Kërko

 Udha Francigene Udha Francigene 

Udha Francigjene: kandidatura “pasuri e Unesco-s”, e mbështetur nga katër vende

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Zvicra e Italia kërkojnë të njihet si “pasuri botërore “udha mijëravjeçare e shtegtarëve, e njohur me emrin Francigene”, që kalon mes për mes zemrës së Evropës. Ndërkaq kjo udhë e lashtë po rizbulohet nga një numër gjithnjë më i madh turistësh.

R. SH. - Vatikan

Vijojnë praktikat burokratike për përfshirjen e Udhës Francigene në listën e mrekullive, që njihen si “pasuri e gjithë njerëzimit” nga Unesco (Organiztata e OKB-së për Edukimin, Shkencën e Kulturën). Brenda vjeshtës do të paraqitet nga katër ministritë e kulturës të Britanisë së Madhe, Francës, Zvicrës e Italisë (vende nëpër të cilat bën shteg udha), studimi tematik evropian mbi njohjen e Udhës Francigene si pasuri e mbarë njerëzimit. Dosja për këtë kandidaturë u miratua nga ministria e Pasurive Kulturore Italiane, pas marrëveshjes së shtatë rajoneve (Emilia Romagna, Lombardia, Piemonti, Liguria, Lazio e Valle d’Aosta, me koordinimin e Toskanës), nëpër të cilat kalon rruga e lashtë!

Një udhë, në zemër të Evropës

Udha, që i bie mes për mes zemrës së Evropës Perëndimore, duke u nisur nga Canterbury - drejt Romës, në Mesjetë përshkohej nga mijëra shtegtarë. Niseshin nga Anglia e nga Franca, për të arritur në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Romë, e për të vijuar shtegtimin drejt Tokës Shenjte, duke u imbarkuar në portet e Pulies. Ishte edhe udhë tregtare me shumë rëndësi. Nëpër të transportoheshin mallrat e Lindjes drejt panaireve të Veriut të Evropës. Ishte plot me ecejake, kjo rrugë, plot me karvane e këmbësorë. E doemos, përplot me mijëra histori shtegtarësh e shtegtimesh, të shkruara e të pashkruara, të botuara e të pabotura. Po kujtojmë vetëm disa tituj: “Nëpër rrugën Francigene. Historia e gjeografia e një udhe mijëravjeçare”; “Sekreti i rojtarëve të Fesë: Mistere mbi rrugën Fracigene”; “Krishti i Petrognanos, Kryevepër e skulpturës mesjetare në Rrugën Francigjene”; “Në biçikletë, nëpër rrugën Francigene”; “Shtegtim në këmbë, në udhën Francigene”; “Gjurmët tona, mbi udhën Francigene” etj etj – rrëfime e përshkrime plot shije e mister, ngjarje shtegtarësh, që ndeshen me një mori të papriturash, gjatë një rruge, në përfundim të së cilës, pasi kanë lënë gjurmët e hapave nëpër udhët e Kontinentit, shkelin mbi gjurmët e Krishtit, në Tokën Shenjte.

Kjo udhë, së bashku me atë të Santiagos së Kompostelës, ishte më e dashura për shtegtarët. E vlerën e jashtëzakonshme shpirtërore, historike e kulturore të kësaj rruge, e rijetojnë vit për vit dhjetra mijëra shtegtarë e turistë, që përshkojnë të paktën një pjesë të saj. Deri në Romë. A deri në fund, në Betlehem e në Jeruzalem, nga grazhdi – tek Kryqi i Krishtit!

Rizbulimi i udhës

“Sot udha është rizbuluar e riinterpretuar aq, sa ka nisur të thirret “udha moderne e shtegtimit”. Katër vende, 2.000 kilometra. Evropë - Romë -Jeruzalem…. Rrugë, që e gjejmë të përshkruar hollësisht në Ditarin e kryeipeshkvit Sigerico që, në vitin 990, i numëroi etapat e saj në shtegtimin e kthimit nga Roma, ku kish shkuar të merrte palion prej Papës, deri në Canterbury. Ishin 79, etapat, të cilat mund t’i përshkojmë simbolikisht duke lexuar ditarin e prelatit, ruajtur në Londër, në British Library. E, çka ka më rëndësi, nuk janë kujtimet e hershme, sesa fati i sotëm i kësaj rruge të lashtë, të rigjetur dhe të konsideruar udhë moderne shtegtimi përmes katër vendeve, rreth 650 komuneve e fshatrave, që bëjnë pjesë në Evropën “minore”, pak të njohur!

Por çfarë shikojmë gjatë udhës?

Përgjigjen na e jep Luca Bruschi, drejtor i Shoqatës Evropiane të Rrugëve Francigene:

“Vetëm në pjesën italiane janë identifikuar rreth 350 qendra historie e arti, ura, shtëpi të lashta romake e kisha ose katedrale, të denja për t’u vizituar, gjatë ndalesave të shtegtimit. E ka edhe shumë pasuri të tjera fetare, siç mund ta përfytyrojmë, gjatë kësaj udhe, që mesjeta e mbushi plot me vepra devocionale - e edhe me kryevepra, para të cilave nuk mund të mos ndalohesh, për të soditur bukurinë, në një çast prehjeje e në pritje të bukurive të reja”.

Projekt, që ka për qëllim të bashkojë

Projekti për ta shpallur këtë udhë Pasuri të Njerëzimit, nuk ka asnjë ngjyrim politik. Është përpjekje për të bashkuar, për të ndërtuar ura, e prej këndej, mund të themi se Udha Francigene është urë dialogu ndërmjet Veriut dhe Evropës mesdhetare, ndërmjet Evropës anglosaksone e Evropës latine. Urë kulture, në një Evropë, që përpiqet të rigjejë identitetin e vet. Është projekt, që ka identitet të madh kulturor, në të cilin pasqyrohet qartë natyra dhe historia e Evropës!

Udha Francigene, itinerar historik i Mesjetës, me etapa kryesore në Angli - Francë - Zvicër - Itali: nga Veriu - në Jug – në Tokën Shenjte. E deklaruar “Itinerar Kulture i Këshillit të Evropës”, na kujton fjalët e Goethes së madh: “Ndërgjegjja evropiane lind nga shtegtimi!”.

30 gusht 2019, 18:55