Jezusi dërgon apostujt me mision Jezusi dërgon apostujt me mision 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Veprat e Apostujve

Emisionin e kaluar përfunduam komentin e Ungjillit sipas Gjonit, ndërsa sot, fillojmë atë të Veprave të Apostujve, shkruar nga shën Luka ungjilltar, po ai, që shkroi Ungjillin, i cili i mban emrin. Pikë referimi na shërben, si gjithnjë, libri “Është ora e leximit të Biblës” i meshtarit italian don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Luka e përfundon Ungjillin me apostujt e mbushur plot gëzim, që prisnin dhuratën e Shpirtit Shenjt. Libri, që përshkruan veprat e tyre, fillon pikërisht në atë çast, madje, pas prologut që ungjilltari ia drejton mikut të vet Teofil, shën Luka bën pak hapa mbrapa për të rifilluar nga Ngjitja e Krishtit në qiell. E bën këtë për një arsye të thjeshtë: dëshiron që ta dëgjojmë edhe një herë mandatin misionar të Jezusit, i cili përbën vetë strukturën e librit të Veprave të Apostujve e përfaqëson përvojën kishtare, që jetoi edhe ungjilltari.

“ Ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje, edhe gjer në skajin e botës” (Vap 1,8).

Nëse shohim Veprat e Apostujve, gjejmë pikërisht këtë udhë: nisemi nga Jeruzalemi, kalojmë nëpër Jude e Samari, mbërrijmë në Antioki e prej andej, përmes Azisë së Vogël dhe Greqisë, arrijmë në Romë, ku përfundon libri, së bashku me jetën e apostujve Pjetër e Pal.

Përmbledhtas, libri i Veprave të Apostujve, mund të ndahet në këto periudha:

-         Lindja dhe strukturimi i Kishës së Jeruzalemit (Vap 1-5). Jemi rreth viteve ’30 pas Krishtit. Protagonistët janë të Dymbëdhjetët dhe Pjetri;

-         Lindja dhe strukturimi i Kishës në Jude, Samari e Siri (Vap 6-12). Jemi në vitet ’40 pas Krishtit. Protagonistë janë Pjetri dhe shtatë diakoj, veçanërisht Shtjefni dhe Filipi. Një nga ngjarjet më të rëndësishme: kthimi i Saulit (Palit) në rrugën e Zotit;

-         Udhëtimi i parë misionar e “koncili i Jeruzalemit” (Vap 13-15). Jemi rreth viteve 49-50 pas Krishtit. Protagonistë të kësaj periudhe janë përgjegjësit e Kishës së Antiokisë, ndër të cilët Barnaba e Pali;

-         Udhëtimet e mëdha misionare dhe themelimi i Kishave në Azi e në Greqi (Vap 16-20), në vitet ’50 pas Krishtit. Protagonistë janë Pali dhe misionarët shëtitës.

-         Udhëtimi i fundit i Palit nga Jeruzalemi në Romë (Vap 21-28). Jemi në vitet 58-62 pas Krishtit. Protagonist është Pali, që burgoset fillimisht në Çezare e më pas, në Romë.

Shën Luka ungjilltar bëri studime të imta, në mënyrë që brezat e ardhshëm, kur ta lexonin veprën e shkruar prej tij, ta kuptonin se dëshmitë mbi të cilat bazohet feja janë të qëndrueshme. E këtë e bëri shumë mirë për Ungjillin, ndërsa për Veprat e Apostujve, puna që e priste ishte më e ndërlikuar.

Në Ungjill duhej rindërtuar historia e Jezusit, ndërsa në Veprat, historia e Kishës së parë. Atje, vendi ku zhvilloheshin ngjarjet ishte kryesisht Galilea – ndonjë shtegtim i shkurtër në Dekapoli e pastaj, menjëherë në Jeruzalem – këtu s’është e lehtë jo vetëm të llogaritësh kilometrat e qytetet, por edhe personazhet, protagonistët, situatat. Ungjilli merret kryesisht me vitet e fundit të jetës së Jezu Krishtit, ndërsa Veprat e Apostujve përfshijnë një hark kohor prej 30 vitesh e më shumë.

Nga pikpamja letrare, historike dhe teologjike, Veprat e Apostujve përbëjnë librin më të ndërlikuar e më të plotë të Besëlidhjes së Re e Luka, pa dyshim, është shkrimtari më i mirë i saj. Në Ungjill, aftësia e tij për t’i treguar ngjarjet i shndërron skenat e jetës së Jezusit në vepra të vërteta pikture; në librin e tij të dytë, natyrisht, ky talent nuk zhduket. Me penelatat e tij, shën Luka ungjilltar kontribuoi që të na formojë në mendje idenë e Kishës, e cila mbizotëron edhe sot e kësaj dite.

19 shtator 2019, 15:10