Kërko

"Do t'ju bëj peshkatarë njerëzish" "Do t'ju bëj peshkatarë njerëzish" 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ungjilli sipas Gjonit-fundi i dyfishtë

Ungjilli sipas Gjonit ka një përfundim të dyfishtë, siç shpjegon në librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”, meshtari italian, don Federico Tartaglia. Pikërisht për këtë finale, do t’ju flasim në emisionin e sotëm.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli përfundon me kapitullin e 20-të, siç vërehet fare qartë nga rreshtat e fundit:

“Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij” (Gjn 20,30-31).

Në këtë kapitull spikat figura e Madalenës, dëshmitarja e parë, së cilës Jezusi i bën dhuratën ta shohë pas ringjalljes. Më i dhimbshëm, takimi me Tomën, që është “Didimo” – binjak (ky është kuptimi i fjalës greke) – përfaqëson atë pjesë plot dyshim brenda secilit prej nesh, që s’e ka të lehtë të pranojë besojmën e përsosur: “Zoti im e Hyji im”. Duhet kohë për të arritur në këtë pohim.

E pas finales së parë, në kapitullin 20, shën Gjoni ungjilltar e pa të nevojshme të shtojë edhe një kapitull tjetër, në të cilin i duhet të sqarojë disa gjëra.

Të shpjegojë, për shembull, një lloj tensioni ndërmjet Pjetrit e Gjonit, ndërmjet Kishës së Romës dhe asaj të Efesit. E ungjilltarit nuk i shpëton rasti për të treguar se si Pjetrit i duhet ta përsërisë tri herë me radhë se e do Jezusin, para se Ai t’i thotë: “Kulloti delet e mia” (Gjn 21,17). Ndërsa është një dishepull tjetër, që Jezusi e do fort.

Më e bukur është, pa dyshim, skena, me të cilën paraqitet epilogu i ri: me tabllonë e apostujve, që përgatiteshin të peshkonin rishtas, dëshiron të tregojë një Kishë, që u bë peshkatare njerëzish, por i ka akoma rrjetat bosh! Barka mund të mbushet plot me peshq vetëm falë fesë e, edhe këtu, ungjilltari nënvizon me mjeshtëri tensionin ndërmjet Pjetrit e Gjonit, kur shkruan:

“Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: ‘Është Zotëria!’. Simon-Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm - sepse ishte i zhveshur - dhe u hodh në det” (Gjn 21,7).

Pjetri ka nevojë për vështrimin depërtues të “dishepullit, që Jezusi e donte”, ndërsa dishepulli e pranon se Pjetri, me forcën e tij, i mban bashkë të gjithë peshqit në rrjetë. Një ekuilibër, që ungjilltari e njeh mirë dhe e thekson qëllimisht.

Para se të përfundojmë komentin mbi Ungjillin sipas Gjonit, dëshirojmë të përmendim fjalët e Jezusit, që ndoshta, janë motoja e kësaj vepre:

“Nëse do ta mbani fjalën time, vërtet do të jeni nxënësit e mi;
do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë” (Gjn 8,31-32).

Është një nga ato fraza, që na ka nxitur gjithnjë ta duam Jezusin me gjithë shpirt, të japim gjithçka për Të e ta duam edhe këtë Ungjill! Provoni edhe ju të mahniteni nga fluturimi i këtij solisti, i shën Gjonit! Të ndiqni figurat dhe akrobacitë e tij. Do të mbeteni gojëhapur me guximin e ungjilltarit e do t’u besoni fjalëve të tij plot siguri, sepse “ky është dishepulli, që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë” (Gjn 21,24).

05 shtator 2019, 10:07