Lutje për meshtarin e vrarë në Meksikë Lutje për meshtarin e vrarë në Meksikë 

Vritet një meshtar në Meksikë: ku ka krim, por s’ka ndëshkim, krimi përsëritet!

Edhe një viktimë në gjirin e klerit meksikan: natën e së enjtes vritet atë José Martin Gusmán Vega. Kisha kërkon drejtësi!

R. SH. - Vatikan

“Me dhimbje të thellë marrim pjesë në mortin tragjik të meshtarit José Martin Gusmán Vega: autoritetet kompetente kanë nisur hetimet, për t’i sqaruar  faktet e për t’i dënuar fajtorët. Ndërkohë i shprehim ngushëllimet tona familjes Guzmán Vega dhe bashkësisë famullitare të Cristo Rey de la Paz dhe i ftojmë të gjithë të bashkohen në lutje për t’i lypur Zotit pushimin e pasosur për atë Martinin”.

Me këtë komunikatë të shkurtër, dioqeza e Matamoros, në Meksikë, njoftoi bashkësinë për vrasjen e meshtarit José Martin Gusmán Vega, të enjten, më 22 gusht. Komunikata nënshkruhet nga ipeshkvi, imzot Eugenio Lira Rugarcia. Atë Martini, 55 vjeç, sipas njoftimit të Agjencisë Fides, dha shpirt në spitalin e përgjithshëm “Dr Alfredo Pumarejo”, ku u mbart pasi ishte plagosur rëndë.

Gjashtë vjetët e fundit, në vendin latinoamerikan u vranë 26 meshtarë. Dy të tjerë u zhdukën pa lënë gjurmë. Njoftimin e jep Qendra Katolike multimediale e Qytetit të Meksikos, vëzhguese, që ndjek fatin e viktimave  dhe të përpjekjeve për ta frikësuar klerin. Qendra në fjalë saktëson se është fjala për krime të pandëshkuara! E ku ka krim, por jo ndëshkim, krimi përsëritet!

25 gusht 2019, 16:52