Kërko

Shëmbëlltyra e Ungjillit të dielës 26-të gjatë vitit kishtar, ajo e njeriut të pasur dhe Lazrit të varfër Shëmbëlltyra e Ungjillit të dielës 26-të gjatë vitit kishtar, ajo e njeriut të pasur dhe Lazrit të varfër 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit “C”

Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na tregon një tjetër shëmbëlltyrë: atë të njeriut të pasur dhe të Lazrit të varfër, për të na orientuar në jetë e në vepra drejt Mbretërisë së Hyjit.

R.SH.- Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit “C”

Edhe këtë të diele tema e liturgjisë është diskutimi ndërmjet varfërisë e pasurisë, ndërmjet mjeteve shtypëse, që njerëzit përdorin ndaj njëri-tjetrit, e drejtësisë së Zotit: humnera, për të cilën flet Ungjilli, na nxit të mendojmë mirë mbi vlerat që na pasurojnë dhe na fton të jetojmë e të veprojmë në perspektivën e Mbretërisë së Hyjit.

Zoti i do të varfrit e fati i amshuar, si dhe lumturia e çdo njeriut varët nga vullneti i tij për të ndjekur udhën e dashurisë e për të vepruar mirë në përkim me vullnetin e Hyjit, duke qenë solidarë më varfrit e nevojtarët gjatë jetës tokësore. Këtë vë në pah Ungjilli i Dielës së 26-të gjatë vitit kishtar ‘C’, me shëmbëlltyrën e Lazrit të varfër dhe të pasanikut (Lk 16,19-31).  Egoizmi e thanë shpirtin deri në humbje. Dashuria, jo në kuptimin e ndjenjës sipërfaqësore, por dashuria bamirëse që shndërrohet në shërbim të të varfërve, na bënë të jetojmë më të vërtet e të fitojmë pavdekshmërinë.

Mesazhi i qartë që vjen nga shëmbëlltyra e famshme ungjillore, Lazri që ushqehet me teprica të tryezës së pasanikut e pandjeshmëria e Pasanikut ndaj të varfit, na transmeton jehonën e mesazhit që nuk le hapësirë kompromisi e dyshimi. Mesazhi ungjillor i kësaj shëmbëlltyre, nuk flet vetëm për përdorimin e drejt apo të gabuar që mund të bëhet me pasurinë, por nënvizon faktin që Zoti na flet përmes Shkrimeve të Shenjta e se duhet të jetojmë sipas vullnetit të tij hyjnor, përndryshe pas vdekjes, do të jetë tepër votë për t’u penduar e përmirësuar gjendjen.

Prandaj, kjo shëmbëlltyrë e Ungjillit nga Luka na thotë dy gjëra: e para është kjo se Zoti i do të varfri dhe i ngrit nga përulja e përbuzja e tyre; e dyta është se fati jonë i amshuar kushtëzohet nga qëndrimi dhe sjellja jonë, e na takon pikërisht neve ta ndjekim udhën që Zoti na ka treguar, për të arritur në jetën e plotë e të vërtet, e kjo udhë është dashuria, jo në kuptimin e ndjenjës, por si shërbim ndaj tjerëve, në dashuri të Krishtit.

Prej mëse dymijë vjetësh, shembulli i njerëzve që kanë jetuar plotësisht në përkim me këtë ideal të dashurisë e të bamirësisë, e ndriçon historinë e Kishës. Po përmendim tri personalitete si shën Vinçenci Paoli, e Lumja Kjara Badano, dhe Shenjta Nënë Terezë – Ganxhe Bojaxhiu.

                                           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Am 6, 1.4-7
Populli i Izraelit tani jeton në një tokë të qëndrueshme dhe të sigurt, ndërsa në të kaluarën ka jetuar si endacak nën çadra. Për shumë vite Hyji, duke e parë të poshtëruar dhe endacak, e ka mbrojtur dhe e ka ndihmuar. Por tani mirëqenia dhe siguria ekonomike e bën këtë popull të ndihet i ngopur dhe i sigurt në kurriz të të varfërve. Edhe sot ekonomia jonë e konsumit e ndërtuar mbi mundimin e të tjerëve nuk ka bekimin e Hyjit.

Lexim prej Librit të Amosit profet
Kështu thotë Zoti i gjithëpushtetshëm: “Vaj për ata që janë të qetë në Sion, që janë të sigurt në mal të Samarisë, që janë paria e më të parit komb, kah të cilët shkon shtëpia e Izraelit! Fjetur në shtretër asht elefanti, sa gjerë e gjatë të shtrirë në shtroja të veta, hanë qengjat e njomë të grigjës e viça të zgjedhur të lorisë; me psalter të përcjellë këndojnë, shpikin vegla muzikore si Davidi, e pinë verë me gota të mëdha e lyhen me vajra të zgjedhur e për rrënimin e Jozefit s’janë në kujdes! Prandaj tash në mërgim do të shkojnë, mu në krye të gjithë mërgimtarëve, do të pushojë shoqëria e të shfrenuarve!” Fjala e Zotit.

Psalmi 146
Lum skamnorët në shpirt

----- ----- -----
Zoti u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
----- ----- -----
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.
----- ----- -----
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
----- ----- -----
Leximi i dytë 1 Tim 6, 11-16
Të shpallësh besimin tënd nuk do të thotë të recitosh fjalë të bukura. Gjëja e vetme që thyen indiferencën është një përvojë e gjallë dhe e vërtetë e Hyjit të krishterë.  I krishteri pohon me jetën e tij se e ka takuar dhe bëhet dëshmitar ashtu si Jezusi i Nazaretit, që përballë skepticizmit dhe refuzimit ka dëshmuar gjithmonë që ekziston një Hyj në ecjen e njeriut.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, jepu me gjithë shpirt mbas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre dhe për të cilën e dhe një dëshmi të bukur para shumë dëshmitarëve! Të urdhëroj para Hyjit, që u jep jetë të gjitha sendeve, dhe para Krishtit Jezus që e dha atë dëshmi të bukur para Ponc Pilatit, mbaje urdhrin pa njolla dhe pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, që do të na e tregojë në kohën e caktuar Ai, i lumi dhe i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve, Ai që i vetmi e ka pavdekësinë, që banon në dritën e paafrueshme, të cilin asnjë njeri nuk e pa dhe asnjë njeri s’mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe pushteti i amshueshëm! Amen! Fjala e Zotit.

ALLELUJA, alleluja.
Të lumët ju që tani keni uri, thotë Zoti, sepse do të ngiheni.
Alleluja.

Ungjilli Lk 16, 19-31
Jezusi shpall që në jetën e amshuar do të ndodhë përmbysja e vlerave. Të varfërit dhe të pasurit i dhurohet një fat ndryshe nga ai që kishin në jetën tokësore: Lazri tani gëzon të mirat në qiell. I pasuri është i torturuar në ferr. Jezusi në lumturitë shpall të lumtur të varfrit, të uriturit, ata që qajnë, u jep atyre lajmin se janë të dashur prej Hyjit dhe deklaron se në Mbretërinë e Hyjit do të përmbyset mentaliteti i kësaj bote.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha farisenjve: “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqimisht si një ditë për ditë. Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër, që dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët. Vdiq skamnori, e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij, e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën, se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ Abrahami i përgjigji: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’
Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim et, se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ Abrahami i përgjigji: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ I përgjigji: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish’.” Fjala e Zotit.

27 shtator 2019, 15:03