Kërko

Kardinali i ndjerë meksikan Sergio Obeso Rivera Kardinali i ndjerë meksikan Sergio Obeso Rivera 

Vdiq dje në Meksikë, kardinali Obeso Rivera

Ndërroi jetë dje, kardinali meksikan Sergio Obeso Rivera, kryeipeshkëv nderi i Xalapa-s (Veracruz). Njoftimin e dha Konferenca Ipeshkvnore Meksikane.

R.SH. - Vatikan

Kryetari i saj, imzot Rogelio Cabrera López, dhe sekretari i përgjithshëm, imzot Alfonso Miranda Guardiola, shprehën “trishtimin dhe pikëllimin” e tyre. Prelati ishte 86 vjeç, meshtar që prej 65 vitesh dhe ipeshkëv, që prej 48 vitesh. U krijua kardinal nga Papa Françesku në Koncistorin e 18 qershorit 2018.

         “E njohim dhurimin e tij bujar” për Kishën meksikane, lexohet në notën e ipeshkvijve, “sidomos punën e madhe të koordinimit dhe përgjegjësinë kryesore në impenjimin si kryetar i Konferencës sonë Ipeshkvnore në tre raste, në përkim me disa çaste të rëndësishme në historinë e vendit tonë, gjatë të cilave mori pjesë në bisedimet për paqen dhe pajtimin, që çuan në Marrëveshjen e San Andrés, si edhe në përpjekjet për të rivendosur marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Meksikës dhe Selisë së Shenjtë”. Gjithashtu, kardinali udhëhoqi Komisionin e Baritorisë shoqërore dhe atë për klerin. Pasi u shugurua ipeshkëv i Papantla-s në vitin 1971, më 1974 u emërua ipeshkëv ndihmës i Xalapa-s me të drejtën për të vazhduar misionin në krye të selisë ipeshkvnore. Vërtet, qe kryeipeshkëv i Xalapa-s nga viti 1979 deri në vitin 2007.

12 gusht 2019, 14:38