Kërko

Rrëshajët Rrëshajët 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Veprat e Apostujve - Rrëshajët

Ungjilli i Kishës e Ungjilli i Shpirtit Shenjt: kështu janë quajtur Veprat e Apostujve, për të cilat do të vijojmë t’ju flasim në emisionin e sotëm. Gjithnjë sipas librit “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Në këtë libër shkruar nga shën Luka ungjilltar, vepra ka shumë e apostuj më pak. Së pari, Pjetri, pastaj, Pali e në mes, Shtjefni e Filipi. Të Dymbëdhjetët vetëm përmenden e më se një herë hasim në Gjonin, Jakun e Barnabën, por tregimtari vendos ta fillojë me Pjetrin e ta përfundojë me Palin. Apostujt e tjerë, praktikisht, nuk duken.

Studioja e piktorit

Shën Luka ungjilltar dëshiron të rrëfejë se si në një periudhë 30-vjeçare, ky grup galileasish të dëshpëruar, që patën humbur mësuesin, arrin në kryeqytetin e Perandorisë së madhe Romake. Peneli i këtij artisti të jashtëzakonshëm përpiqet të na shpjegojë si ndodhi kjo, duke na dorëzuar një afresk të vërtetë koral, që do të mbetet në mendjen e bashkësisë së krishterë përgjithmonë.

Nëse imagjinojmë studion e këtij piktori, do të gjejmë aty një sërë elementesh të këtij afresku të madh:

-         vendet: Tempulli, Shtëpia, Rruga, Sheshi, Sinangoga, Burgu, Gjykata, Anija;

-         qytetet: Jeruzalemi, Çezarea, Antiokia, Athina, Korinti, Efesi, Roma;

-         njerëzit: Pjetri, Pali, Gjoni, Jaku, Shtjefni, Filipi, Barnaba, Marku, Luka, Prishila, Akuila;

-         fraksionet: farisejtë, saducejtë, meshtarët, judejtë, judeo-kristianët, grekët, samaritanët, romakët, të krishterët;

-         çështjet: Ungjilli, liturgjia, misioni, shkrimi, ligjet, organizimi, shërbimet, judenjtë, paganët, persekutimet.

Ngjarjet, në lëvizje të përhershme

Gjeografia dhe historia janë elemente qendrore të këtij afresku e ndryshojnë vazhdimisht. Në praktikë, “këtu, askush nuk rri kurrë rehat” e ndihet se ngjarjet ndjekin vazhdimisht njëra-tjetrën, në një farë lëvizjeje të përhershme, që nuk është vetëm hapësinore, por shoqërohet edhe me zhvillim. Skena ndryshon me shpejtësi e në këtë ndryshim vërehet një zhvillim i vazhdueshëm, ose, siç thekson shpesh Luka (për 11 herë me radhë), numri i atyre që përqafojnë fenë rritet vazhdimisht.

Ky është emocioni, që na komunikon afresku i shën Lukës ungjilltar: një sërë skenash në lëvizje, në një “kreshendo”, që dëshiron të na tregojë se Kisha s’është tjetër veçse materie-në-lëvizje, e frymëzuar dhe e turbulluar pa pushim nga Shpirti Shenjt.  

Skena e Rrëshajëve

         Në afreskun e Lukës ka një pikë të qartë, nga e cila përhapet drita në të gjithë veprën: skena e Rrëshajëve. Në pak rreshta, Luka na jep një pamje, që bëhet themeltare, na njeh me përhapjen e një vale energjie, me shpërthimin e një fuqie të jashtëzakonshme, me vërshimin e një drite, që ndryshon çdo gjë:

         “Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin” (Vap 2,1-4).

         Skena është shungulluese. Është nxitje. Ndihet qartë!

         Është mbrëmje, duket sikur dita nuk do të ketë më ndonjë të re, por gjithçka ndodh papritur, një ushëtimë, një erë, që mbush shtëpinë e njerëzit. Është Shpirti Shenjt, ai që më kot e pritën profetët, ai për të cilin folën Ezekieli e Joeli, ai që nuk iu dha Moisiut në Sinai, ku pati vetëm erë, vetëtima e zjarr: është Shpirti i Zotit, që mbush gjithçka! Ky është shpërthimi, që i ndryshon njerëzit e gjërat! E Pjetri, renegati, çohet në këmbë… e asgjë s’do të ishte më si më parë!

Ç’do të ishte krishterimi pa Rrëshajët?

         Ç’do të ishte krishterimi pa Rrëshajët? Ç’do të ishte vetë Ungjilli pa këtë shpërthim? Kjo është ngjarja themelore, që përcakton natyrën dhe misionin e Kishës, pasi:

-         e kremtja e Rrëshajëve, gjatë së cilës hebrenjtë kujtonin dhuratën e Ligjit mbi Sinai, festohet e përmbushet tani me dhuratën e Shpirtit Shenjt;

-         mallkimi i Kullës së Babelit dhe ndarja e njerëzve dhe e gjuhëve shlyhet përmes pushtetit të Shpirtit;

-         ringjallja dhe ngjitja e Jezusit në Qiell i hapin udhën ardhjes së Shpirtit Shenjt, që tani mund të banojë në njerëz e në sende;

-         bashkësia e besimtarëve është përkryerja e popullit hebraik e gjithçka prisnin njerëzit e mbarë tokës;

-         bashkësia kishtare është mjeti i kësaj fuqie, që zbret nga Qielli, dhuron pushtet dhe nxit të kumtohet Lajmi i Mirë.

Pasi tregon nga vjen drita e afreskut të tij, shën Luka ungjilltar fillon të përvijojë skena të tjera e pesë kapitujt e parë të Veprave të Apostujve janë si çastet e para pas “Big Bang”-ut, ato për të cilat shkencëtarët kanë vështirësi studimi, sidomos sepse u duhet të kuptojnë pse universi është kështu si e shohim sot. Luka kondenson hapësirën dhe kohën e nga Rrëshajët, në një çast, kalohet në martirizimin e Shtjefnit. Janë pesë kapituj, por ndërkaq, kanë kaluar tetë vite.

26 shtator 2019, 14:29