenca e Kishave Evropiane organizon një takim të rëndësishëm ndërkombëtar, me vëmendje të dyfishtë mbi Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, si edhe mbi gjendjen aktuale globale dhe evropiane”, thuhet në paraqitjen e kësaj nisme. Kujtojmë se Konferenca e vitit 1919 ishte vendimtare për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë. Delgacioni shqiptar, i kryesuar nga ipeshkvi i Lezhës, imzot Luigj Bumçi, mbajti një fjalim historik, shkruar nga atë Gjergj Fishta (sekretar i dërgatës), për t’i bindur shtetet evropiane të sapodala nga Lufta I Botërore me etjen për t’ua ndryshuar kufijtë të humburve të saj, se shqiptarët kishin të drejtë të jetonin në atdheun e tyre, të njohur ndërkombëtarisht.

        Pikërisht Konferenca e paqes e këtyre ditëve, që do të përfundojë më 12 shtator, synon të reflektojë mbi të kaluarën, për të kuptuar më mirë kuadrin historik në të cilin jetojmë sot. “Pajtimi për paqen, dëshiruar dhe përjetuar në Kishat e ndryshme të Konferencës së Kishave Evropiane, mund të bëhet lajtmotiv qendror për impenjimin e KEK-ut në shoqëri e më gjerë”.

        Takimi hapet nga rev. Christian Krieger, president i Konferencës së Kishave Evropiane, nga Mitropoliti Emmanuel i Francës, nga Sylvain Ëaserman, nënkryetare e Asamblesë Kombëtare Franceze, dhe nga Claudia Roth, nënkryetare e Bundestagut gjerman. Duke filluar nga dita e nesërme, do të flitet për Lindjen e Mesme dhe krizën në Siri, në Irak e në rajone të tjera, si edhe për paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Palestinës: “Ç’përgjegjësi ka Atlantiku perëndimor në të kaluarën, në të tashmen dhe për të ardhmen?”.

        Tema të tjera do të jenë populizmi, qëndrueshmëria dhe ekonomia: “A është e nevojshme vetëm ekonomia për të përballuar sfidat e vazhdueshme të migracionit ekonomik, në mënyrë që të krijohet një botë më e drejtë dhe një ambient më i shëndetshëm? Cilat janë përgjigjet e përshtatshme para populizmit në rritje dhe para lindjes së formave të reja të nacionalizmit?”. Do të flitet edhe për dialogun ndërmjet feve abrahamitike dhe për rolin e tyre në arritjen e paqes, me bindjen se “asnjë fe, e vetme, nuk mund ta arrijë paqen, por paqja botërore mund të varet, pjesërisht, nga paqja ndërmjet krishterimit, hebraizmit dhe islamizmit. Kjo është veçanërisht e vërtetë në një botë, ku ka tensione në rritje ndërmjet Krishterimit dhe Islamit. Dialogu i përforcuar dhe i gjatë për paqen ndërmjet traditave abrahamike është detyrë e kohës sonë”, shkruhet në notën, që paraqet Konferencën. Në tryezën e rrumbullakët të saj do të diskutojnë eksponentë të të tria feve monoteiste.

10 shtator 2019, 14:33