Kërko

Vatican News
 Papa takohet me të rinjtë kubanë Papa takohet me të rinjtë kubanë 

Të rinjtë: Comece inkurajon Komisionin evropian për emërimin e një koordinatori të BE-së

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, që OKB-ja e kremtoi më 12 gusht, ipeshkvijtë e BE-së inkurajojnë Komisionin Evropian të sapozgjedhur, të emërojë një koordinator për të rinjtë, parashikuar nga strategjia BE për rininë 2019-2027

R. SH. - Vatikan

“Të rinjtë jetojnë në një atmosferë të paqartë, ndjehen të pakënaqur, të lënë  mbas dore”- lexohet në një notë të Comece - “shkaku kryesor i kësaj situate është papunësia, që nuk u krijon kushtet e duhura për të dhënë ndihmesën e tyre në zhvillimin e shoqërisë. E, natyrisht, ndikon tejet negativisht edhe mbi  aftësitë për të ëndërruar e për të shpresuar”. Kështu shprehet Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, me rastin e Ditës ndërkombëtare të rinisë, themeluar nga OKB-ja më 1999, kremtuar më 12 gusht.

Një koordinator për të rinjtë

Organizmi ipeshkvnor - lexohet akoma në notë - “e përshëndet propozimin  e strategjisë së re të BE-së për rininë dhe e inkurajon Komisionin  e ri të vërë në jetë, posaçërisht emërimin e një koordinatori të BE-së për të rinjtë, për ta përhapur zërin e tyre në nivel komunitar”, siç parashikohet nga vetë strategjia e BE-së për të rinjtë 2019-2027.

Strategjia e BE-së për rininë

BE-ja po vë në jetë një strategji për të rinjtë lidhur me politikat në favor të tyre në periudhën 2019-2027. Strategjia u përcaktua në rezolutën e Këshillit të 26 nëntorit. Bashkëpunimi në nivelin e BE-së nxit pjesëmarrjen e të rinjve në jetën demokratike, mbështet angazhimin  shoqëror e qytetar dhe synon që gjithë të rinjtë të kenë mundësitë e nevojshme për të marrë  pjesë plotësisht në shoqërinë ku jetojnë.

Mobilizim, lidhje, përgjegjësi: 11 objektiva

Strategjia e BE-së për rininë përqendrohet mbi tre sektorë kryesorë ndërhyrjeje: synon të mobilizojë, të lidhë, të  përgjegjësojë. Gjatë një sërë dialogesh zhvilluar ndërmjte 2017 e 2018-s me të rinjtë e ardhur  nga mbarë Evropa, u vu theksi mbi 11 objektiva, që përcaktojnë problematikat me ndikim më të madh mbi jetën e të rinjve: lidhja e BE-së me të rinjtë, barazia e gjinive; shoqëria përfshirëse; informacioni e dialogu konstruktiv; shëndeti mendor e mirëqenia; mbështetja e të rinjve të zonave fshatare; punë për të gjithë; arsim cilësor; hapësirë e pjesëmarrje për të gjithë; Evropa e gjelbër dhe e qëndrueshme; organizatat rinore e programet evropiane.

Pas Sinodit

“Duke u mbështetur në përvojën e Sinodit kushtuar të rinjve më 2018, Comece kujton nxitjen apostolike pas-sinodale “Christus vivit” - “Krishti jeton” të Papës Françesku dhe nënvizon nevojën për t’i krijuar hapësirën e  duhur zërit të të rinjve, që janë e tashmja dhe e ardhmja  e botës sonë si dhe katalizator  i ndryshimeve dhe i shndërrimeve. Në këtë kontekst - sipas Agjencisë Sir -  në prill 2019 Comece organizoi një takim kushtuar pjesëmarrjes së të rinjve në shoqëri dhe hartoi një platforrmë me organizatat katolike rinore, me qëllim që promovohen më mirë propozimet  dhe perspektivat e tyre në dialog me institucionet e BE-së”.

Mbështeje e veprimtarive rinore

Në komunikatë lexohet se Comece do të vijojë ta ndihmojë nismën “European Solidarity Corps” - një program që u krijon të rinjve të moshës 18 deri në 30 vjeç  mundësinë të marrin pjesë në veprimtaritë e solidarietit - e edhe në bisedimet për programin e ardhshëm të shkëmbimeve Erasmus.

14 gusht 2019, 12:21