Kërko

Vatican News
Atë Pal Dodaj, françeskan Atë Pal Dodaj, françeskan 

Atë Pal Dodaj, françeskan, në përvjetorin e vdekjes

Atë Pal Dodaj punoi dhe i shërbeu “Dritës së Vërtetë” e regjimi komunist e arrestoi dhe e dënoi duke e torturuar mizorisht sepse ishte errësirë e, derisa i afrohej vdekjes, për shkak të moshës së shtyrë, e dënoi edhe me pushkatim, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm, prej nga e liroi shumë shpejt motra vdekje, që erdhi dhe e mori për dore në një nga qelitë e burgut komunist më 5 shtator 1951, për ta sjell në Dritën e Vërtetë të Amshimit.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 5 shtator, kujtojmë përvjetorin e vdekjes së françeskanit shqiptar Atë Pal Dodajt OFM, më 5 shtator 1951, të parit provincial shqiptar të Provincës Françeskane të Zojës Nunciatë, mbrojtës i vlerave kombëtare e ungjillore, kultivues i idealeve të lirisë e të pavarësisë, martirizuar nga regjimi komunist në Shqipëri.

Atë Pal Dodaj lindi në Janjevë afër Prishtinës, në Kosovë, më 3 shtator të vitit 1889. Ende i vogël, shkoi në Shkodër për t’u shkolluar ndër Etërit Françeskanë, me synimin që të vishte zhgunin e Shën Françeskut të Asizit. Nisi prandaj mësimet në Kolegjin e Troshanit, ndërsa noviciatin e jetës rregulltare si dhe studimet filozofike e teologjike i kreu në Firence të Italisë. Aty, më 19 korrik 1902 kremtoi edhe Meshën e Parë, për t’u kthyer menjëherë në Atdhe, i gatshëm për t’i shërbyer Kishës e Kombit.

Filloi punën si profesor i filozofisë, ndërsa u caktua edhe si epror Guardian e më pas, epror provincial i parë shqiptar i Provincës Françeskane Shqiptare. I dashur me të gjithë, Atë Pal Dodaj solli në provincë frymën e gëzimit të vërtetë françeskan, të paqes e të të mirave. Atë Pal Dodaj njihet edhe si mbrojtës e mbështetës së njerëzve që kultivonin kulturën e ndihmonin çështjen e Kombit Shqiptar. Kuvendin Françeskan të Rubikut e ktheu në strehë mbrojtjeje për të përndjekurit nga padrejtësitë e një kështjellë të idealeve të lirisë e të pavarësisë. Atë Pal Dodaj qe historian e publicist. Botoi në revistën “Hylli i Dritës” e në shumë revista të huaja. Ishte bashkëpunëtor i rregullt i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”.

La pas vete edhe vepra të rëndësishme si kronika, “Shqipnia e kohës së mesme” (1913), “Dorëshkrimet e Atë Gjeçovit” (Romë 1936), "Provinça misionare e Zojës Nunciatë në Shqipëni” (1923). Veprimtaria e françeskanëve në Shqipni (Milano 1940); së bashku me Atë Gjergj Fishtën e Zef Schiroin përktheu në italisht “Kanunin e Lekë Dukagjinit” që u botua nga Akademia Italiane në Romë më 1941.

Për të gjitha këto e veprimtari tjera në fusha të ndryshme në shërbim të popullit e Kishës, Atë Pal Dodaj ka merita të padiskutueshme sepse punoi dhe i shërbeu “Dritës së Vërtetë” e regjimi komunist e arrestoi dhe e dënoi duke e torturuar mizorisht sepse ishte errësirë e, derisa i afrohej vdekjes, për shkak të moshës së shtyrë, e dënoi edhe me pushkatim, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm, prej nga e liroi shumë shpejt motra vdekje, që erdhi dhe e mori për dore në një nga qelitë e burgut komunist më 5 shtator 1951, për ta sjell në Dritën e Vërtetë të Amshimit.

Një fragment nga vepra e Atë Paulinit, prof. Margjokaj: Kontributi i Pukës për pavarsí të Shqipnisë, titulluar Rrubigu, çerdhe e atdhedashësve”.

Shkruan françeskani shqiptar Prof. Atë Paulinit Margjokaj:
“Rrubigu kje porsi çerdhe kû u struken njerz me randsí, të cilët mâ vonë u banë ministra, deputet e komandanta ushtrijet; mâ teper se njiherë edhe vetë N.M. e Tij mbreti i sotshem” – kshtu lexohet në Hylli i Dritës 1937, Nr fruer-marc, fq 74.
Në Rrubig, si na kumbton i atë Pal Dodaj në të njajtin vend të cituem, kje shkrue memorandum-i5, në bazë të të cilit në kongresin e Shkupit Shqipnija do të delte autonome. Ky dokument u shkrue n’emen të kryetarve të Shqipnisë së Mesme e të Veriut e u kompilue me bashkëpunimin e ipeshkvit të Lezhës (emzot Luigj Bumçit), t’ipeshkvit të Zadrimës-Pukë (Emzot Gjergj Koleci), të Pal Dodaj, të Gjergj Fishtës e të Dom Nikollë Kimzës.
Si shperthei lufta ballkanike, prap në kuvendin e Rrubigut kjenë mbajtë dý mbledhje tjera: njana nen kryesinë e arqipeshkvit të Durrësit, imzot Prenk Bianchi, tjetra nen ipeshkvin e Zadrimës e nen Abatin e Mirditës (Prenk Doçi). Nder kto dý mledhje u rrah çashtja nëse ishte mâ mirë per Shqiptarë me u bashkue me Lidhjen Ballkanike apo me u bâ me ushtrí otomane, mbasi të kishim xjerrë prej Turkisë sigurimin e pavarsisë kombtare. Pal Dodaj nuk na e thotë kjartë n’artikullin e vet (Hylli i Dritës, citue sypri) se si e danë ket çashtje, ai na thotë vetem se “kto dý mbledhje paten per qellim me dá a ishte mâ mirë…”, por nuk thotë se kshtu apo ashtu e dane.
Poeti kombtar ka dashtë me na e bâ të pavdekshem emnin e ktij frati, prandej e ka shtî në Lahutë të Malsisë. Në kangen 28 na kallxon Fishta se si nji heró i Malsisë, me emen Llesh Nik Daka, jet i varruem randë në Rrushkull afer Durrësit prej pushkve trathtare shqiptare e se ky lypë me e çue në kishë të Fretenve në Rrubig, ku dishron me kenë i vorruem ( kjo ngarje âsht historike):

Pater Pali ç’âsht mjerue!
Me dore ballit ç’i ka rà
E po thotë gati tue kjá:
Oj Shqypní, mjera Shqypní,
Mjaft po drue, se me krye n’hî
Per gjithmonë per t’mbetun ké, 
N’ prêhen t’and q’se mujn me lé
Ksi gjarpijsh, qi, besë e fé
Lânë mbas doret, me trathtí
Mund t’bâjnë n’vllazen kshtu kerdí.
Atherë trimin e vorruene,
E vorruen m’at mâje krepit”
Ku komita lodhë gazepit
T’Shkjaut e t’Turkut, gjêjshin mproje
Strehë, pushim e prap ndoj koje
Bukë e zemer; e kû frati
Të varruemve u rrite gati,
Varrët tue u a lá edhe tue ua ndrrue:
Krenët me kshille tue i drejtue.
Persê, ç’merr prej Sallsatikut 
E del m’Sh’Mark, n’Kuvend të Rrubigut
E ki’n strofllin t’gjith njata
Qi me puplë a me pushkë m’krah,
T’kshtenë e turq, ishin betue,
Jashtë Shqypnis Turkun m’e dbue…

Atë Pal Dodaj ishte Kosovar prej Janjevet, prej kah âsht kenë edhe Atë Shtjefen Geçovi, qi Serbët e mbyten në vj. 1929, prej kah âsht kenë edhe Atë Luigj Paliqi, qi shkjetë e paten mbytë me 7 marc 1913, prej kah ishte edhe Atë Loro Mitroviqi (Mazreku) qi e mbyten komunistat serbo-shqiptarë ase mâ mirë me thanë shqiptarët komunistë të shtymë prej Serbve në vj. 1943. Sikurse kta tre freten kosovarë i kan mbytë Serbët, nuk âsht per t’u pritë tjeter veçse edhe i katerti, Atë Pal Dodaj, të hidhej në burg komunist dhe aty të vdiste. Në Rrubig lajmet i merrte Atë Pal Dodaj prej nji miku të vet qi rrite në Shengjin. Ky ishte agjent i Loyd-it Trieshtin (Shoqnija e Vaporreve mâ e madhja e Austro-Ungerisë) e quhej Fr. U. Matković. Si kroat qi ishte, simpatizote per Shqiptarë e ishte i njoftun me Pater Palin shum vjet perpara. Krye javet ky merrte prej Matkovićit jo vetem gazeta me shumicë, por edhe lajme tjera të shkrueme nder letra të mshehuna nder gazeta mbrendë, lajme qi Matkovići i ndiete prej vetë oficerave serb e malazez (Shengjinin e kishin kta në dorë qysh në fillim të luftës ballkanike) si edhe prej kapitanavet t’anijeve qi kalojshin neper limâ. Mund të thohet prá se kurrnji vend në Shqipní nuk kishte aso here mundsinë me e njoftë mâ mirë gjendjen e Shqipnisë si edhe gjendjen e politikës europjane në lidhní me atdhenë t’onë në rrezik me mbetë i shkyem nder çapoj t’anmiqvet”.

05 shtator 2019, 16:28